GALERITË E ARTEVE – FARMACI E ILAÇEVE TË SHPIRTIT!

Krijuesit e artit figurativ duhet të trajtohen si një vlerë e pazëvendësueshme kombëtare, për më tepër, sepse janë të po asaj linje që kontribuuan në zhvillimin e mendimit dhe të civilizimi njerëzor që nga parahistoria e deri më sot
Komuniteti që përfaqëson artin figurativ shqiptar (skulptorë, piktorë, grafistë, dizenjerë etj.) pa dyshim që njihen në mes vete, takohen, respektohen, zhvillojnë debate mbi kahet dhe rrjedhat e llojeve të artit, mbi nivelet e artit bashkëkohor shqiptar në raport me artin botëror të sotshëm, etj. Kemi artistë nga zhanret e ndryshme të artit figurativ që i kanë dhënë botës vepra antologjike, kemi nga krijuesit e rinj të cilët në artin botëror kontemporan tashmë po lënë gjurmë të pashlyeshme.
Natyrisht, kjo veprimtari arti është mjaft e kushtueshme, që nga kornizat, pëlhura, ngjyrat, mjetet e ndryshme e deri te përgatitja e katalogëve dhe organizimi i një ekspozite. Ç’është e vërteta, institucionet shtetërore edhe ndihmojnë sadopak në hapjen e ekspozitave nëpër galeritë nacionale përkatëse, në të cilat mund të shijohen eksponatet nga vizitorët brenda dy-tri jave dhe, pastaj, “magazinohen” nëpër atelietë e tyre.
Hapësirat shqiptare shtrihen përtej rrugës, lagjes, qytetit ku gjendet galeria nacionale dhe, çdo ekspozitë do të duhej të organizohej në sa më shumë qytete dhe shpenzimet do të duhej të ishin brengë e rretheve, komunave, institucioneve relevante. Të supozojmë se një pretendim i tillë do të ishte shumë megaloman dhe tepër i kushtueshëm për buxhetet tona! Megjithatë, kemi një trekëndësh Tiranë-Prishtinë-Shkup, apo Shkodër-Prizren-Tetovë, apo Fier-Ferizaj-Gostivar, ose Gjirokastër-Gjakovë-Strugë etj .etj. qendra këto që do të duhej të kishin “shtëpi koloniale” të artistëve tanë, të cilët, nëpër periudha të caktuara do të dislokoheshin togje-togje nëpër vende të veçanta dhe në telajo do të derdhnin gjithë inspirimin e tyre, duke na sjellë, pse jo, prurje kryeveprash. Kësisoj, artistët kombëtarë do të ishin më pranë shijuesve të veprave të tyre dhe, përveçse kësaj, nga çdo koloni do të organizoheshin edhe ekspozitat.
Nga ana tjetër, është koha e fundit që ministritë përkatëse njëra tjetrës t’ia ofrojnë programin e ekspozitave vjetore nga krijues të vendeve respektive. Është e pakuptueshme në këto kohë e kushte që ekspozitat, kryesisht kolektive, t’i kemi vetëm sezonale. Do të kishin vlerë edhe më të madhe sikur ato ekspozita t’i kemi lëvizëse, të organizohen nga një qendër në qendrën tjetër, duke i mbuluar shpenzimet secili institucion i shtetit përkatës, madje që nga sigurimi i veprave, transporti e deri te ekspozimi. Ekspozita e Prishtinës, patjetër që duhet të ekspozohet në Shkup e në Tiranë dhe anasjelltas! Programi i këtyre eventeve duhet të dihet që në fillim të vitit, madje edhe katalogët duhet të jenë të gatshme, si për ekspozitat kolektive ashtu edhe për ato personale. Veprat e një krijuesi të artit figurativ nga Gjirokastra pse të mos ekspozohen në Gjilan, madje pse ato vepra mos të nxirren në ankande si për qytetarët ashtu edhe për institucionet komunale. Të thyhet ai “monopol korruptiv”, i cili një artisti ia mundëson që të gjitha institucionet shtetërore t’i ketë “tezgë personale” ku i shiten si hallvë të gjitha veprat.
Krijuesit e artit figurativ duhet të trajtohen si një vlerë e pazëvendësueshme kombëtare, për më tepër, sepse janë të po asaj linje që kontribuuan në zhvillimin e mendimit dhe të civilizimi njerëzor që nga parahistoria e deri më sot. Niveli i përkujdesit institucional dhe nacional ndaj kësaj shtrese krijuesish, dëshmon për nivelin civilizues të çdo populli. Piktori kombëtar mund të ofrojë kryevepër, por institucionet shtetërore duhet të jenë ato që do ta bëjnë të kapshme, të prekshme, të shijueshme për mbarë popullin, cep më cep ku shtrihet ai!
Kjo shtresë krijuesish heshtin dhe krijojnë, janë të pazhurmshëm dhe pa kurrfarë kërkesash. Heshtin, por një shoqëri e ndërgjegjshme heshtjen e krijuesve të artit figurativ duhet e trajtojë si dhembje të papërballueshme të mbarë shoqërisë. Galeritë e arteve janë farmaci e ilaçeve të shpirtit!/HEJZA/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close