30 vetëvrasje për shtatë muaj

Për shtatë muajt e parë të këtij vitit sipas të dhënave të Policisë së Kosovës kanë ndodhur 30 vetëvrasje. Në këtë periudhë ka pasur 100 tentim vetëvrasjesh, thuhet në dhënat që Policia e Kosovës i ka përcjell.

Përderisa gjatë vitit 2020 ishin raportuar 40 raste të vetëvrasjeve, e në vitin 2019, 31 raste. Rritja e numrit të vetëvrasjeve nga ekspertët e kësaj fushe po shihet me shume shqetësim.

Një prej faktorëve që qojnë në këtë akt ata po e konsiderojnë edhe gjendjen ekonomike që po ndikon edhe në shëndetin mendor të qytetarëve.

Dorentina Podrimqaku nga “Linja e Jetës”, qendër kjo që merret me këtë problematikë, thotë se komunikimi dhe largimi i stigmës lidhur me shëndetin mendor është veprim kyç për ndihmën e personave me probleme të shëndetit mendor.

Madje ajo thotë se kanë arritur që të parandalojnë numër të madh të tentativave për vetëvrasje.

“…ne kemi filluar punën në nëntor të vitit 2019 dhe nga një staf prej 15 personave jemi rritur, prej 66 personave që mundohemi me bë parandalimin e vetëvrasjes. Kjo linjë mundëson që të gjithë personat me telefonuar dhe me biseduar me dikën, ku kemi dashur që me ekzistuar një vend ku mund të bisedojnë lirshëm për problemet e tyre, duke pasur parasysh se sa e madhe është stigma këtu në Kosovë për shëndetin mendor”.

Ajo thekson se Qeveria dhe institucionet duhet të kenë plane strategjike dhe të punojnë më shumë në këtë drejtim.

“Ne gjithmonë kemi pasur probleme të shëndetit mendor, jo vetëm në Kosovë por kudo por pandemia i ka vendos edhe më shumë në pah, dhe poashtu ka tregu se sa e rëndësishme është që Qeveria dhe institucionet me u kujdes me plane strategjike për shëndetin mendor. Është shumë e rëndësishme që krejt ne të bëjmë diçka më shumë rreth shëndetit mendor”.

Si shumë problematike çështjen e vetëvrasjeve dhe situatën e rënduar të këtyre personave po e sheh edhe psikologu Petrit Thaçi.

Madje sipas tij, pandemia e theu rutinën e përgjithshme të shoqërisë dhe krijoi ndjenja të frikës dhe dështimit.

“Nëse shohim nga konteksti i përgjithshëm i faktorëve të shumtë që janë shkaktarë të dukurisë së vetëvrasjes ose së ideve apo tentativave të vetëvrasjes, ku ndër ta bëjnë pjesë shumë fuqishëm edhe dhuna në familje edhe aspektet ekonomike si çështja e punësimit dhe aspektet sociale. Nga krejt kjo pandemia ka vënë në pikëpyetje të gjitha këto, jetën sociale atë ekonomike dhe prezencën e të dashurve tanë duke rrënuar shumë lidhje emocionale”.

Tutje Thaçi theksoi se është shumë e rëndësishme që të krijohen mekanizma institucional dhe ligjor në mënyrë që sa më shpejtë të trajtohen rastet të tilla, raporton EO.

“Përderisa nuk ka mekanizma institucional dhe ligjor që do ta trajtojnë çdo element stimulues të sjelljeve të tilla, siç është punësimi, përfshirja, aspekti i dhunës në familje e të gjitha këto aspekte nëse nuk trajtohen në mënyrë më të gjerë institucionale, atëherë nuk mund të presim me shpresë pozitive që në një të ardhme të afërt do të menaxhohet kjo situatë”, përfundoi ai.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close