Shtëpia e Bardhë: Urdhrat për vaksinimin janë përgjigjja e duhur

ATSH/ – Këshilltari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Çështjet e Shëndetit Publik, Vivek Murthy mbrojti dje direktivat e reja të Presidentit Joe Biden që u kërkojnë miliona punonjësve të vaksinohen kundër koronavirusit, nën kërcënimin e mundshëm të humbjes së vendit të punës, edhe pse ka kundërshtime të gjera nga guvernatorët republikanë të shteteve amerikane, sipas ”Zërit të Amerikës”.

“Ky nuk është një hap i pazakontë. Kjo është një përgjigje e përshtatshme”, theksoi Murthy për emisionin “This Week” të kanalit ABC.

Me rreth 150 000 raste të reja të infektuarish me variantin Delta të koronavirusit dhe 1 500 vdekje të tjera që regjistrohen çdo ditë në SHBA, presidenti Biden javën e kaluar udhëzoi bizneset me 100 ose më shumë punonjës të vendosin detyrimin e vaksinimit për punonjësit e tyre, ose të kërkojnë që punonjësit t’i nënshtrohen testimit javor për COVID-19, nëse refuzojnë vaksinimin.

Rreth 80 milionë punonjës në mbarë ekonominë amerikane, më e madhja në botë, mund të preken nga udhëzimi i presidentit Biden, duke u kushtuar ndoshta vendin e punës nëse refuzojnë vaksinimet ose testimet.

Presidenti gjithashtu urdhëroi rreth 2,5 milionë punonjës të qeverisë federale që të bëjnë vaksinën, nëse nuk e kanë bërë tashmë, dhe i dha fund një opsioni të mëparshëm që ofrohej për testimin javor nëse zgjidhnin të mos bënin vaksinën.

Disa kompani të mëdha kishin filluar tashmë të vendosnin detyrimin për vaksinimin dhe drejtuesit në bizneset kryesore në përgjithësi kanë shprehur mbështetje për urdhrat e presidentit Biden.

Po,r 19 guvernatorë republikanë, shumë prej tyre kritikë të shpeshtë të presidentit demokrat, kanë kundërshtuar direktivat e tij dhe thonë se po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së padive ligjore.

Një nga guvernatorët republikanë, Pete Ricketts i Nebraskës, tha për emisionin “Fox News Sunday” se urdhrat e presidentit janë një “tejkalim tronditës” i autoritetit të qeverisë kombëtare.

Ricketts tha se ka dëgjuar prej shumë punonjësve, të cilët kanë frikë se do të pushohen nga puna prej detyrimit për të bërë vaksinën.

“Ju nuk duhet të vendoseni përballë zgjedhjes mes mbajtjes së punës apo marrjes së një vaksine në krah. Thjesht ka shumë njerëz që nuk e dinë se çfarë të besojnë edhe pse agjencitë rregullatore federale të shëndetësisë i kanë dhënë miratim të plotë vaksinës Pfizer-BioNTech dhe autorizimin e përdorimit emergjent për vaksinën Moderna, dy vaksinat më të administruara më shpesh ndaj koronavirusit në SHBA’’, theksoi Ricketts.

Ricketts tha se për disa njerëz, hezitimi “është me të vërtetë një rezultat i asaj që kanë bërë (Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve), pasi kanë ndryshuar pozicion për kaq shumë çështje”, të tilla si nëse dikush duhet të mbajë maskë nëse është i vaksinuar dhe në çfarë rrethanash.

“Duhet të jetë një zgjedhje personale (nëse do të vaksinoheni), jo diçka e urdhëruar nga qeveria”, shtoi ai.

Një guvernator tjetër republikan, Asa Hutchinson i shtetit Arkansas, i tha emisionit të kanalit NBC, “Meet the Press”, se “ky është një virus shumë serioz vdekjeprurës, dhe ne jemi të gjithë së bashku në përpjekjen për të arritur një nivel të shtuar vaksinimi të popullsisë”.

Shtetet në mbarë Amerikën rregullisht kërkojnë që fëmijët të vaksinohen kundër sëmundjeve ngjitëse të fëmijërisë. Kërkesa të tilla, tha zoti Hutchinson, “kanë ardhur gjithmonë në nivelin e shteteve, kurrë në nivel kombëtar”. /os/

“Pra, kjo është një marrje e paprecedent e autoritetit nëpërmjet urdhërave federale që në të vërtetë trazon dhe ndan vendin”, tha ai. “Përçan partneritetin tonë mes qeverisë federale dhe shteteve dhe rrit ndasinë në drejtim të vaksinimit, kur ne të gjithë së bashku duhet të përpiqemi të rrisim nivelin e vaksinimit”.

Zoti Hutchinson tha se ai, ndryshe nga disa guvernatorë të tjerë republikanë, mbështet të drejtën e bizneseve individuale për të urdhëruar vaksinimet për punonjësit e tyre.

“Por një urdhëresë federale do të jetë joproduktive”, argumentoi ai.

Muaj më parë, Presidenti Biden përshëndeti atë që dukej se ishte një sukses në rritje në luftën kundër koronavirusit, por varianti delta solli një valë të re shqetësimi, si dhe urdhërat për vaksinimin në vendet e punës që ai firmosi javën e kaluar.

“Delta është një armik i fortë”, tha zoti Murthy për kanalin ABC. “Po na godet me rritje të menjëhershme”.

Por ai tha se zyrtarët e shëndetësisë “e dinë se këto lloj vaksinimesh funksionojnë ” dhe i përshkroi urdhrat e Presidentit Biden si “hapi tjetër” në luftimin e virusit që shkakton COVID-19.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close