Zaev, Vuçiq e Rama në Forumin ekonomik rajonal në Shkup

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të takohen të enjten në Shkup në kuadër të Forumit ekonomik për bashkëpunim rajonal, por edhe asaj që deri tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik, por që tani do të marrë një emër të ri.

Në takimin e tre liderëve të rajonit nuk do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit, pasi sipas tij, rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe jo nismave që sipas kryeministrit të Kosovës, janë të dëmshme për shqiptarët.

Para Forumit ekonomik, kryeministri Edi Rama, së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq janë pritur nga kryeministri Zoran Zaev duke bërë një shëtitje në sheshin e Shkupit dhe me këtë rast, Rama ka komentuar edhe vendimin për ndryshimin e emrit të nismës së Shengenit, duke lënë të kuptohet se kjo po bëhet pas kritikave të kryeministrit të Kosovës, Kurti.

Rama tha se nuk beson se edhe ndërrimi i emrit mund të çojë në kapërcimin e dallimeve.

“Shengeni rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e BE-së, pra korniza e katër lirive të BE-së: lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit. Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri dhe është menduar që të ketë një emër tjetër, thjesht si nisëm, unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prapë me emrin, nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë”, ka deklaruar kryeministri Rama në një deklaratë për Top Channel.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq takimin me Ramën dhe Zaevin e ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm për bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit.

“Ky është një hap i madh për të ardhmen. Bashkëpunimi politik dhe mes njerëzve sjell stabilitet dhe shumë gjëra të rëndësishme për të ardhmen e rajonit”, është shprehur Vuçiq.

Presidenti serb ka deklaruar se marrëveshjet kanë të bëjnë me “agjendën e gjelbër” në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të tërheqin më shumë investime dhe të krijojnë një treg të përbashkët”, ka thënë Vuçiq në një postim në Instagram.

Tre liderët Zaev, Rama dhe Vuçiq, në kuadër të forumit do të nënshkruajnë dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.

Marrëveshja parasheh ndërtimin e “korsive të shpejta” në pikat kufitare për kalimin më të shpejtë të njerëzve nga shtetet e rajonit. Ajo përmban edhe dispozita për sa i përket thjeshtimit të formaliteteve për importin, eksportin dhe lëvizjen përkatësisht transitin e mallrave; bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente; si dhe dispozitat e veçanta për sigurinë e ushqimit, çështjet veterinare dhe fitosanitare dhe lëvizjen e lirë të produkteve industriale joushqimore.

Marrëveshja e bashkëpunimit për mbrojtje dhe shpëtim nga katastrofat në Ballkanin Perëndimor dhe Memorandumi i mirëkuptimit për lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, dalin nga Nisma për bashkëpunim të avancuar ekonomik rajonal mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

Dokumentet paraqesin funksionalizimin e iniciativës për të përmirësuar kushtet në lidhje me shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, si dhe iniciativën për bashkëpunim mes vendeve në drejtim të mbrojtjes dhe shpëtimit nga katastrofat.

Forumi i Shkupit për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga dhomat e tregtisë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë ka mbledhur më shumë se 300 kompani nga këto tri vende, si dhe ekonomi të tjera rajonale dhe evropiane, por edhe përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, universiteteve, delegacioneve dhe shoqatave ndërkombëtare.

Shumica e kompanive janë nga sektori i ndërtimtarisë, agro-ushqimit, energjisë, makinerisë, industrisë së automobilave, tekstilit, turizmit, programimit, telekomunikacionit, transportit e fushave tjera. Në kuadër të forumit janë mbajtur edhe takime të shumta të biznesmenëve nga rajoni ku janë shkëmbyer pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit ekonomik./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close