ZHVLEFTËSIMI I LIBRIT DHE SHKRIMTARIT

Një pyetje, një përgjigje: Lazër Stani
Në njërin nga esetë e librit “Rrugë pa krye” shpreheni: “Trauma e realizmit socialist është duke u tejkaluar me vështirësi, ndërkohë që liria ka mbushur tregun me shkrimtarë që nuk janë.” A mund të na thoni më konkretisht, cilët janë ata që nuk janë shkrimtarë?
Jo vetëm trauma e realizmit socialist, por trauma e socializmit, trauma e diktaturës, është duke u kaluar me vështirësi, nëse është duke u kaluar. Por, edhe këtë jam duke e vënë në dyshim. Nuk e di për shoqëritë e tjera, ndoshta edhe ato e vuajnë këtë, por shoqëria shqiptare, ndihet e kapur në kurthin e të shkuarës. Jam përpjekur t’ia shpjegoj vetes se përse ndodh kjo, përse ne jemi kaq të pazotë të çlirohemi nga e shkuara jonë? Mund të bësh me dhjetëra arsyetime, të gjesh dhjetëra argumente, por prapë përgjigjja nuk është e plotë.
Gjithsesi ne asnjëherë nuk kemi pasur guxim të shkëputemi nga e shkuara. Ngase vjen kjo? Nga frika për të ardhmen, pasiguria e së sotmes, nostalgjia për të shkuarën, bindja se kohët më të mira shkuan e vanë, një retro-preaçing mental i pakorrigjueshëm? Të gjitha këto gjithsesi janë të pranishme. Dhe arsye të tjera sigurisht.
Njëjtë ndodh dhe në letërsi, por kjo është më pak shqetësuese. Dihet se realizmi socialist, më shumë se shkollë letrare, metodë letrare ishte metodë politike, për të kontrolluar krijimtarinë letrare, për ta diktuar atë, duke e vënë në shërbim të një qëllimi politik; manipulimin e lexuesve, skllavërimin shpirtëror të tyre, shndërrimin e njeriut në mostër, sipas projektit më të çmendur politik, atë të krijimit të njeriut të ri. Shkrimtarët dhe artistët konsideroheshin si ndihmës të partisë, në edukimin komunist të masave. Ata që nuk e pranonin këtë status, u hiqej e drejta e botimit, burgoseshin, madje edhe vriteshin, siç ka ndodhur në jo pak raste. Instalimi i diktaturës në Shqipëri filloi me masakrimin e shkrimtarëve. Por kjo është një histori tragjike, pak e njohur për publikun e sotëm, të cilën Arshi Pipa e ka trajtuar gjerësisht. Gjithsesi, për fatin e keq të krijuesve që jetuan në atë periudhë, u botuan me mijëra tituj, që sot kanë vetëm një vlerë; janë dëshmi se deri ku shkoi marrëzia e regjimit diktatorial në Shqipëri. Nga ana tjetër, ai kontigjent krijuesish të realizmit socialist, shfaqet me një fytyrë agresive edhe sot e gjithë ditën. Avokatia për këtë letërsi bëhet me të gjitha mjetet, aq sa kanë pushtuar emisionet kulturore në mediat audiovizive, por dhe në shtypin e shkruar, ndërkohë që në tekstet shkollore kjo letërsi vazhdon të mbizotërojë, si në kohët e shkuara, duke përfituar edhe nga anarkia e krijuar, pas shembjes së diktaturës.
Tregu, i shndërruar në pazar të rëndomtë, e ka zhvleftësuar institucionin e librit dhe të shkrimtarit. Në Shqipëri, edhe botuesit më me emër, botojnë gjithçka, mjafton që për këtë të paguhet. Dhe për fat të keq, nëntëdhjetë për qind e botimeve bëhen me shpenzimet e vetë autorëve, ose me mbështetjen financiare të miqve apo dashamirësve të këtyre autorëve. Më kujtohet një intervistë e Susanna Tamaro-s, ku i këshillonte shkrimtarët e rinj: “Kurrë mos botoni një libër me paratë tuaja”. Nëse shkrimtarët shqiptarë do ta ndiqnin këtë këshillë, atëherë numri i titujve në treg do të ishte shumë më i kufizuar. Megjithatë, edhe për shumë vite, do të vazhdojë kjo katrahurë, çka në të vërtetë, më shumë i bën keq lexuesit se vetë letërsisë. Te lexuesi, krijon hutim, çorientim, ftohje e tëhuajsim me librin. Nga ana tjetër, dihet, letërsisë i mbeten vetëm ato vepra, ato krijime që vërtetë kanë një tharm letrar. (Marrë nga intervista dhënë gazetës “Bota sot”)

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close