Rregullatori i Energjisë vendos të mos ketë shtrenjtim të rrymës

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur që mos të ketë shtrenjtim të çmimeve të energjisë elektrike për vitin 2021.

Tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri me 1 prill 2022, kur bëhet rishikimi i rregullt çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët e rregulluar (KESCO, KEDS dhe KOSTT).

Ky vendim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është marrë përkundër faktit që çmimi i importit të energjisë elektrike është rritur dukshëm gjatë këtij viti krahasuar me vitet e kaluara.

Vendimi i bordit të ZRrE-së për tarifat e energjisë prill 2021- mars 2022 është marrë në muajin tetor e jo siç zakonisht ndodh në tremujorin e parë të të secilit vit, pasi ky institucion ka qenë pa bord funksional deri në muajin gusht.

Të hyrat maksimale të caktuara për Furnizuesin me Shërbim Universal FSHU/KESCO janë aprovuar në vlerë prej 290.1 milionë euro. Për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) të hyrat maksimale janë miratuar në vlerë prej 38.94 milionë euro, kurse për KEDS të hyrat maksimale janë miratuar në vlerë prej 90.51 milionë euro.

“Këto të hyra do t’u mundësojnë operatorëve kryerjen e funksioneve të operimit në kushte optimale”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ZRrE-ja.

Rregullatori ka treguar se rritja e konsumit të energjisë që rezultuar me rritje të hyrave të KESCO-së ka bërë që mos të ndikohen tarifat e energjisë nga rritja e çmimit të rrymës në nivel global, përkatësisht rritja e çmimit të energjisë së importuar.

“Me aprovimin e këtyre të hyrave, ZRRE ndër të tjera ka marrë në konsideratë edhe rritjen e çmimeve të importit të cilat janë jashtë kontrollit të operatorëve. Megjithatë rritja e të hyrave, si rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, ka neutralizuar kostot e përgjithshme të furnizimit me energji elektrike, prandaj të hyrat e lejuara nuk do të reflektojnë ngritje të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët fundor në vitin tarifor 2021”, thuhet në sqarimin e ZRrE-së.

Përmes këtij vendimi ZRrE-ja e ka marrë parasysh kërkesën e KESCO-së për rritjen e çmimit të energjisë së importuar. Në arsyetimin e bërë nga departamenti i tarifave të ZRrE-së thuhet se kërkesa e KESCO-së është marrë parasysh për dy arsye: është rritur çmimi i energjisë së importuar, mirëpo edhe është rrit kërkesa për energji.

ZRRE-ja ka thënë se çmimi i caktuar për import të energjisë elektrike në vlerë 90 euro për megavat është marrë me qëllim që të jetë sa më afër kostos.

Vlera e caktuar nga ZRRE-ja është më e ultë se ajo që kishte kërkuar KESCO në komentet e dorëzuara në ZRRE duke kërkuar që çmimi i energjisë së importuar të jetë rreth 95 euro për megavat.

“Përderisa total blerjet nga importi në raportin konsultativ parashihen në vlerë prej 5.6 milionë euro, sipas vlerave të parashikuara gjatë vitit 2020, të dhënat aktuale tregojnë se vetëm për muajt janar-korrik blerjet nga importi kanë arritur në 8 milionë euro, me një çmimin mesatar të realizuar prej 77.23 €/MËh. Në këtë kuptim, Furnizuesi ka përditësuar të njëjtët për të reflektuar koston e saktë të blerjeve nga import dhe kërkon nga ZRRE-ja të reflektoj të njëjtën”, thuhet në komentet e KESCO-s.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close