Kosova nuk e çon përpara projektin për infrastrukturën e gazit

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, njoftoi të enjten se Kosova nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Rizvanolli tha se vendimi është marrë pasi Kosova “ka nevojë për më shumë informata, për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

Nërkaq, MCC-ja, tha ajo, “ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit”.

“Përballë afateve kohore të MCC-së, ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët, por që gjithashtu e ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, tha Rizvanolli.

Për këtë çështje ajo ka folur edhe dy javë më parë, kur ka paraqitur dilema rreth projektit.

“Kostoja kapitale e investimit është njëra prej këtyre dilemave”, ka thënë Rizvanolli më 17 shtator.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe disa parti opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të pranojë investimin amerikan për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror.

Sipas tyre, Kosova ka nevojë për rritje të diversitetit të burimeve të energjisë elektrike.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close