Andin Hoti: Politikisht jam në PDK, Kurti nuk më kërkoi të kaloja në LVV

Ai tha se shpreson që është sqaruar kjo çështje edhe prej disa anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

 

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ish-deputeti nga radhët e PDK-së, Andin Hoti, në një intervistë për Telegrafin ka folur për çështjen e të pagjeturve, trajtimin e kësaj teme në dialog me Serbinë, për hapjen e arkivave shtetërore serbe, lajmet e pavërteta në lidhje me fatin e babait të tij, Ukshin Hoti, si dhe për jetën e tij jashtë angazhimit politik.

Andin Hoti theksoi se politikisht vazhdon të jetë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, teksa u shpreh se pozita e tij e tanishme nuk e lejon moralisht të merret me politika ditore.

“E para, për mua të gjitha partitë janë shqiptare dhe ndjehem mirë të bashkëpunoj me secilën prej tyre. E dyta, kam thënë me fillim dhe vazhdoj me e potencu që unë nuk kam lëvizë prej asnjë partie politike, nuk kam aderu në asnjë parti tjetër”, tha ai.

Ai tha se shpreson që është sqaruar kjo çështje edhe prej disa anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Nuk mendoj se shumica e kanë këtë mendim, por disa individë të caktuar, për arsye që unë nuk i di, kanë dhënë deklaratat e tyre. Besoj që e kanë të qartë tashmë. Unë politikisht vazhdojë me qëndru aty ku kam qenë. Pozita që e kam tash nuk ma lejon moralisht me u marrë me çështje politike ditore. Unë merrem me fatin e personave të zhdukur, edhe e kam potencuar që e trajtoj dhe dua ta trajtojë këtë çështje humane”, tha ai.

Hoti, po ashtu tha se e vlerëson faktin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka përmendur mundësinë që ai të kalojë nga PDK-ja në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jam thirr prej kryeministrit Kurti për me udhëheq këtë pozicion krejtësisht human dhe e vlerësoj shumë që kryeministri Kurti ma ka besu dhe e vlerësoj shumë që kryeministri Kurti, as nuk e ka përmend mundësinë që unë të kalojë nga një parti në një parti tjetër”, sqaroi Hoti.

Andin Hoti ka kërkuar unifikimin e spektrit politik, kur është në pyetje çështja e fatit të të zhdukurve.

Ai tha se kur është fjala për këtë temë, duhet të ketë bashkëpunim më të gjerë.

“Unë të gjitha partive politike në Kosovë për fatin e personave të zhdukur kërkoj bashkëpunimin e tyre. Le të bëjnë çka të duan sa i përket politikave të tjera, e atyre ditore. Le të bëjnë çka të duan sa i përket sulmit ndaj kryeministrit apo Vetëvendosjes, por jo kur vjen puna te fati i personave të zhdukur, sepse mendoj se është tema më e ndjeshme në Kosovë dhe kërkon më shumë unifikim, sepse nuk mundet vetëm me një të arrihet ajo”, theksoi Hoti.

Gjatë intervistës, Andin Hoti ka folur edhe në lidhje me hapjen e arkivave shtetërore serbe e për lajmet e pavërteta në lidhje me fatin e babait të tij, Ukshin Hotin, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close