Prishtina dhe zgjedhjet lokale 2021

Prishtinë arch. Ylber Vokshi -Ylli

Kur për shkaqe shëndetësore je i detyruar të jesh spektator dhe të torturosh vetveten me debatet, nëpër studio të ndryshme televizive, në mes të kandidatëve potencial për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale 2021 që do të mbahen me 17 tetor,është një maltretim psikik, një formë e fyerjes së inteligjencës personale dhe profesionale që ma në fund pas 21 vite duhet me e ndryshuar me forcën e argumenteve realiste me vota. Duke e marr në konsideratë realitetin e jetës në Kosovë të cilin e ka krijuar mu kjo klasë politike, e cila prapë po tenton që me premtime diametralisht të kundërta me mundësit reale të shoqërisë të mashtroi elektoratin.
Më duhet të kthehem në kohe dhe të rikujtoi opinionin publik se ku e ka zanafillën trajtimi jo institucional, jo ligjor dhe abuziv i hapësirës urbane të Prishtinës gjegjësisht i tërë Kosovës.
Pasi i kisha shtjerr të gjitha mundësitë institucionale e të dy niveleve për të ndaluar këtë ‘’çmenduri’’ të filluar të pushtetarëve komunal, në atë kohë, prill 2004, punoja në MMPH, u detyrova që me një prononcim publik të iu drejtohem vendimmarrësve të Prishtinës për mënyrën dhe pasojat e një dokumenti të tillë që kishin bërë, ishte fjala për ‘’Planin strategjik 2004-2020 i Zhvillimit Urban të Prishtinës’’ të konceptuar në formatin për shtyp ‘’20 +1 pyetjeve për përgjigje’’.
Po i risjelli dhe një herë ato pyetje, shumica e të cilave ende janë aktuale , ende edhe sot gjatë përpilimit dhe zbatimit të dokumenteve hapësinore dhe urbane në kryeqytet dhe zonat rurale të komunës së Prishtinës shqetëson njohësit e mirëfilltë të fushës së, planifikimit urban.

Plani strategjik 2004-2020 Zhvillimi Urban i Prishtinës 20 +1 pyetjet për përgjigje

⦁ Në cilat ligje është bazuar Kuvendi i Komunës kur është marr vendimi për përpilimin e këtij “dokumenti” ?
⦁ A mendoni se duheni të respektoni ligjin e Planifikimit Hapësinor të aprovuar nga kuvendi i Kosovës si dhe i nënshkruar nga PSSP me 10 shtator 2003.
⦁ Të shpjegohet-skjarohet se në këtë “dokument” a është fjala për:
⦁ strategji të zhvillimit urban apo hapësinor,
⦁ dokumente të planifikimit hapësinor apo urban ,
⦁ tregues i procesit të planifikimit hapësinor ose urban.
Kjo është shumë e rëndësishme pasi ekziston një disharmoni e madh tek ne në mes të PLANIT dhe PLANIFIKIMIT si dokumente ose procese hapësinor me rëndësi .
⦁ Si është e mundur të punohet një strategji pa respektuar fare gjendjen reale kaotike urbanistike dhe duke abstrahuar të gjitha problemet hapësinore dhe urbane të krijuar nga mos funksionimi permanent i pushtetit lokal në lëmin e ndërtimeve.
⦁ Si mundet të premtohet një zhvillim i “QENDRUSHËM” urban duke mos respektuar gjendjen reale dhe analizuar shkaqet e kësaj gjendje?
⦁ Si është e mundur të planifikohet për periudhën 16 vjeçare (2004-2020) në kushtet e zhvillimeve marramendëse teknologjike në botë, (sipas ligjit në fuqi koha e planifikimit është nga 5 gjerë në 10 vjet varësisht nga lloji i planit)
⦁ A mendoni që strategjia si proces i vazhdueshëm duhet të ketë afate kohore të fiksuar, si në rastin e juaj(16 vjet).
⦁ Si qëndron çështja e IDENTITETIT hapësinor të qytetit pasi për identitetin individual as që do të pyesim pasi ai është përdhosur gjithnjë. Si ndryshe të shpjegohet neglizhimi i qytetarit si faktorit më të rëndësishëm gjatë definimit të “konceptit” hapësinor dhe urban të qytetit.
⦁ A mendoni se nëse do të respektohej rruga natyrore dhe ligjore e përgatitjes së dokumenteve hapësinore do të kishte vend koncepti i Prishtinës si METROPOL në kohen kur në tërë botën preferohet SHKARKIMI i qyteteve si e vetmja mundësi për tejkalimin e kaosit urbanistik që i kanoset gati të gjitha metropoleve botërore.
⦁ Nëse do të respektohej zhvillimi POLICENTRIK i qyteteve si njeri prej principeve themelore në planifikimin aktual hapësinor, ku do të ishte vendi i modelit të propozuar “PRISHTINA –METROPOL” si model plotësisht i tejkaluar.
⦁ Sa do të fitoni nga kontaktet, bisedat me qytetarët e pa informuar me “dokumentin”. A është kjo “transparenca” e proklamuar për një dokument të këtij rangu,sa do të mundeni të përfitoni nga këto mënyra të kontakteve me publikun,a e shihni rrezikun e koftra efekteve të mundshme?
⦁ Ku është vendi dhe rroli i qytetarëve si PJESMARRËS kryesor në procesin e përpilimit të këtyre dokumenteve pasi sipas trendëve të reja pa inkuadrimin aktiv të pjesëmarrësve në procesin e planifikimit hapësinor dhe urban nuk do të kemi sukses në implementimin e këtyre dokumenteve. Metodat klasike të DISKUTIMEVE dhe DEBATEVE publike me afat të caktuar kohor preferohen vetëm nëse do të sigurohet pjesëmarrja e qëndrueshme e qytetarëve gjatë tërë procesit të planifikimit e kjo nuk ka ngjarë me rastin e përgatitjes së këtij “dokumenti”.
⦁ Si do të përkujdeseni,a do të jeni imun, ndaj “interesave private”të cilët zakonisht imponohen të futen pa kritere në planet hapësinore dhe urbanistike.
⦁ Si është menduar të sensibilizohen të gjitha partitë kryesore politike se “sigurimi i kualitetit të jetës në qytete” është mbi interesat e tyre të shumëllojshme partiake dhe është e domosdoshme kyçja e tyre aktive në rregullimin e qytetit, përmirësimin e banimit si dhe mbrojtjen e rrethit apo ambientit ku jetojmë.
⦁ Ku e shini ju dallimin në mes të planifikimit strategjik (tani) dhe planifikimit konvencional (dikur) pasi fitohet përshtypja se toka dhe hapësira e qytetit janë trajtuar vetëm si çështje të ndarjes fizike të tokës për përdorim të ndryshëm,çka sot nuk duhet toleruar!
⦁ Nëse njëra prej karakteristikave kryesore të planifikimit strategjik është SELEKTIVITETI dhe FOKUSIMI i çështjeve kjo nuk vërehet në rastin konkret. Ma shumë kemi të bëjmë me një planifikim GJITHPËRFSHIRËS si në të kaluarën .
⦁ A mendoni së VISIONI i prezantuar është REALIST (veti e planifikimit aktual)
apo është vizion i IDEALIZUAR (veti e planifikimit centralist).
⦁ A është menduar në mundësit financiare të implementimit, realizimit, të këtyre ideve apo këto do të mbesin “dokumente” për rafte,si ka ngjarë më pare gjatë planifikimit centralist?
⦁ A është e preferuar të angazhohen në përpilimin e “konceptit” të zhvillimit hapësinor të qytetit “ekspertët e huaj”,një pjesë e të cilëve ishin prezent në Kosovë pas luftës me ndihmën e administratorit të Prishtinës i cili na është i njoftuar me qëndrimet e tija “humane”lidhur me ndërtimet dhe mbindërtimet në qytetin e Prishtinës.

⦁ A është marr në konsideratë mendimi i qytetarëve të vjetër të Prishtinës të cilët më mire se të gjithë ne e përjetonim qytetin e tyre. A janë konsultuar gjatë përpilimit të këtij “dokumenti”apo është vepruar si në kohërat e kaluara kur tërësisht është injoruar mendimi e tyre për qytetin.

⦁ Si e komentoni titullin e një raporti në shtyp “Prezantohet ëndrra për Prishtinën metropol”

Pa kurrfarë dileme, funksionimi i një vendbanimi është i ndërlidhur direkt me posedimin apo përpilimin e dokumenteve hapësinore dhe urbane. Me zbatimin e tyre korrekt dhe profesional edhe situata e mirëqenies së popullatës do të ishte ma e mirë, kjo nuk ka ndodhur këto vite në Prishtinë – Kosovë,
Për fatin e keq të gjithë neve nuk pati reflektim pozitiv në atë kohë, prill 2004, e ky ishte sinjal inkurajues për të gjithë keqbërësit të fillojnë ndërtimet pa leje dhe kontroll shtetërorë në Prishtinë dhe tërë Kosovën deri në ditët e sotme, me epilog tragjik për të ardhmen e Prishtinës. U ndërtua në të gjitha anët pa kontroll shtetëror, diçka e pa parë në përvojën botërore.
Në këto vite ne i kemi treguar botës së civilizuar se nuk dimë të urbanizojmë edhe zona të lira të qytetit, duke bërë keqpërdorime dhe abuzime të rënda, si ishte lagjja “Mati 1”. Kjo qasje e shtetit ndaj problematikës urbane është shqetësuese dhe në njëjtën kohë dëshpëruese se ku e kanë katandisur popullin e vetë këta njerëz që me pa përgjegjësi ekstreme kanë vepruar këto vite në shekullin e ri.
U aprovua një ligj për legalizimin e tyre së fundit në vitin 2016 i cili faktikisht legalizon të gjitha llojet e ndërtimeve në Prishtinë dhe në Kosovë duke propagu ndërtimet pa leje si një profit pozitiv fitim prurës ekonomik, duke apstrahuar humbjet e mëdha qindra milionëshe që iu janë shkaktuar shtetit si dhe pasojat tronditëse që i kanë shkaktuar banorëve të kryeqytetit.
Një qytet-kryeqytet të tillë do ta trashëgon ai që do ti fiton zgjedhjet, me parregullsi të mëdha urbane të pa imagjinueshme dikur, është shumë vështirë të udhëhiqet, nevojitet punë e madhe me profesionist të vërtetë që në Kosovë janë të paket, prandaj kujdes me premtime elektorale të pa realizueshme nga aspekti kohor dhe financiar.
Prishtinës i duhen intervenime – rehabilitime urbane urgjente gati ne te gjitha zonat e qytetit te vjetër dhe pjesëve te reja pasi është ndërtuar pa rregulla standarde dhe norma urbane, së paku për të shpëtuar atë që është e mundur.
Prandaj keni kujdes kur të jepni premtime elektorale, pasi shumicën e tyre nuk keni mundësi ti realizoni me buxhet komunal as me donacione apo grande e sa për kredi ndër kombëtare as mos llogaritni, askush nuk do të ju financon me i mbuluar marrëzitë tona që i kemi bërë këto 20 vite.
Puna kryesore dhe ma e vështira e juaj është duke pasur kujdes që së pari me ndryshuar mendësinë urbane të politik-bërësve tanë e pastaj popullit, pasi Prishtina është ruralizuar në këto 21 vite, ky është proces i cili kërkon kohë me dekada me ndryshuar filozofinë primitive jetësore të këtij mileti.

 

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

11 tetor 2021 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com

 

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close