Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë

Në takimin e dytë me palën serbe në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i kujtoi përfaqësuesve të Serbisë nevojën për ballafaqim me të kaluarën, historitë e grave të dhunuara dhe listën me mijëra fëmijë të vrarë e të zhdukur nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Presidenti serb refuzoi t’i pranojë nga kryeministri i Kosovës tri librat në këtë takim, pas së cilit, Kurti shkroi se mosnjohja e të kaluarës kriminale të Serbisë dhe mosnjohja e Pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë. Qasja e Kurtit në këtë takim po vlerësohet e duhur nga njohës të procesit të dialogut dhe ata që merren me drejtësi tranzicionale e zbardhje të fatit të personave të zhdukur.

Lidhur me takimin e fundit në Bruksel, njohësi i politikës së jashtme, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike e Politike, thotë se Serbia nuk duhet të kursehet nga e kaluara e saj kriminale, por sipas tij, qasja e Kosovës në bisedime duhet të jetë gjithmonë e baraspeshuar me kërkesën e partnerëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Fetahu: Kosova nuk ka pse t’i fsheh krimet e Serbisë nga asnjë proces dialogues

“Ballafaqimi me të kaluarën është një qasje e mirë e Kosovës, për këtë arsye as Vuçiq nuk duhet të kursehet nga një gjë e tillë, dhe Kosova nuk ka pse t’i fsheh krimet e Serbisë nga asnjë proces dialogues, por thelbi besoj qëndron, dhe shqetësimi, ne ende nuk kemi informacion se a janë këto kërkesa dhe a është gjet balanci i duhur i palës kosovare me partnerët ndërkombëtar, në këtë rast me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës[…]Ne përpos që duhet të tentojmë ta bëjmë përgjegjëse Serbinë për krimet që i ka bërë në të kaluarën, edhe për ballafaqim me të kaluarën si tërësi, duhet ta kemi këtë koordinimin dhe të shohim a jemi në pikëngjizje me partnerët ndërkombëtar, ShBA-të dhe Bashkimin Evropian, dhe se si kjo qasje e jona a mund të shkaktojë ndonjë polemikë apo ndonjë lloj averzioni me partnerët ndërkombëtar”, thotë Fetahu.

E kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti thotë se me të drejtë kryeministri Kurti i ka përkujtuar Serbisë që nuk mjafton zbardhja e fatit të personave të zhdukur, por nevojitet edhe dalja para drejtësisë e atyre që kanë bërë kidnapimin dhe zhdukjen e tyre.

Hoti: Kryeministri Kurti me të drejtë i ka përkujtuar Serbisë kryerjen e gjenocidit në Kosovë

“Konsideroj që kryeministri me të drejtë i ka përkujtuar Serbisë që është ajo që ka bërë gjenocid dhe jo vetëm në luftën e fundit. Konsideroj që kryeministri me të drejtë i ka përkujtuar Serbisë që nuk mjafton vetëm zbardhja e fatit të personave të zhdukur por duhet të vihen para drejtësisë edhe ata persona që kanë kryer kidnapimin dhe zhdukjen e këtyre personave dhe natyrisht pastaj, që është çështje e drejtësisë dhe jo e jona. Me të drejtë kryeministri ka kërkuar që të bëhen edhe reparacionet e luftës së fundit në Kosovë”, thotë për KosovaPress, i biri i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti.

E sipas drejtorit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, kjo ishte lëvizje taktike e kryeministrit Kurti, e ndërlidhur me propozimin e tij për ballafaqim me të kaluarën.

Blakaj: Librat që Kurti ka përmendur në takim janë në funksion të rëndësisë për ballafaqim me të kaluarën

“Ka qenë një lëvizje taktike, një veprim taktik i kryeministrit Kurti. Unë e shoh këtë në ndërlidhje me propozimin e tij që gjithashtu në njërën prej dokumenteve e ka përmendur ballafaqimin me të kaluarën. Ndërsa besoj që këto libra kanë qenë në funksion të asaj, të rëndësisë që palët të zotohen që të ballafaqohen me të kaluarën dhe sigurisht ka dashur që të dëshmojë që Serbia ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë. Mirëpo njëri prej publikimeve kishte të bëjë edhe me të kaluarën e largët pra me largimin me forcë të shqiptarëve nga rajoni i Serbisë, mendoj që ky ka qenë një element taktik i kryeministrit Kurti”, thotë Blakaj.

Takimi i kryeministrit Albin Kurti me palën serbe i mbajtur në fillim të kësaj jave ishte takimi i dytë me radhë, pas së cilit shefi i ekzekutivit kosovar tha se janë të gatshëm për takime e biseda konstruktive.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close