RIDVAN DIBRA INTERVISTË/LETËRSINË E VËRTETË E BËJNË INDIVIDËT E SPIKATUR DHE JO GJENERATAT

Për HEJZA-n flet Ridvan Dibra, prozator

Ridvan Dibra (1959), prozator, dramaturg dhe poet, është njëri ndër shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë shqiptarë. Është autor i rreth dyzet veprave të zhanreve të ndryshme dhe konsiderohet përfaqësues i postmodernizmit në Shqipëri. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: “Prostituta e virgjër”, “Nudo”, “Në kërkim të fëmijës së humbur”, Legjenda e vetmisë” etj. Ridvan Dibra është profesor i letërsisë në Universitetin e Shkodrës.
HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?
DIBRA: Pa dyshim që sot po bëhet letërsi. Bile, në jo pak raste edhe cilësore. Kuptohet, duke përjashtuar “amatorët entuziastë” dhe që Ju, padrejtësisht, i emërtoni si shkrimtarë. Unë edhe sot, pas 30 vitesh përvojë krijuese, provoj njëlloj droje e pasigurie kur më quajnë shkrimtar. Por, vepra cilësore po botohen, në poezi dhe në prozë. Para pak kohësh pata përmendur një fakt: botimin brenda vitit 2020 të tri mrekullive poetike: librat me poezi të Sokol Zekajt, Luljeta Lleshanakut dhe Ervin Hatibit. Sigurisht, një ngjarje e shënuar për poezinë e një vendi të vogël si i yni. Shembuj të tillë të përafërt mund të sillja edhe nga proza, sidomos me botimin e disa romaneve cilësorë kohëve të fundit.
HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?
DIBRA: Kjo pyetje duket mjaft komplekse dhe përmban shumë probleme brenda saj. Por, do rrekem t’i përgjigjem disi… Nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur? Më mirë që nuk kemi. Letërsinë e vërtetë e bëjnë individët e spikatur dhe jo gjeneratat. Megjithatë, them se vërehen raste, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, kur krijuesit përpiqen të organizohen në grupe mbi bazën e shijeve e synimeve të përafërta. Por, ju lutem, mos harroni ndikimin e llahtarshëm të “sëmundjeve” të kohës sonë (interneti, rrjetet socialë, telefonia celulare, konsumizmi i shfrenuar, dukja para thelbit etj.) mbi krejt klimën letrare. Nuk mund të krahasohen periudhat kohore që përmendni ju më sipër, me realitetin e sotëm, realitet kameleon, që ndryshon aq shpejt dhe paparashikueshëm. Prandaj dhe nuk i besoj atij “hapi gjigand”, që thoni ju. Qoftë edhe në rrafshin e letërsisë botërore. Në një kënetë vegjetojnë bimë helmuese, kuakin bezdisshëm bretkosat dhe, aty – këtu, harbohen ndoca zambakë me bukuri mahnitëse. Por, vetëm kaq. Jo më shumë. Mos harroni, një situatë e tillë është paralajmëruar shekuj më parë nga Niçe. Në rrethana të tilla, mendoj se nuk duhet fajësuar dhe aq shumë kritika letrare për mungesën e “hapave gjigandë” në letërsi.
HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?
DIBRA: Po, mund dhe duhet të ketë! Bile, prania e saj bëhet domosdoshmëri. Një kritikë jo vetëm profesioniste, por edhe e ndershme dhe qytetare, e cila t’ua thotë të vërtetën në sy amatorëve dhe diletantëve, e cila të mos vihet në shërbim të interesave meskine e të çastit, por t’i shërbejë publikut artdashës. A do ta kemi ndonjëherë një kritikë të tillë? Ku me e ditë…
HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?
DIBRA: Kjo ide e juaja, pra që krijues të spikatur të angazhohen nëpër portale a redaksi elektronike më duket interesante, sepse prania e tyre do t’u bënte jo pak pritë amatorëve e sharlatanëve. Por nuk e di sesa këta krijues do ta pranonin një angazhim të tillë? Koha e një shkrimtari vazhdon të jetë jo pak e çmuar. Kurse me “përkujdesin institucional të shteteve” nuk jam dakord. Ku ndërhyn shteti, letërsisë i zihet fryma.
HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenteve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!
DIBRA: Shikoni, në fillimet e dukurisë që ju përmendni, kam qenë kundër. Disa herë jam shprehur edhe publikisht. Por më pas, duke e gjykuar dhe analizuar “më ftohtë” këtë dukuri, kam ndërruar mendje. Format që ju përmendni më sipër, mund të kthehen në aleatë të librit klasik, librit me aromë letre, duke ndihmuar në përhapjen e tij. Edhe pse një shkrimtar serioz nuk është “mik i kohës në të cilën jeton”, ai s’ka pse ta godasë me kokë murin mes asaj dhe atij. Mjafton ta godasë me veprën e vet. Kurse “vdekjen e librit” mund ta sjellë vetëm ajo çka ai ka brenda, domethënë letërsia e dobët, komerciale.
HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm?
DIBRA: Them se po. Sidomos të botimeve serioze dhe të specializuara për kritikë letrare. Edhe pse janë disa revista në viset shqiptare, që u japin hapësirë shkrimeve dhe studimeve të kësaj natyre. Gjithashtu, bashkohem me ju që përpjekjet e kritikës për të gjetur vend në faqe profesionale a rrjete socialë të profilizuar, duhet të jenë më të mëdha. Dhe kjo arrihet, kur kritikët e studiuesit të zhvishen nga paragjykimet. Duam a s’duam ne, tashmë rrjetet socialë e faqet elektronike janë një realitet në ekspansion.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close