Shkencëtarët krijojnë sistemin e pathyeshëm natyror të sigurisë

Gjatë një konference për media, në Gjermani, më 2014, një fotoreporter shkrepi disa fotografi nga afër të ministres së asokohshme gjermane të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, teksa ajo fliste para gazetarëve. Më vonë, një haker, me nofkën “Starbug”, shkarkoi fotografitë me rezolucion të lartë, zmadhoi duart e von der Leyenit, më pas e bëri një riprodhim aq besnik të gjurmës së gishtit të saj, sa për të hapur pajisje digjitale, si telefonin e mençur mobil të ministres së Mbrojtjes.

Marija Mitroviq Dankulov, shkencëtare në Institutin e Fizikës në Beograd, e rrëfen tregimin për “Starbug”-un, për të theksuar dobësinë e sistemeve moderne të sigurisë, përfshirë gjurmët e gishtërinjve, kodet QR, dhe lejet elektronike.

“Aktualisht nuk ekziston ndonjë mjet sigurie që nuk mund të kopjohet”, thotë Dankulov.

Por, fizikania dhe kolegët e saj e kanë gjetur një çelës në natyrë, që ata besojnë se asnjë haker nuk mund ta riprodhojë.

Krahët e fluturave i kanë nja 200,000 luspa të vockla, të renditura si tjegulla çatish. Kushdo që e ka prekur ndonjë flutur apo tenjë do t’i ketë parë këto luspa si “pluhurin” që mbetet në majat e gishtave apo në rroba.

Gjatë hulumtimit të luspave, nëpërmjet mikroskopit tejet të fuqishëm me elektrone, kolegu i Dankulovit, Dejan Panteliq, ka vërejtur një gjë: Brenda secilës luspë të vockël ndodhet një thurimë, një strukturë e rrjetëzuar, e cila është po aq unike sa një gjurmë gishti.

Më 2015, u lind ideja për atë që ekipi i fizikanëve serbë – përfshirë Dankulovin dhe kolegët e saj, Panteliq, Dimitrije Stepanenko, dhe Nenad Vukmiroviq – e quajtën “Teslagram”. Prototipi i sistemit të sigurisë është emëruar sipas shpikësit të madh serb, Nikolla Teslla.

Ideja, siç e shpjegon Dankulov, është që një luspë fluture t’i bashkohet një objekti, dhe më pas të futen detajet e sakta të luspës në një bazë të dhënash, për t’u siguruar që një gjë nuk është kopje mashtruese.

“Le të themi se një muze dëshiron t’ia japë hua një galerie një vepër shumë të vlefshme arti”, thotë Dankulov. “Aktualisht, kur kthehet vepra e artit, muzeu duhet të paguajë një specialist, për t’u siguruar se ajo që është kthyer është vepra origjinale”.

Nëse kjo vepër arti do ta kishte një luspë fluture të bashkëngjitur diku në sipërfaqen e saj, muzeu do të mund të përdorte një “lexues” për të verifikuar se luspa e fluturës përputhet me atë që është regjistruar në bazën e të dhënave për veprën e caktuar. “Barkodet” natyrore janë aq të vockla dhe të ndjeshme, saqë ndryshimi i tyre do të shkaktonte dëme të dukshme. Dhe, meqë luspat janë tredimensionale, kopjimi i tyre është i pamundshëm.

Skenari i muzeut tingëllon si diçka nga e ardhmja, sepse e tillë është. Sot, “lexuesit” e “Teslagram”-ëve – mikroskopë të vegjël por shumë të fuqishëm optikë – janë ende në fazën e zhvillimit, dhe shkencëtarët nga Beogradi kanë ende disa pengesa për t’i kapërcyer, si problemi se si t’i bashkohen luspat objekteve si veprat e artit, në mënyrë që ato të mund të lexohen lehtësisht dhe të mos dëmtohen.

Por, shkencëtarët beogradas i kanë siguruar patentat për teknologjinë prapa “Teslagram”-ëve, dhe kompania serbe Vlatacom, e cila së fundmi është përfshirë në zhvillimin e teknologjisë së pazakontë, aktualisht është duke i testuar “Teslagram”-ët në lejet elektronike që përdoren nga stafi i saj. Teknologjia relativisht e re i bën kartat elektronike, si ato që përdoren shpesh nga punonjësit, shumë të lehta për t’u kopjuar. Luspat e fluturës mundësojnë që kartelat e sigurisë të kompanisë të verifikohen nëpërmjet një baze të dhënash, nëse nuk ka dyshime për vërtetësinë.

Fluturat janë të shumta në Serbi, dhe pothuajse çdo lloj i tyre – përfshirë ato që konsiderohen dëmtuese – janë të përshtatshme për përdorim në “Teslagram”. Shkencëtarët në Beograd i zënë apo i blejnë insektet fluturuese, të cilat mbahen me ushqim dhe me ujë, derisa të kryhet cikli i tyre jetësor dhe ato të vdesin në mënyrë natyrore – zakonisht brenda pak ditësh. Më pas fillon puna për nxjerrjen e luspave të tyre, nëpërmjet një procesi sekret.

Dankulov beson se adoptuesi i parë i kësaj teknologjie të re me gjasë do të jetë industria e modës dhe mallrave luksoze, e cila po përballet me një betejë gjithnjë e më të vështirë me një treg të gjerë të produkteve false. Nëse “Teslagram”-ët adoptohen nga një shtëpi mode, etiketat me luspa fluturash mbi to mund të verifikohen nëpërmjet një baze të hapur të të dhënave. Gjurmët e vockla natyrore po ashtu mund t’i bëjnë rishitjet e gjërave luksoze më të lehta. “Për shembull, nëse blini një orë dore shumë të shtrenjtë”, thotë fizikania, “dhe dëshironi ta shisni atë në të ardhmen, ju duhet ta mbani një lloj certifikate të origjinalitetit. Por, çka nëse këto gjëra nuk ju duhen? Çka nëse dikush mund ta verifikojë një etiketë “Teslagram”-i në orë?”.

Ekipi serb ka vëzhguar me kujdes, teksa modeli i fundit i iPhone lëvdohej për opsionin për makrofotografi. Nëse ky zhvillim avancohet edhe më tej, dhe telefonat e mençur në të ardhmen pajisjen me mikroskopë, Dankulov thotë se nuk do të kishte nevojë për një “lexues” të specializuar për verifikimin e “Teslagram”-ëve. Kjo do të mundësonte që edhe mallrat e lira, siç janë ilaçet, të vulosen me “Teslagram” dhe të kontrollohen lehtësisht nga konsumatorët për vërtetësinë e tyre – një zhvillim që, sipas saj, “ka potencialin të ndryshojë industrinë e sigurisë të krejt botës”.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close