Biden nënshkruan ligjin që shmang mbylljen e Qeverisë amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nënshkroi legjislacionin për të shmangur mbylljen e Qeverisë amerikane dhe për ta mbajtur atë të financuar deri më 3 dhjetor.

Masa u nënshkrua vetëm pak orë para përfundimit të vitit fiskal, mesnatën e 30 shtatorit.

Biden tha se ligji “plotëson nevojat kritike dhe urgjente të kombit”, përfshirë ndihmën në raste të fatkeqësive dhe financimin e zhvendosjes së “aleatëve afganë në Shtetet e Bashkuara, pas përfundimit të luftës 20-vjeçare në Afganistan”.

Ligji paraprakisht kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve me 254 vota për dhe 175 kundër dhe në Senat me 65 vota për dhe 35 kundër.

“Ka shumë më tepër për t’u bërë. Por, miratimi i këtij projektligji na kujton se puna dypartiake është e mundur”, tha Biden.

“Ky është një rezultat i mirë. Jam i lumtur që e kemi arritur”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.

“Me kaq shumë gjëra për t’u kujdesur në Uashington, gjëja e fundit që i duhej popullit amerikan ishte ndalimi i punës së Qeverisë”, shtoi ai.

Ligji i sapomiratuar bën që agjencitë federale të mos kenë nevojë të mbyllen të premten dhe qindra mijëra punonjës të Qeverisë nuk do të duhet të marrin pushim pa pagesë.

Shqetësim të veçantë, marrë parasysh pandeminë e sëmundjes COVID-19, paraqisnin shërbimet shëndetësore.

Një plan i përgatitur nga Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore zbuloi se deri në 43% e stafit të tij mund të dërgohej në shtëpi në rast të mbylljes së Qeverisë.

Me një krizë të shmangur tani, anëtarët e Kongresit mund të përqendrohen në legjislacionin për rritjen e kufirit të huamarrjes së Qeverisë, para 18 tetorit.

Nëse Kongresi nuk e ngre kufirin e borxhit deri atëherë, sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të arrijnë të shlyejnë huatë – gjë që mund të pasohet me krizë financiare dhe recesion ekonomik.

Republikanët thonë se demokratët i kanë shtyrë përpara agjendat e tyre politike, pasi kontrollojnë Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë, andaj, sipas tyre, ata janë përgjegjës për rritjen e kufirit të borxhit.

Nënshkrimi i projekt-ligjit afatshkurtër të shpenzimeve nga ana e presidentit Biden u jep ligjvënësve kohë për të hartuar dy ligje të tjera të shpenzimeve, që përfshijnë prioritetet kryesore vendore të administratës Biden.

Demokratët, që kontrollojnë edhe Dhomën e Përfaqësuesve, edhe Senatin, po përpiqen të arrijnë marrëveshje në mes tyre për dy projektligje – një që do të shpenzonte rreth 1 trilion dollarë në infrastrukturë dhe një tjetër që do të shpenzonte 3.5 trilionë dollarë për të zgjeruar programet dhe rrjetet sociale dhe për të trajtuar ndryshimet e klimës.

Me shumicën e ngushtë në Kongres, demokratët nuk mund të përballojnë të humbasin shumë vota, nëse duan që agjenda e tyre të shkojë përpara.

Plani për infrastrukturë ka kaluar tashmë në Senat me mbështetjen e dy partive, por demokratët përparimtarë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë kërcënuar se do ta bllokojnë atë, nëse nuk ka një marrëveshje për një plan më të madh të shpenzimeve në skemat sociale.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha fillimisht se Dhoma do të votojë të enjten për projekt-ligjin e infrastrukturës, por demokratët e anuluan votimin më vonë, pasi nuk arritën të sigurojnë mbështetje të mjaftueshme nga ligjvënësit e tyre.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close