Trajtimi i koronavirusit – një nga “dështimet më të këqija” në Britani

Dështimi i Mbretërisë së Bashkuar për të bërë më shumë në frenimin e përhapjes së koronavirusit në fillim të pandemisë, ishte një nga dështimet më të këqija të shëndetit publik, thuhet në një raport të ligjvënësve britanikë.

Sipas raportit, qasja e Qeverisë britanike – e mbështetur nga shkencëtarët e saj – ishte të përpiqej të menaxhonte situatën dhe të arrinte imunitetin e tufës me infektimin e njerëzve.

Por, kjo gjë ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzish, pasi izolimi i parë është vendosur vonë.

“Në javët e para është bërë shumë pak për të frenuar përhapjen e koronavirusit, pavarësisht dëshmive nga Kina dhe më pas Italia, se ky është një virus shumë infektiv, shkakton sëmundje të rënda dhe për disa prej tyre nuk ka shërim”, thuhet në raport.

“Ky është një nga dështimet më të mëdha të shëndetit publik që Mbretëria e Bashkuar ka përjetuar ndonjëherë”, thekson raporti.

Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të prekura në botë nga koronavirusi. Mbi 8 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 150,000 kanë vdekur.

Raporti prej 150 faqesh është përpiluar nga Komiteti i Shëndetit dhe Kujdesit Social dhe Komiteti i Shkencës dhe Teknologjisë. Të dyja këto komitete përmbajnë deputetë nga të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlamentin britanik.

Ata e kanë përshkruar pandeminë si “sfidën më të madhe në kohë paqeje”, brenda një shekulli.

Por, deputetët Jeremy Hunt dhe Greg Clark, që kryesojnë komitetet, thanë se natyra e pandemisë ka treguar se ka qenë “e pamundur që të sigurohet gjithçka siç duhet”.

“Mbretëria e Bashkuar ka kombinuar disa arritje të mëdha me disa gabime të mëdha. Është jetike të nxjerrësh mësime nga të dyja”, thanë ata përmes një deklarate.

Raporti përmend si sukses fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit. Në Mbretërinë e Bashkuar mbi 67 për qind e qytetarëve janë të vaksinuar plotësisht.

Qeveria britanike ka mbështetur zhvillimin e disa vaksinave, përfshirë atë të Universitetit të Oksfordit, AstraZeneca.

“I gjithë programi i vaksinimit ishte një nga nismat më efektive në histori dhe do të ndihmojë të shpëtojë miliona jetë këtu dhe në të gjithë botën”, thuhet në raport.

Një zëdhënës i Qeverisë britanike tha se mësimet do të nxirren, andaj “do të ketë një hetim të plotë publik vitin e ardhshëm”.

“Ne kurrë nuk i jemi shmangur ndërmarrjes së veprimeve të shpejta për të shpëtuar jetë”, tha ai.

“Falë përpjekjeve kolektive, Shërbimi Kombëtar i Shëndetit nuk është mbingarkuar”, tha zëdhënësi.

Sipas raportit, pandemia ka përkeqësuar edhe pabarazitë ekzistuese sociale, ekonomike dhe shëndetësore, të cilat “do të kenë nevojë për trajtim”.

Raporti nxjerr në pah nivelet e larta të vdekjeve në grupet e pakicave etnike dhe në mesin e njerëzve me aftësi të kufizuara në të mësuar dhe autizëm.

Sipas Universitetit Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara, koronavirusi ka infektuar mbi 238 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 4.8 milionë kanë vdekur.

Vendi më i prekur në botë është SHBA-ja, me mbi 44 milionë të infektuar dhe mbi 714,000 viktima.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close