Kryeministri Kurti: Miliardat e BE-së për Ballkanin Perëndimor të ndërlidhen me vlera

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ndarja e dhjetëra miliarda eurove nga Bashkimi Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, duhet të ndërlidhen me vlerat e BE-së.

Në një intervistë për mediumin amerikan “Bloomberg”, në margjina të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni të mërkurën, Kurti ka thënë se ndarja duhet të bëhet duke u bazuar në të dhënat që tregojnë shtetet mbi sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

“Bloombergu” i ka cilësuar thirrjet e Kurtit si të rralla për më shumë mbikëqyrje të BE-së në rajonin që po shihet gjithnjë e më shumë i pakënaqur me ngurrimin e përshpejtimit të procesit të zgjerimit.

“Nuk duhet të ketë fonde të BE-së, pa vlera të BE-së”, ka thënë ai. “BE-ja nuk duhet të heqë dorë nga natyra e saj transformuese, për atë transaksionale”.

Ndonëse Komisioni ka aprovuar 30 miliardë euro (35 miliardë $) për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që do shpenzohen përgjatë shtatë viteve të ardhshme, nuk ka caktuar një datë të saktë për zgjerimin, gjë që kërkohej nga shtetet aspiruese si dhe nga disa shtete anëtare. Kjo ka qenë pika e cila është refuzuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Unë nuk e përkraha caktimin e një date për pranimin e tyre në BE”, ka deklaruar Merkeli që ka shtuar se anëtarësimi duhet të ndodhë me plotësimin e kushteve.

Kjo ka ngritur shqetësimin që qasja e ngadalshme ndaj zgjerimit të BE-së mund të hapë rrugën për rivalët e bllokut meqenëse disa shtete, përfshirë këtu Serbinë, kanë lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

“Është shumë e rëndësishme që këtyre shteteve t’ju bëhet e qartë se sa shumë kujdesemi për ta”, u tha të mërkurën gazetarëve Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Ne jemi partneri i preferuar i tyre”.

Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij që BE-ja për t’u bërë Evropë duhet të zgjerohet me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close