Spanjës “i është garantuar” që Samiti i Bërdos do të jetë pa simbole shtetërore

E përditshmja spanjolle nga rajoni i Katalonjës, El Nacional, ka raportuar të mërkurën se presidenti i Qeverisë spanjolle, Pedro Sanchez, është duke marrë pjesë në samitin mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Slloveni, mirëpo këtij vendi i është garantuar që në takime nuk do të ketë simbole shtetërore, pasi Spanja nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ky samit i rregullt, është mbajtur vitin e kaluar përmes video-lidhjes, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa më 2018 në të nuk ka marrë pjesë ish-presidenti spanjoll, Mariano Rajoy, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.

Edhe në takimin përmes video-lidhjes, simbolet që identifikojnë Kosovën si shtet janë shmangur, dhe njësoj pritet të ndodhë edhe këtë vit.

Pjesëmarrësit pritet të flasin me emrat e tyre, pa specifikuar ndonjë pozicion, si president apo kryeministër.

Bashkë me Spanjën, edhe katër shtete tjera të Bashkimit Evropian nuk e njohin shtetësinë e Kosovës: Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia.

Në prag të nisjes së samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se e konsideron të rëndësishme që BE-ja ta qartësojë për vendet e Ballkanit Perëndimor se sa shumë kujdeset për to dhe se blloku evropian është partneri i tyre i preferuar.

Ajo ka thënë se përgjatë viteve është parë se sa kanë përfituar vendet që janë bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se të njëjtën gjë e dëshiron edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj se Bashkimi Evropian përfiton nga procesi i zgjerimit dhe kjo është pjesa më e rëndësishme”, ka deklaruar mes tjerash ajo.

Sipas një deklarate që ka parë Radio Evropa e Lirë, e cila pritet të miratohet të mërkurën, Bashkimi Evropian mbështet perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe “riafirmon përkushtimin e tij për procesin e zgjerimit” të bllokut evropian.

Por, sipas deklaratës, procesi i zgjerimit do të bazohet në reformat “kredibile nga partnerët, kushtëzimi i drejtë dhe rigoroz dhe bazuar në parimet e meritave individuale”.

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close