“MASHTI nuk ka dërguar sasinë e kërkuar të librave nëpër komuna”

Mungesa e teksteve shkollore për disa klasë dhe nivelin parashkollor ka bërë që të ketë ankesa nga prindërit dhe reagime ndaj Ministrisë së Arsimit.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se ka dërguar komisione që të bëjnë vizita nëpër shkolla dhe sipas informacioneve ka pasur raste kur Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave.

Sipas Nagavcit, në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent.

Këtë e ka kundërshtuar kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi i cili ka deklaruar për Telegrafin se mungesa e librave është për shkak se MASHTI nuk e ka dërguar sasinë që i kanë kërkuar.

“Kurse te furnizimi me tekste shkollore për klasat 6-9 komunat kanë formuar komisionet e duhura për pranimin e teksteve shkollore të dorëzuara nga MASHT. Këto komisione kanë kryer punën në mënyrë shumë të mirë, mirëpo librat mungojnë, sepse MASHT nuk i ka dërguar sasinë e kërkuar të librave nëpër komuna”, ka deklaruar Ibrahimi për Telegrafin.

Ibrahimi sqaron se “MASHT ka informuar komunat që nuk do të ketë furnizim me tekste këtë vit për nivelin parashkollor si dhe për klasat 6 deri 9. Për klasat 6 – 9 është kërkuar që tekstet të barten nga gjenerata në gjeneratë. Vetëm për klasën e 7 janë dy libra alternativë të rinj që do të sigurohen nga MASHTI. Dhe për klasën e 8 janë libra të gjithë të rinj që MASHT do t’i sigurojë”.

Po ashtu, nga Komunat është kërkuar që të plotësojnë katalogun me kërkesa për furnizime me tekste shkollore brenda afatit prej 5 ditë.

“Komunat kanë plotësuar kërkesat në katalogjet e parapara të MASHT në afatin e paraparë kohor, dhe është raportuar numri i nxënësve në përputhshmëri me numrin e nxënësve të regjistruar në SMIA të MASHT”, tha Ibrahimi duke shtuar se furnizimi nuk është bërë sipas kërkesës.

“Të gjitha obligimet që burojnë nga legjislacioni në fuqi sa i përket shpërndarjes së teksteve shkollore e që bien në kompetencë të komunave janë kryer në plotni. Për përgjegjësit e veta MASHT nuk mund të fajësoj komunat”, thotë ai.

Tutje ai shtoi se “problemi qëndron në atë që librat e siguruar nga gjenerata paraprake ose janë të dëmtuar apo edhe nxënësit nuk i kanë kthyer në shkolla, që do të thotë mungon një numër i teksteve për klasat 6, 7, 9”.

E po ashtu “numri i nxënësve ndryshon nga viti në vit nëpër shkolla”, thotë Ibrahimi. /Telegrafi/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close