PËR POEZINË E VISAR ZHITIT

Luan TOPÇIU

(fragment)

Poezia është liria e paburgosshme. Poeti dëshmon se pikërisht këto zona të shpirtit janë të papushtueshme, ato prodhojnë liri dhe janë liria vetë. As gardianët, as sigurimi nuk mund të burgosin shpirtin e poetit, për fatin e tyre të keq, shpirti i poetit nuk mund të mbyllet. Tekstet, duke qenë se janë të endura (të radhitura, sepse sipas pohimeve të autorit kanë origjinë orale, si vetë gjeneza e vërtetë e letërsisë) në rrethana të skajshme ekzistenciale, nuk kanë shenja artificesh, kërkimesh formale, por burojnë natyrshëm, plot plasticitet, duke u rrekur të thonë të vërteta të mëdha dhe përfundimtare. Kjo lloj poezie nuk ka kohë për poza, modë, trille, gjeste të mistershme e tejet elegante – impaktin ajo e krijon me dëshmitë rrëqethëse, me mesazhin e saj nga “shtëpia e vdekjes”.

Të tilla mesazhe do të dërgonin Dostojevski, Lorka, Sollzhenicini, Stainhard, Mitrush Kuteli, Petro Marko etj. Përpjekja për të thënë gjëra përfundimtare, të formuluara në kushte të skajshme jetësore – dëshmon energjinë e fshehtë e mbinatyrore të poetit. Poezia do të jetë rruga e komunikimit me botën – komunikim i ndaluar, poezia do jetë dashuria – dashuri e ndaluar, poezia do të jetë bota – bota e ndaluar. Poeti nuk niset nga ndjesia e formës, por nga vetë ndjenja. Struktura e tij introvertite, e ndjeshme, e trishtuar, zhvillohet përmes një impulsi rrëfyes, si një protestë dhe një thirrje implicite për ndihmë, me një aspekt emocional bruto, duke u gjendur më pranë rrënjëve të lirizmit. Poeti është i joshur të njohë, të përshkruajë me rigorozitet, shumë nga iluzionet, ëndrrat e veta, vuajtjet e veta – për të mos i lënë të vdesin. Zëri i tij është i thellë, tragjik për atë çka dëshmon.

Goethe fliste për poezinë se është rregullator i imazheve. Poezia e burgut është vetëm njëra anë e poezisë së Visar Zhitit, por pa dyshim, më relevantja në vëllimin “Flatra e mundur”. Përmes këtyre pamjeve të tmerrshme, rrëqethëse, shokante, poeti krijon poezi, art – ashtu siç do të shprehej Majakovski se poezia zëvendëson bukurinë e thjeshtë të vdekjes në një tjetër bukuri. (gsh.al)

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close