PËRÇMIMI INSTITUCIONAL I KULTURËS

Nëse i bëjmë një krahasim zhvillimeve të ndryshme shoqërore në raport me zhvillimet kulturore te ne, sakaq do të dilnim te përfundimi se fatkeqësisht jemi për t’u vajtuar! Nuk mund të thuhet se nuk kemi korniza ligjore për sa i përket jetës së gjithmbarshme kulturore. I kemi, madje janë në harmoni të plotë me kërkesat ligjore evropiane. Strategjitë nacionale për kulturë i kemi dhe janë të mahnitshme në lexim të parë! A kemi mekanizëm kontrollues, mbikëqyrës, motivues, mbi të gjitha, sanksionues kundër sabotuesve të këtyre ligjeve dhe strategjive?

Janë mijëra e mijëra godina banesore, janë qindra mijëra biznese, qindra korporata, qindra institucione shëndetësore, bankare etj. I tërë ky zhvillim në fakt paraqet vetëm “zhvillimin e manipulueshëm”, mundësinë e përfitimeve të mëdha të oligarkëve, por edhe mundësinë e përfitimeve shtetërore nga taksat!

Nga ana tjetër, nuk kemi institucione kulturore rishtas të themeluara! Kemi (bie fjala në Maqedoninë e Veriut) dy-tre teatro private, dy-tre manifestime private, nja dhjetëra shtëpi botuese që përkujdesen për botimin e librit; nuk kemi operë, filarmoni, balet, nuk kemi institucione kërkimore kulturore. Nuk i kemi, sepse kërkojnë kosto të paimagjinueshme, të papërballueshme për buxhetet shtetërore, ndonëse tërë ky harxhim do të mund lehtësisht të përballohej vetëm nga konfiskimi i pasurive të fituara pandershmërisht, nga ndëshkimi i korrupsionit dhe përfitimeve të ndryshme në rrugë joligjore.

Shqipëria dhe Kosova tashmë e kanë edhe Ligjin për sponsorizim të kulturës, rinisë dhe sportit, ligje këto që krijojnë përshtypjen se intenca e shtetarëve tanë është që më shumë të tallen me kulturën se sa ta ndihmojnë! A nuk është ky një përçmim institucional që i bëhet kulturës?! Ky ligj do të duhej të ishte enkas për kulturën, pastaj le të ketë ligje të ngjashme edhe për rininë dhe sportin etj. Sepse, këto ligje gjithëpërfshirëse, nuk kanë ravijëzuar, bie fjala, kufirin në mes të kulturës dhe argëtimi. Së këndejmi, aktivitetet argëtuese-sportive nuk mund të jenë jetë kulturore! Ligjet në fjalë, sponsorëve të aktiviteteve rinore e sportive u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim. Kurse, për aktivitete kulturore kjo zbritje prek vetëm njëzet për qindëshin (20%)! Ligj i ngjashëm ekziston edhe në Maqedoninë e Veriut!

Pse nuk kemi sponsorizim të aktiviteteve gjurmuese-arkeologjike, të repertorit të një filarmonie, të një opere, të një baleti, nuk kemi sponsorizim të një shfaqje teatrale, të botimeve ekskluzivisht të talenteve të reja; pse nuk kemi një ekspozitë të sponsorizuar, nuk kemi koloni artistësh, nuk kemi një manifestim letrar gjithëkombëtar! Sepse, të gjitha këto aktivitete janë elitare dhe nuk u krijojnë kurrfarë përfitimi sponsorëve. Prandaj, sponsorët i kemi të pranishëm më tepër tek estrada argëtuese-zbavitëse, e cila nuk paraqet kurrfarë aktiviteti kulturor. Sepse, një aktivitet i estradës siguron masë të gjerë vizitorësh, ku edhe reklama për donatorin është më masovike, kurse një ekspozitë pikturash mund të sigurojë maksimumin nja 1000 vizitorë! Një libër mund të vërehet se është donuar më së shumti nga nja 30-50 lexues dhe, reklamimi i sponsorit shkon vetëm te ky numër i popullit!

Sponsorizimi i aktiviteteve kulturore, me prioritete të caktuara institucionalisht, do të duhej që “t’i amnistonte” nga tatimet të gjithë subjektet që dëshirojnë të kontribuojnë në jetën e gjithmbarshme kulturore. Shteti ka mekanizma për ta kontrolluar këtë sponosrizim dhe për t’u lehtësuar nga financimi i të gjitha atyre aktiviteteve që ndihmohen nga dashamirët e kulturës! Kjo do të krijojnë një garë ndërbiznesore si dhe një koegzistencë të mrekullueshme biznes-kulturë. Një zhvillim të gjithmbarshëm shoqëror! /HEJZA/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close