KUSH E FINANCOI “DOKTOR ZHIVAGON”!

Megjithëse pa dijeninë e autorit, CIA mundësoi publikimin në rusisht të kryeveprës së Boris Pasternak, duke i dhënë mundësinë këtij të fundit të kandidohej për Çmimin Nobel në Letërsi, në vitin 1958. Një libër i ri premton një kthesë intriguese në fabulën

Në një prej episodeve më të neveritshme në historinë e letërsisë ruse, persekutimi sovjetik i Boris Pastërnakut, autor i “Doktor Zhivago”, një historian rus ka injektuar një copëz të vonuar intrige: Shërbimi Sekret Amerikan, CIA në rolin e financuesit të fshehtë të botimit në rusisht të romanit epik.

Në librin e tij, në proces botimi, Ivan Tolstoj, i cili është gjithashtu një spiker për Radio Liberty dhe Radio Evropa e Lirë, shkruan se CIA kishte siguruar në mënyrë të fshehtë publikimin e një edicioni të kufizuar në gjuhën ruse të “Doktor Zhivago”. Synimi i këtij financimi ishte për të ndihmuar Pasternakun të fitonte atë vit Çmimin Nobel në letërsi. “Romani i Pasternakut u shërbeu Shteteve të Bashkuara si një mjet për t’i dhënë një mësim Bashkimit Sovjetik”, shprehet Tolstoj gjatë një interviste telefonike për Uashington Post. Sipas Tolstojit dhe familjes së Pasternakut, romancieri nuk kishte asnjë dijeni për veprimet e CIA-s. Libri i tij, bazohet mbi më shumë se një dekadë kërkimi dhe pritet të publikohet këtë vit, i cili përkon me 50-vjetorin e publikimit të “Doktor Zhivago”.

Roli i CIA-s në printimin e një edicioni rus ka vite që përflitet në qarqet letrare. Tolstoi ofron për herë të parë një përmbledhje të detajuar, të asaj që mund të cilësohet si episodi kurorëzues i një Lufte të Ftohtë kulturore, gjatë së cilës agjencia kishte financuar në fshehtësi revistat letrare dhe seminaret në Evropë, në një përpjekje për të kultivuar ndjenjat anti-sovjetike mes intelektualëve.

Një prej zëdhënësve të CIA-s ka deklaruar se agjencia nuk ka asnjë koment mbi shkrimet e Tolstoit. Sipas historianëve, dosjet e kësaj agjencie mbi operacionet në Evropë, vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura. Një përfaqësues i Akademisë Suedeze, i pranishëm në bordin përzgjedhës të fituesve të Çmimit Nobel për Letërsinë, ka deklaruar se materialet me diskutimet e brendshme të këtij komiteti janë të vulosura për 50 vite.

Dosja e Pasternak nuk do të mund të bëhet publike deri në vitin 2009. Lidhja me CIA-n ka shqetësuar familjen e Pasternak si dhe ka krijuar një armiqësi me Tolstoin, i cili është nipi i një romancieri të famshëm të epokës sovjetike, Aleks Tolstoi.

“Ky është një detaj, i cili nuk ia vlen as të përmendet”, ka deklaruar Ivgjeni Pasternak, djali 84-vjeçar i autorit dhe botues i një përmbledhjeje me veprat e tij. “Unë deklaroj me siguri se babai im nuk ka pasur asnjë dijeni rreth kësaj loje. Nuk ka asnjë dyshim se ai do ta kishte fituar gjithsesi atë çmim”.

Pasternak, një poet i famshëm, e përfundoi “Doktor Zhivago” në vitin 1955. Ai ia paraqiti romanin Shtëpisë Botuese për publikim. Historia e një burri të ndarë mes dy dashurive në sfondin e Revolucionit Rus u refuzua.

Por dokumentet sovjetike të publikuara në vitin 2001 tregojnë se ky roman ishte injoruar krejtësisht edhe në formën e një dorëshkrimi. “Romani i Boris Pasternak është një shpifje dashakeqe kundër BRSS-së”, do të shkruante Ministri i Jashtëm Sovjetik, Dimitri Shepilov në një memorandum të gushtit 1956, drejtuar anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste. Ndërkohë që në një memorandum të sajin, KGB-ja ofronte opinionin se, “tiparet kryesore të veprës së tij bien ndesh me jetën sovjetike dhe kremtojnë individualizmin”.

Të tjera dokumente sovjetike tregojnë se KGB-ja kishte dijeni për faktin se Pasternaku po kërkonte ndihmë nga jashtë për publikimin e romanit dhe se ishte afër arritjes së një marrëveshjeje me publicistin italian, Xhianxhakomo Feltrineli për publikimin e veprës në italisht.

Gjatë muajve që paraprinë publikimin e tij në përfundim të vitit 1957, autoritetet sovjetike u bënë thirrje komunistëve italianë t’i kërkonin Feltrinelit, i cili ishte gjithashtu një komunist, të mos vazhdonte me publikimin e librit.

Paskëtaj, Feltrineli i dërgoi Pasternakut një telegram ku i deklaronte tërheqjen e tij nga publikimi. Por, sipas një korrespondence të zgjeruar mes të dyve, të cituar në kujtimet e të birit të Feltrinelit, Karlo, Pasternaku vazhdoi t’i dërgonte publicistit italian telegrame ku i kërkonte botimin e librit pavarësisht gjërave që autoritetet mund të kishin thënë në drejtim të tij.

Në fillim të nëntorit 1957, vetëm disa ditë pasi Feltrinelli kishte marrë një letër nga Pasternak, i cili e qortonte për mungesë mirësjelljeje, Pasternak i shkroi publicistit italian një letrë të fshehtë duke i deklaruar kënaqësinë e tij, që italiani nuk ishte “gënjyer nga këto qortime brutale që mbanin firmën time, një firmë e marrë me forcë dhe mashtrim”. “Shumë shpejt ne do të kemi një Zhivago italian, francez, anglez dhe gjerman – dhe ndoshta një ditë një Zhivago rus!”.

Pasternak ishte kandiduar për Çmimin Nobel për poezitë e tij çdo vit gjatë periudhës 1946-1950. Romani, i cili pas publikimit në italisht u botua edhe në anglisht dhe frëngjisht, pati një jehonë të madhe ndërkombëtare, duke ngjallur interesimin për Pasternakun, si një laureat potencial i këtij çmimi. Në vitin 1958, ai u dominua sërish për çmimin nga fituesi i një viti më parë, shkrimtari francez, Albert Kamy.

Por, sipas Tolstoit ende nuk kishte një botim në gjuhën ruse të Zhivagos. Ndërkohë që rregullat e Akademisë Suedeze kërkonin që veprat kandiduese të paraqiteshin në versionin e tyre origjinal. Shumë shpejt një “Zhivago” rus do të shfaqej përpara Komisionit të Vlerësimit, duke mbajtur emrin e Feltrinelit si botues. Por shtëpia botuese italiane nuk ishte publikuesi i vërtetë.

Në kujtimet e tij, Karlo Feltrineli shkruan se, babai i tij kishte dyshuar për ndërhyrjen e CIA-s në botimin pirat të veprës. “Agjencia e kishte fotografuar dorëshkrimin e daktilografuar në aeroportin e Maltës, ku avioni i Feltrinelit kishte ndaluar në një ulje emergjence”, shkruan Feltrineli i ri në librin e tij, “Feltrineli: Një histori pasurie, revolucioni dhe vdekjeje të dhunshme”.

Sipas Tolstoit, në vitin 1958, mes atyre që kërkonin një kopje të kësaj vepre të shkruar në gjuhën ruse,ishte edhe Nikolai Nabokov, sekretar i përgjithshëm i Kongresit për Lirinë Kulturore. Kjo organizatë, me bazë në Paris, do të ekspozohej në vitin 1960 si mjeti udhëheqës i përpjekjeve të CIA-s për të fituar simpatinë e intelektualëve anti-sovjetikë në Evropë.

Tolstoi deklaron se kishte gjurmuar emigrantin rus që kishte radhitur librin, kishte gjetur gjithashtu edhe shtëpinë botuese që e kishte shtypur atë si dhe kishte intervistuar ish-agjentë të CIA-s për të zgjidhur një rrjet sekretesh që fshiheshin pas publikimit të këtij libri.

Sovjetikët nuk kishin asnjë dyshim se shkrimtari përkrahej nga promotorë perëndimorë. “Në verën e vitit 1958, amerikanët nisën një fushatë të fuqishme që Pasternaku të fitonte çmimin Nobel”, shkruhet në një memorandum zyrtar të KGB-së për Komitetin Qendror të Partisë Komuniste. Pasternak e fitoi çmimin Nobel më 23 tetor të vitit 1958 me motivacionin, “për arritjet e shquara si në poezi ashtu edhe në fushën e traditës së madhe ruse të narratives”.

“Pafundësisht mirënjohës, krenar, i mallëngjyer dhe konfuz” do të shkruante Pasternak në një telegram të shkruar nxitimthi për Akademinë Suedeze. “Lumturia e tij zgjati vetëm pak orë”, rrëfen i biri i Pasternak, Ivgjeni.

Autoritetet ruse shpërthyen shumë shpejt në një breshëri sulmesh mbi autorin e sapo vlerësuar. Ai u detyrua të kthente mbrapsht çmimin dhe u përjashtua nga Bashkimi i Shkrimtarëve, ku 29 anëtarë, mes të cilëve edhe të njohur të vjetër, u prononcuan kundër tij. Sipas Tolstoit, Çmimi Nobel e ruajti Pasternakun nga burgu, pasi një dënim i tillë do të kishte qenë shumë i dëmshëm për sovjetikët. Por, ky interpretim kundërshtohet nga djali i Pasternakut. Sipas tij, shëndeti i shkrimtarit, tashmë i brishtë, u rënuda edhe më nga sulmet e autoriteteve. Boris Pasternak vdiq nga kanceri në vitin 1960, në moshën 70-vjeçare.
(Washington Post)

Marrë nga Hejza

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close