PLOJA E NATËS NË DEÇAN

Teki Dervishi

Pas ushtarëve erdhën ikonografët me brusha, për të pikturuar “Pamjen” që paraqet një vajzë shtatëvjeçare, duke qëndruar në këmbë, në këmishë nate, në terrin e dhomës, midis trupave të masakruar të prindërve, vëllezërve dhe motrave të saj.

Cili terr i mesnatës mund të paraqitet në pikturë
Pa hijen e domosdoshme të dritave diskrete
Edhe dhomës i mungon dritarja edhe qiellit yjet
Kur ata që shohin me sytë tanë tashmë janë të vdekur.
Ata janë në paqe me vetveten: as afër s’janë as larg
Një dritë mendimi mund të bëjë tufë spektri violet
Aq sa ta paraqesë figurën vertikale të Hanës shtatëvjeçare
Merrni me mend dritat që i japin pamjet e ëndrrës
Në të cilën ju vret me thikë pas shpine ulërima e shtazës.
Piktura të përjetëson në këmbë duke qëndruar njëmijë vjet
E rrethuar nga trupat e prindërve të saj të masakruar
Me cilat këmbë do të largohet ajo hapësirës pa horizont
Shkallëve tatëpjetë si do t’i kapërcejë lumenjtë aheron.
Cila ujkonjë e pyllit të egër do t’i japë sisë
Me ç’gjuhë do t’i flasë Liria kur ajo t’i zbret nga mali
Në qytetin e dritave kristale, yje të natës në verë
Gjuha e tmerrit, gjuha e vetmisë, gjuha e kobit të zi
Është heshtja e të masakruarve që ikin në sferat e tjera.
Kaq shihet piktura me dritën e mendjes shumë statike
Thotë Profeti i Xhibranit, “kur ti nuk banon në tmerr
atëherë jeton me gojë, me fjalë. Zëri të bëhet lojë”
Pamja e masakrës në kafazin e fjalëve krahët i hap
por nuk mund të fluturojë atje ku janë të vdekurit tanë

Po vijnë sharlatanët, politikanët, vëzhguesit, monitorët, humanitarë, mjekët pa kufij, zyrtarët e Bashkësisë Evropiane, rusët dhe kriminelët e tjerë. Nuk i la policia piktorët, kompozitorët, poetët, profetët – që të hyjnë në Banesën e Hanës shtatëvjeçare, ta pikturojnë duke qëndruar në këmbë pranë kufomave të prindërve të saj të masakruar.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close