DASHURI SHPRESASH TË THYERA I SHEFIK ARIFIT– ROMAN PËR KONTRADIKTAT QË RRJEDHIN NGA BASHKËJETESA E DY PARADIGMAVE IDEOLOGJIKE


Sarë GJERGJI

Trajtimi i figurës së gruas në kohë e kultura të ndryshme nuk është i panjohur në historinë e letërsisë së përbotshme. Janë autorë të shumtë që në veprat e tyre e kanë tematizuar fatin e gruas në familje dhe shoqëri, përfshirë dhe martesën e saj të detyruar ose të rregulluar, edhe në kontekst me traditat dhe zakonet e popujve dhe kulturave përkatëse. Edhe Balzaku në Komedinë njerëzore, vepër kjo e cilësuar si një nga shtyllat e letërsisë së përbotshme, në fokus do ketë dashurinë dhe idealin, vesin e virtytin, zakonet, sjelljet dhe moralin, jetën e provincës e të fshatit, fenë dhe filozofinë…

Brenda një vorbulle e sfondi të tillë zhvillohet dhe ngjarja e romanit “Dashuri shpresash të thyera” të autorit Shefik Arifi.

Frymëzimin dhe lëndën që trajton në roman, autori e gjeti në realitetin konkret të jetës së një pjese të shoqërisë sonë. Vepra merret me pasqyrimin kritik të një realiteti të shëmtuar, që ka të bëjë me martesën e rregulluar e të detyruar, familjen, doke e zakone… Shih, duke përdor një martesë të rregulluar – në masë jo të vogël edhe të detyruar- si një pikë fillestare, autori përshkruan dhe situatën sociale, kulturore dhe mentalitetin e ambientit prej nga vjen, ndonëse nuk cilësohet në roman. Ka një përplasje (të nënkuptueshme) ndërmjet traditës shqiptare dhe shtresëzimeve (fetare) të mëvonshme, nënshtrimit të grave përballë martesave të rregulluara; ka këtu një krizë dhe dekadencë morale të ëndrrës për një jetë ndryshe, normale. Si njohës i mirë i botëkuptimit dhe mentalitetit të njerëzve, i realitetit dhe lëndës që shtjellon, autori ka arritur që ta pasqyrojë mjaft mirë atë, me të gjitha nuancat, ngjyrat dhe elementet që e karakterizojnë. Në këtë kontekst ai nuk është thjesht vetëm një vëzhgues pasiv, por, për më tepër, hetues e gjurmues që do të gjejë shkaqet dhe arsyet e një dukurie të tillë. Dhe jo vetëm kaq. Autori preokupohet në vazhdimësi për ndryshimin dhe korrigjimin e atyre faktorëve që “përligjin” edhe sot dukurinë e martesave të rregulluara apo edhe të detyruara. Lënda e trajtuar, bota imagjinare, bota e fiksionalizuar në të, ka një poentë dominonte: fisnikërimin e jetës së njeriut, përsosmërinë morale të saj. Çdo shtresë që gërshetohet në strukturën e veprës, kur më pak e kur më shumë, ka për qëllim spastrimin e “kancerit” nga trupi i “traditës” sonë dhe ngritjen e vetëdijes sonë në raport me institucionin e martesës… Në roman sikur del fotografia që stereotipizon veset dhe virtytet e një shtrese të popullit tonë, me pasojë moralin korrigjues për të parin dhe haraçin për të dytin.

Qëllimi, shqetësimi i romancierit është i qartë, i mbarsur me një sens të fortë moral: ndërgjegjësimin e opinionit lexues për temën që trajton. Si askush tjetër, romancieri, siç u tha, jo vetëm vëzhgues i ngjarjeve, duke mbajtur korrigjimin në majën e lapsit të tij, depërton në “misteret” e jetës. Ngjarja zhvillohet në një zonë rurale, pothuajse të palëvizur në kohë, duke iu nënshtruar zakoneve dhe praktikave “tradicionale” shoqërore, të pavëmendshme për impulse modernizuese. Në këtë kontekst, duke prekur në kodet shoqërore, romani nxjerr në dukje krizën e thellë të vlerave etike, sociale, kulturore dhe shpirtërore të shoqërisë sonë, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, martesa merr një rëndësi kapitale, thelbësore në roman: është strumbullar i veprës, rreth së cilës sendërtohet krejt narracioni. Ajo shfaqet si një institucion themelor dhe fillestar, dhe si e tillë është pjesë e një aspirate më të gjerë të autorit që ka të bëjë me nevojën për të “rrëfyer- ndërtuar-shpërfaqur” konceptin e qartë për martesën dhe familjen.

Pa dyshim, autori përmes romanit, në të cilin kulti i ndershmërisë dhe moralit bashkëjetojnë me intrigat, spekulimet… provon të ushtrojë një ndikim më të madh në moderimin e zakoneve. Narracioni, që nxjerr në pah kufijtë e paqartë midis traditës shqiptare – identitetit të saj- dhe shtresëzimeve të mëvonshme, tashmë të mishëruara të një pjesë e popullit tonë, na shpie edhe drejt analizimit të personazheve.

Në personazhin e Teutës janë të kriptuara atributet që pretendon rrëfyesi. E dashur, e bukur, e mençur, e dëlirë, e sinqertë, elegante, Teuta mishëron e shpërfaq vlerat e gruas ideale. Ajo mishëron vlerat morale dhe idetë përparimtare të mbështetura nga zëri narrativ dhe si asnjë personazh tjetër në vepër, shfaq më plotësisht kundërshtimin ndaj ndikimeve të huaja në traditën e mirëfilltë shqiptare. Është më e hapur, më e mprehtë dhe më e drejtë në gjykimin e gjërave. Qëndrimi i saj karshi personazheve të tjera nënkupton përpjekjen, tendencën për të kaluar nga një hapësirë ​​që metaforizon mjerimin (kulturor…) në një tjetër, gjithsesi, civilizuese, ndërkaq, veprimi i saj krejt në fund të romanit, i cili vështirë se do pranohet me mirëdashje nga lexuesi, pa një lexim të thelluar, duhet parë e pranuar në kuadrin e ideve humane që autori ka për njeriun dhe për jetën përgjithësisht. Kështu, martesa nuk duhet të jetë ajo që mendohet përgjithësisht për të, duke i dhënë asaj vetëm atributin e shumimit dhe ruajtjes së specieve. E tillë do të jetë tendenca e shqisave, por ka diçka superiore në aspiratat e shpirtit (të Teutës) që kërkon qendrën e saj në një shpirt tjetër (të Fatlindit), forcuar nga lidhja e shenjtë e dashurisë.

Krejt në fund, mund të themi se vepra është e ngarkuar me një përmbajtje të fortë simbolike dhe si e tillë na bën të reflektojmë dhe të ngrehim një sërë pikëpyetjesh.

Pavarësisht proliksitetit në përshkrimin e mjedisit e të personazheve-analizimit të disa ndjesive të tyre, autori nuk ngelet prapa sa i përket formës artistike të veprës.

Karakteristikë e stilit të romanit është marrëdhënia personazh-mjedis, që funksionon në raport e lidhje varësie.

Dashuri shpresash të thyera, mund të cilësohet si roman për kontradiktat që rrjedhin nga bashkëjetesa e dy paradigmave ideologjike – një tradicionale islame, tjetra shqiptare – si perspektivë, në këtë fillimshekulli. Prandaj, romanin duhet parë edhe si frymë e zë proteste kundër një dukurie që as ka qenë e as mund të jetë e pranueshme në një shoqëri që respekton dinjitetin e njeriut.


 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close