EXLIBRIS, PROJEKT KOMBËTAR

Tash e katër vite në letrat shqipe me një sukses të jashtëzakonshëm është duke vepruar gazeta javore për letërsi dhe kulturë ExLibris, si në format të botuar, po ashtu edhe në atë elektronik! Projektet e këtilla kulturore e kanë shumë të vështirë funksionimin pa mbështetjen financiare institucionale. Megjithatë, ExLibrisi ecë dhe nuk ka asnjë shenjë lodhje!
Gjeneratat më të vjetra të letrave shqipe janë mësuar me gazeta e revista letrare e kulturore, të cilat dikur financoheshin nga shteti. Këto gazeta e revista të standardizuara e të tipizuara kishin redaksi, kishin staf redaksional, kishin buxhet për t’i paguar honorarët e punimeve origjinale, të përkthyera, të paguajnë esetë, recensionet, kritikat letrare dhe çdo profil tjetër që merrej me shkrime nga sferat e ndryshme të artit, letërsisë e, përgjithësisht, të kulturës! Sot nuk janë, ose mezi ia dalin të ekzistojnë në mënyrë periodike!
Sot, si për inat të pengesave të natyrave të ndryshme, del gjithnjë e më e fuqishme, më e kompletuar dhe shumë profesionale, e vetmja gazetë javore shqiptare për letërsi dhe kulturë, ExLibris.
Kjo gazetë është bërë hapësirë për shumë krijues të rinj, krijues nga diaspora, nga viset etnike, që provojnë mjeshtërinë e tyre në shumë fusha të krijimtarisë dhe kulturës. ExLibrisi është bërë “lum i papërmbajtshëm” që po sjell shumë prurje të reja, të fuqishme, vlera që kanë nevojë të prezantohen. Kjo e përjavshme për letërsi dhe kulturë tashmë e ka fizionominë e vet, i ka bashkëpunëtorët e vet, i ka përkthyesit profesionistë, që na sjellin krijimtari nga bota, që na mbajnë në kontakt me rrjedhat botërore të krijimtarisë bashkëkohore, na i sjell mjeshtrit e fjalës së shkruar si nga gjenerata e vjetër ashtu edhe nga të rinjtë, sidomos është bërë promovuese e pakapërcyeshme e krijuesve të rinj.
Botuesi i kësaj gazete për letërsi dhe kulturë, zoti Bujar Hudhri, pronari i Shtëpisë Botuese ONUFRI, ndër më të mëdhatë në botën shqiptare, atë çka e bëri përmes kësaj sipërmarrje me botimin e veprave të MBRETIT të letërsisë shqiptare, Ismail Kadaresë, këtë po e bën edhe me të përjavshmen ExLibris, duke u dhënë hapësirë dhe duke i promovuar krijuesit e rinj nga të gjitha treva tona shqiptare. Në kohë reale ExLibris distribuohet edhe në Shqipëri, edhe këtu te ne, në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut. Nëse nga ONUFRI z. Hudhri paska mundësi të ”fitojë”, ç’fitim material mund të ketë nga kjo gazetë për të cilën shkruajnë shumë publicistë e krijues të profileve të ndryshëm?
Është koha e fundit që ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës, ta ftojnë dhe, në njëfarë forme, t’i vetë-imponohen z. Bujar Hudhrit, t’i ndajnë fond të veçantë, të paktën, për t’ua mbuluar honorarët krijuesve që me vullnet të plotë kontribuojë që për asnjë javë të mos ndërpritet kontinuiteti i daljes së kësaj gazete. Këtu duhet ta zgjasin dorën edhe bizneset shqiptare, të cilët lanë namin duke u reklamuar nëpër programe argëtuese e nëpër spektakle të estradës.
Z. Hudhrit nuk i duhet përkrahje morale, lavdërime e elozhe, siç mund të kuptohet edhe ky shkrim, z. Hudhrit i duhet përkrahje financiare që të ketë mundësinë reale për t’i “shpërblyer” të gjithë ata që dërgojnë materiale krijuese për ta ushqyer shpirtin e popullit tonë!
ExLibris është i pakonkurrentë, unikal në llojin e vet, tepër profesional në misionin e vet, projekt kombëtar rreth të cilit duhet të mblidhen jo vetëm ajka e krijuesve tanë, por edhe institucionet gjegjëse shtetërore dhe ta gëzojnë si projekt kombëtar, i cili duhet ta përjetojë edhe ndihmën dhe përkrahjen kombëtare.
Ne në Kosovë edhe sot e kësaj dite mburremi me misionin e revistës së dikurshme mujore, Jeta e Re, por edhe me gazetën FJALA, pastaj me shtojcën për kulturë të RILINDJES (natyrisht, nuk duhet harruar edhe kontributin e revistës AKADEMIA, revistës SYMBOL etj). Po këtë mburrje e ndjejmë sa herë që e shfletojmë ExLibrisin si gazetë apo si format PDF. Mbase ExLibris mund të mos ketë nevojë për ndihmë popullore e institucionale, por populli dhe institucionet gjegjëse, gjithsesi që duhet të kenë nevojë për ExLibrisin.
ExLibris çdo javë i jep solemnitet shpirtit krijues të shqiptarit. Faleminderit z. Bujar Hudhrit, që po na e falë këtë monument gjigant të letrave shqipe! Nuk është turp që ta falënderojnë edhe institucionet shtetërore për kontributin e paarritshëm që po e bën në kulturën tonë kombëtare! ExLibrisi është i destinuar jo vetëm për jetëgjatësi, por edhe të rritet, të rritet, të rritet në përmasa të së shenjtës!/HEJZA/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close