PERLA TË FOLKLORIT TË SMOKTHINËS

Çdo fshat i Lumit të Vlorës, si dhe i Labërisë në tërësi, disponon një madem të madh të këngëve popullore. Këtu kuptohet- të teksteve, jo të aspektit muzikor të tyre. Këto këngë pasqyrojnë ngjarje të hershme, të kohëve të ndryshme historike si dhe të dekadave e ditëve tona. Kanë shumëllojshmëri tematike, ku spikat ajo historike, e qëndresës për liri nëpër shekuj. Gjithashtu pasqyrohet qerthulli i madh i këngëve të lirikës intime, si një pasuri e madhe kulturore e krijuesve popullorë. Vijohet më tej me temat e këngëve gazmore (humoristike), ato të dasmave, kurbetit, etj.

Folklori i Smokthinës hapet me një këngë të gjysmës së parë të shekullit të 15-të. Ajo titullohet “O Çipin përmbi Smokthinë”. Bën fjalë për kryengritjen e forcave luftarake të popullit të këtyre anëve në vitet 1433-1434, pra, rreth 600 vjet më parë, nën udhëheqjen e kapedanit të famshëm kaninjot, Gjergj Aranitit. Më vonë ai u bë vjehërr i Skënderbeut. Kënga thotë:

O Çipin përmbi Smokthinë,
Palla labe bën kërdinë;
Prinë pallë Araninë.
Kërmë e madhe e atij viti,
Prin në ballë Araniti.
Ato male veshur shkëmb,
Asqer’ i turkut u shemb.

Të bën përshtypje jo vetëm informacioni i vargjeve, por edhe forca figurative e tyre. “Ato male veshur shkëmb”- një perlë metaforike, që jep pamjen e ashpër gjeografike të tyre- aleatë të luftëtarëve për liri. Aty hordhitë pushtuese gjenin vdekjen.

Kjo këngë është nga më të hershmet e folklorit të këtyre zonave të Vlorës. Ajo vjen pas këngës së Rugjina Balshaj, ish- princeshë e Kaninës, në çerekun e parë të shekullit XV. Kënga e Aranitit është pasqyruar edhe në përmbledhjen e folklorit të Himarës.

Një tjetër këngë e Smokthinës është e mesit të shek. XIX. Ajo i kushtohet një trimi të ri smokthinjot, i cili ra kundër turqve, në vitin 1847, në Armen të Vlorës. Aty erdhi një kolonë e madhe armike, për të mësyrë në Lumin e Vlorës, ku kapedani Zenel Gjoleka udhëhiqte kryengritjen e madhe të atij viti. Në ndeshje me turqit ra djaloshi smokthinjot Sulo Meçorrapaj (nga Matogjini). Gojëdhëna thotë se ai ishte shumë i bukur, sa që “edhe vendi dhe prralli merrnin dritë nga drita e tij”. Shokët arritën aty, e panë dhe u trishtuan shumë. Si i vra ky djalë…kaq i bukur! Vargjet e përjetësuan në një portret të rrallë:

Vjen asqeri radhë- radhë,
Ç’u hodhën në Armen parë;
U vërvitën trimat tanë,
Po një djalë mbeti i vrarë!
Gjithë pyetën e thanë:
-Vallë i kujt është ky djalë?
Nga ka mbirë e ku ka rarë?
Nga qielli a ç’ ka të ngjarë?
I Bajram Muços-ë thanë,
Sulo trëndafil i bardhë.

Portreti është pikant. Jep habinë, dhimbjen dhe trishtimin për vdekjen e djaloshit, i cili “fekste nga bukuria”. Ky trëndafil i bukur “veç nga qielli mund të ketë rarë”. Figuracione të tilla janë brilante.

Eposi i 1920-tës ngërthen një numër të madh këngësh edhe në Smokthinë. Ato flasin për vendet e luftimit, heronj e dëshmorë, trima e patriotë. Por nga qerthulli i gjerë i tyre veçohet njëra, për forcën e përshkrimit, detajet e informacionit, kumbimin epik. Mbrëmjen e 5 Qershorit, te Rrapi i Gurrave, në Smokthinë, në shpatin e malit të Tartarit, u mblodh Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare.

Aty vendosën që, të nesërmen, në datën 6 Qershor, të sulmohej garnizoni italian i vendosur në Kotë. Anëtarët e pyetën Osman Haxhiun se nga do t’i vendosin forcat e Smokthinës (Shullërit) në rrethimin e atij garnizoni. Ai u tha që t’i vendosin nga pozicioni më i vështirë (mefkia më e rëndë), se smokthinjotët janë trima, të zotë. Dhe ashtu u bë. Kënga përjetësoi:

Llafos kuvendi Osmënë:
-Nga do ta shkojmë Shullënë?
-Nga mefkia më e rëndë,
Se ka djem punëra-bërë,
Djem e pleq palla-gjërë.
Majave ç’u bënë kërmë,
Kur i qan e zeza nënë:
O djem , qysh u kanë bërë!…

Vjershë monokolonë, përshkrim i hollë, detaje rrëqethëse. Nënvizim tiparesh heroike. Dhe ja perla figurative: “Se ka …djem e pleq palla-gjërë”! Nuk e merr mjetin e luftimit nga gjatësia, por nga gjerësia! Si në eposet legjendare! Palla këtu përgjithëson armën tradicionale. Merr dritën e shekujve. Të tillë fantazi ka përdorur rapsodi për të theksuar trimërinë e luftëtarëve. Dhe pastaj jepet kuadri prekës i elegjisë së betejave, plot lot nga nënat: “Kur i qan e zeza nënë/ O djem, qysh u kanë bërë”! Heroikë, legjendë, trimëri, dhimbje. Për kauzën e drejtë e të shenjtë të lirisë. Perla folklorike ndrit në një metaforë hiperbolizuese, dehëse…

Dhe e fundit këngë, për këtë trajtesë. Ajo është e sferës lirike,- këngë dashurie. Titullohet “Bejkë, shashaqe mëllënjë”. Kontrasti është i mahnitshëm: vajza është e bardhë- bejkë, ndërsa flokët ose vetullat i ka të zeza. Kjo bukuri e ka dehur të vluarin. Dhe zhvillohet dialogu:

-Bejkë, shashaqe mëllënjë,
Mbi shtëpi të shkova prëmë,
Pse s’e keshje lidhur qënë?
-Nuk më la e zeza nënë,
O pëllumb nëpër shkëmbënjë…

Vjersha (kënga) ka vetëm pesë vargje. Por një valë të tërë poetike. Një vlim, zjarrmi, hov e dert. Vasha nuk e kishte lidhur qenin. Se nuk e la e ëma. Ajo nuk e dinte dertin e së bijës, e, megjithatë, vajza i thotë epitetin “e zeza”, jo për qortim, po më tepër si pasthirrmë, për brengën e saj. Se nuk do takonte atë- të dashurin, i cili digjej si pishtar, aty, sipër shtëpisë.

Tre kontraste ndritin në këto pak vargje: “bejkë dhe mëllënjë”, pra, fytyra e bardhë dhe floku i zi i vajzës; “e zeza nënë”, dhembshuria e kujdesi për bijën, ndërkohë, pengesa e takimit të vajzës me djalin e zemrës; dhe i treti: “o pëllumb nëpër shkëmbënjë’- qenia e butë, fluide dhe e paqme e pëllumbit- me peizazhin e ashpër të shkëmbinjve,- kontrast i beftë e i mahnitshëm ky, në relievin e maleve të Smokthinës. Heshtja e vargut është gjëmuese në ndjenjë.

Pesë vargje, të qetë, të shtruar, nga ato meloditë që të shpien në parajsën e ëndës, sipër e bri maleve… Të lëçitura aq ëmbël në melosin meditativ të smokthinjotçes, aq e dallueshme kjo në gjithë repertorin e pafundmë lab. Sa e sa perla të tilla ndritin në eposin e teksteve dhe këngëve labe./Idajet Jahaj

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close