Emergjencë në furnizimin me energji, Rama: Mbrojmë konsumatorët me plan të posaçëm

ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Këshilli i Ministrave mori sot  vendim për të deklaruar emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike, ndërkohë që nesër do të bëhet publik plani i posaçëm për të përballuar këtë situatë”.

Në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, Rama tha se “vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare”.

“Ky vendim i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë, qoftë me instrumente financiare, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative. Kështu që sot me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë”, tha Rama, ndërsa shtoi se “planin do ta bëjmë publik nesër”.

Rama tha se “ne ndërkohë nuk mundet veçse t’ju referohemi analizave të ekspertëve dhe njëkohësisht edhe analizave që po bëjnë qeveritë e vendeve të ndryshme”.

“Është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë, në kuptimin që të gjithë janë të afektuar. Ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme, por të gjithë janë të përfshirë në një arsyetim për se si duhet ta përballim këtë situatë. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me pikun,  kulmin e saj, deri në mesin e vitit të ardhshëm dhe njëkohësisht mendojnë se sidoqoftë edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin. Kjo është për t’u parë”, tha Rama.

Ajo që ne na takon, vijoi ai, “është të mbrojmë konsumatorët tanë me një rend prioritetesh nga poshtë lart, duke pasur parasysh ata më në nevojë dhe pastaj duke shkuar lart përmes biznesit të vogël e më tutje, atyre me të ardhura më të larta”. “Rendi i prioriteteve do të jetë nga më të dobëtit te më të fortët”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se se në situatën botërore të rritjes së çmimit të energjisë, qeveria synon të vendosë një digë mes furtunës që vjen nga tregu ndërkombëtar dhe jo t’i bjerë gjërave shkurt.

Kufizime në energji? Rama: Nuk iu biem gjërave shkurt

Pyetjes nëse kjo situatë do të thotë një dimër pa drita, Rama tha se “nëse do të ishte dimër pa drita do ju thonim bëhuni gati”.

“Ne po diskutojmë të mbrojmë konsumatorët nga furtuna. Jemi këtu për të vendosur një digë mes furtunës që vjen nga tregu ndërkombëtar. Mbyllja e dritave do ishte kollaj fare, po nuk jemi këtu për t’i bërë kollaj gjërat. Po kërkoj që të gjithë të vendosen në pozicionin e shtëpisë së madhe, shtëpisë së përbashkët”, tha Rama.

Kryeministri informoi se “sot, Britania e Madhe po paralajmëron një plan kufizimesh, ndërprerje të energjisë elektrike”.

“Italia e ka rritur 40% çmimin në faturë dhe Mario Draghi tha se ky nuk është çmimi real se subvencionon shteti një pjesë tjetër. Nuk ka ndodhur në Shqipëri, në Tiranë, që të hapen pika për të marrë bukë falas, ka ndodhur në Milano gjatë kohës së pandemisë, radhë të tëra për të marrë bukë falas”, tha Rama.

Kryeministri tha se duhet të jemi realistë dhe të mos harrojmë se një pjesë e madhe, ata që qahen më shumë, janë ata që kanë më shumë të ardhura se çfarë tregojnë.

“Mos ta harrojmë se nëse i besojmë vetëm të ardhurave të deklaruara, shumë gjëra nuk do shkonin siç shkojnë në të vërtetë. Shqipëria ka sasinë më të lartë të kursimeve të depozitave të vogla nëpër banka. Kjo tregon që gjendja është e qëndrueshme”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se “sot Shqipëria është në nivelin më të lartë të eksporteve dhe eksportet i krijojnë njerëzit që punojnë”.

“Për sa kohë jam këtu nuk ka asnjë gjë të mundshme që mund të bëhet për ata që janë në nevojë dhe që ne do lëmë pa e bërë. Nuk ekziston. Por, ajo që nuk bëhet nuk bëhet se ndryshe e bëjmë sot, por nesër gjendemi siç u gjendëm pas rendjes së politikave të Vehbiut e Sudes”, tha Rama.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close