Kompania gjermane Dolphin Trust skemë piramidale që ka shkatërruar investitorët

Një kompani gjermane falimentoi duke treguar se ishte sipërmarrje shumë mashtruese. Megjithëse rasti nuk ka të krahasuar me skandalin e Wirecard, ai ka pasoja shumë më të mëdha për njerëzit e thjeshtë.

Kur flitet për kompanitë mashtruese gjermane, Wirecard ka qenë në vend të parë për një kohë të gjatë. Por, ekziston edhe një kompani tjetër gjermane që falimentoi pasi i mungonin në llogari 1 miliardë euro. Ndryshe nga rasti i Wirecard-it, në rastin në fjalë këto para kanë ekzistuar një herë dhe kanë qenë të njerëzve të thjeshtë. Historia e Dolphin Trust, e njohur për pak kohë si German Property Group, është një histori që paralajmëron për të pasur kujdes.

Dolphin Trust, një kompani investimesh në prona me qendër në Hanover, pati përfituar për vite me radhë nga imazhi i shkëlqyer që e tregonte si zgjidhje e sigurt dhe me përfitim për ata që kërkonin një alternativë tjetër përveç bankave, për të depozituar paratë e tyre.

Modeli i Dolphin Trust-it ishte si vijon: Me paratë e investitorëve, ata do blinin në Gjermani ndërtesa të vjetra me çmime të ulëta, të cilat do t’i rinovonin duke i kthyer në apartamente me nivel të lartë. Duke i shitur këto apartamente ata do u kthenin paratë investitorëve, me fitime të mëdha.

Dolphin Trust, i njohur pak në Gjermani, i vuri syrin konsumatorëve në Britaninë e Madhe, Irland dhe në disa vende aziatike, përfshirë Korenë e Jugut dhe Singapurin. Këshilltarët financiarë në këto vende e shisnin firmën si adresë të mirë për të bërë investime. Por në korrik të vitit 2020, kompania njoftoi në Bremen falimentimin, me një defiçit të vlerësuar midis 1,2 miliardë dhe 1,5 miliardë eurove. Një muaj më vonë, Prokuroria gjermane filloi hetimet me dyshimet për mashtrim. Ajo, që për vite me radhë dukej si makinë e respektueshme investimesh doli se ishte firmë piramidale.

Ngritja e Dolphin Trust

Dolphin Capital u krijua në vitin 2008 duke mbledhur bashkë disa kompani, nga gjermano-britaniku me emrin Charles Smethurst. Ai ia ndryshoi emrin kompanisë në vitin 2014 duke e quajtur Dolphin Trust.

Në fillim kompania u bëri disa pagesa investitorëve. Por pjesën më të madhe të dhjetëvjeçarit të fundit, realiteti i fshehur pas shkëlqimit të korporatës, ka qenë se kompania nuk ka bërë gjë tjetër veç blerjes së pronave me paratë e të tjerëve, dhe lënien e tyre pa prekur.

Kompania nuk ka bërë llogari që në vitin 2015, por shenjat e para publike që firma kishte problem serioze u shfaqën në maj të 2019, një muaj pasi e ndryshoi emrin duke e kthyer në German Property Group, plotësuar nga kanali i vet i lajmeve në YouTube.

Në maj të 2019, emisioni i BBC për çështjet e konsumatorëve, “You and Yours”, foli me disa nga personat që kishin investuar tek Dolphin Trust por nuk kishin marrë as para mbrapsht, as ndonjë informacion për gjendjen e investimit të tyre.

Në të njëjtën kohë Dolphin Trust u thoshte investitorëve se paratë e tyre ishin të sigurta, dhe se edhe nëse ndërtesa nuk rinovohej dhe nuk shitej me sukses, atëherë investitorët kishin garancinë e rimarrjes mbrapsht të investimit të tyre fillestar, që ishte futur në blerjen e ndërtesës.

Rrënimi

Kompania përpiqej që të mbijetonte, por reputacioni i saj u shkatërrua kur mijëra investitorë, që ndodhen në gjithë botën filluan të kuptojnë se paratë që kishin investuar, shpesh në sasi relativisht të vogla, por me vlerë shumë të madhe për ta personalisht, kishin humbur.

Kur kompania njoftoi vitin e kaluar falimentimin, një dokument i dërguar në gjykatë tregonte se ajo kishte rreth 70 prona, pjesa më e madhe e të cilave nuk ishin vlerësuar dhe kishin nivel të ndryshëm shkatërrimi.

Në vitin 2019, Ludwig Wallinger, kryetari i Bashkisë së qytetit të vogël gjerman Schonthal, në kufi me Çekinë, foli me BBC për një manastir të vjetër që Dolphin Trust kishte blerë aty në vitin 2017. “Hera e fundit që unë kam dëgjuar prej tyre ka qenë në pranverë 2018, kur ata më pyetën çfarë mendoja se mund të bëhej me manastirin,” tregon ai. “Ata propozuan ngritjen mbase të apartamenteve luksove, por unë fillova të qesh, sepse kjo zonë nuk ka kërkesa për banesa të nivelit të lartë.”

Në prill të këtij viti, një emision i televizionit kombëtar irlandez, RTE, tregoi me hollësi nivelin e madh të dëmit shkaktuar investitorëve irlandezë nga Dolphin Trust, ku më pak se 2 mijë vetë kishin futur tek kjo kompani rreth 200 milionë dollarë.

RTE foli me Stephan Schlier, kryetarin e Bashkisë së qytetit bavarez Bad Aibling, ku Dolphin Trust kishte blerë një punishte të vjetër birre dhe e kishte lënë siç ishte.

“Ne jemi indinjuar, sigurisht. Ndërtesa e lënë në këtë gjendje nuk i përshtatet Bad Aibling-ut,” tha ai për programin televiziv duke shtuar se “Dolphin nuk do që të ndërtojë asgjë.”

RTE foli me dy vlerësues të pavarur pasurishë në Gjermani, që thanë se punishtja e birrës kishte vlerë më të madhe se çmimi prej 5,6 milionë dollarësh, paguar nga Dolphin.

‘Skemë piramidale’

Pronarët kanë pasur ende prona tek kjo kompani në momentin e flimentimit dhe ato janë vlerësuar të jenë më shumë se 150 milionë euro. Me 1,2 miliardë eurot që janë të investitorëve, por mbase edhe më shumë, nuk ekziston shpresa se këta njerëz do të marrin ndonjë shumë mbrapsht nga paratë e tyre.

Gerrit Hoelzle, një administrator falimentimesh që është marrë fillimisht me këtë rast, pati thënë në vitin 2020: “Modeli fillestar i biznesit është prishur vite më parë. Me siguri për shkak të rritjes së deficiteve financiare, modeli i biznesit që ishte fokusuar fillimisht në blerjen e pasurive të patundshme është transformuar gradualisht në skemë piramidale.”

Justus von Buchwalt, një administrator falimentimesh që ka punuar me këtë rast, i tha RTE-së për emisionin televiziv se: “Ka tregues të qartë se Dolphin Trust ka qenë skemë piramidale.”

Hetimet janë duke vazhduar. Në muajin mars, shtëpia e Smethurst-it u kontrollua nga policia, e cila sekuestroi server kompjuteri dhe skedarë. Gjetja ekzaktësisht se çfarë ka ndodhur me gjithë ato para do të jetë detyrë e vështirë, megjithëse është e qartë se bashkëshortja e Smethurst-it, Kerstin Manuela Lenz ka përfituar direkt prej tyre, pasi ka marrë kredi disa milionëshe nga kompania për vite me radhë.

Rasti në fjalë është duke hedhur gjithnjë e më shumë dritë në sektorin gjerman të korporatave dhe veçanërisht në rregullat financiare dhe rregullimet për korporatat, të goditura rëndë nga skandali i Wirecard dhe skandale të tjera.

Konsultues financiarë në Irlandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë janë duke u përballur me kontrolle të forta, sepse e kanë shitur Dolphin Trust-in për një kohë të gjatë si fond investimesh.

Por modeli i biznesit të Dolphin Trust, që ka mbijetuar për kaq kohë të gjatë ka përfituar nga ideja që Gjermania ka për veten, si shembull i virtyteve dhe maturisë ekonomike. Duke u fshehur mbas këtij imazhi të respektueshëm, Dolphin Trust — po ashtu si Wirecard — ka qenë në gjendje të mbulojë mashtrimet.

  • Data 08.05.2021
  • Autor Arthur Sullivan/dw

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close