MIGJENI I KUPTUAR, I ADMIRUAR DHE MIGJENI I KEQKUPTUAR DHE ANATEMUAR

VALBONA BERDICA
(Në 110 vjetorin e lindjes)
“Unë shkruej në mënyrën teme dhe ashtu kam me shkrue”, “E nëse disa nga vjershat e mia nuk kuptohen shumë, atëherë “vjershat e qarta do të ndriçojnë të errtat”, kështu do të reagonte Migjeni, ai që njeriun e asaj kohe dhe jetën e tij, në mënyrë kritike, tragjike dhe komike,e vuri në qendër të poezisë dhe prozës së tij.
Koliqi do të shprehej: Ndonji lule çelë e papritur, premtom pranverash të përtardhme…Sensibiliteti i tij njerëzuer…kërkon paralajmuesin e njij epoke ma të ndritun. Ky ishte Migjeni, Bir i Shekullit të Ri që Shkëndijat e Zgjimit i gjeti tek Kanga e Rinisë. Ky ishte Migjeni që tek Një Refren i Qytetit Tem pati dilemën Tragjedi Apo Komedi? kur pa Lulin e Vocërr dhe Mollën e Ndalume në Ngjarje pa Lëvizje. Ky ishte Migjeni që blasfemoi kundër atyne që blasfemuan me emrin e Zotit duke thanë vetëm Zoti të Dhashtë ani pse mbrapa tyne mbesin si hije ftyra të zbehta edhe sy të jeshilta, që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita…e për ta mbetet si ngushëllim vetëm Poema e Mjerimit e përballë saj Sokrat i Vuejtun- Apo Derr i Kënaqun? Ky ishte Migjeni që kërkoi Të Çelen Arkapiat e me dale nga Vetmia me rrok Mallin Rinuer Një Natë, e Puthja e Cubit me Dy Buzë me u zgjue në Sonet Pranveror.
Studenti në Shtëpi
Një ironi e thellë deri në sarkazëm, në këtë pjesë, qëndron në faktin se në emër të “nderit “ vihet përballë loja e shoqërisë së asaj kohe me moralin e “fisnikrisë së racës” që përligj “aktin shtazor” të marrjes së jetës së dikujt. E thirrja e autorit është aq kumbuese për të ndërgjegjësuar se gjithmonë të tjerët, ata që nuk ja duan të mirën këtij vendi do të lozin me ktë plagë të vjetër sa herë që atyre do t’i interesojë.
…Mandej nderi, or vlla, nderi, nderi nuk asht ujë – mundet me qenë shampanjë por ujë jo. Gjithnjë buzëqeshte Nushi dhe here – here i kujtohej me frigë se para nji ore mundte me të vërtetë të bante nji gjest donkishotesk. Por shpejt qetësohej dhe buzësheshte tue paraftyrue veten me fes mbi njenin sy, me mustakë të mëdhenj, me kobure në dorë, tue qëndrue mbi motrën dhe dashnorin e saj, të dy të vramë mbas shijimit të mollës së ndalueme.
-Mb’at akt burrnor qëndron fisnikia e races sonë, thonë moralistat tanë. – Mb’at akt shtazor qëndron primitiviteti dhe injoranca e vendit tone, përgjegjet Nushi vet me vete. Unë jam pa moral, koncepti im menduer – mos me thane ideologjik – nuk pajtohet me moralin, të cilin mue kjo shoqni ma imponon. Por unë e marr moralin e saj për sy e faqe, nësa mbrapa ja loz lojën kur të due. Kështu si unë ja lozin lojën shoqnisë me qindra veta në vendin tonë. Prandaj, shoqni, po deshe të mos lozin në kurriz tand, ndrro format. Hiqi maskat.
Një pjesë nga intrepretimi që Migjeni bëri për “Të mjerët” e Viktor Hygo, ishte: Të lidhësh me mënd infinitin e lartë (Zotin) me infinitetin e ulët (shpirtin), kjo quhet lutje. Kemi një detyrë: të punojmë me shpirtin e njeriut, të mbrojmë misterin kundër mrekullisë, të adhurojmë të pakuptueshmen dhe të flakim absurditetin, të pranojmë nga e pashpjegueshmja vetëm të nevojshmen, të shërojmë fenë, t’i heqim religjionit bestyninë, të spastrojmë Zotin prej krimbave.
Duket se këto parime ka patur në mendje Migjeni kur ka shkruar poezinë Blasfemi, duke treguar se ai nuk e përbuzte Zotin ashtu siç anatemohet por përkundrazi ai kërkon që lutjet ndaj Zotit të ishin me kuptim, të sinqerta dhe jo blasfemi.
BLASFEMI
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtimet tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona
Gjithashtu tek Parathania e Parthanieve, Migjeni ironizon njeriun që përpiqet të jetë në të njëjtën lartësi apo ndoshta edhe vetë Zoti dhe kur nuk mundet me arrit atë që do, atëherë ai njeriu vetë ka me thirr: Perëndi! Ku je?
…Dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri.
Ka ardhë nji kohë,
në të cilën njerzit po kuptohen fare mirë
për me ndërtu Kullën e Babilonit,-
dhe në majë të Kullës, në majë të majës
ka me hype njeriu
dhe ka me thirrë:
Perëndi! Ku je?
Koliqi do të shprehej: Ndonji lule çelë e papritur, premtom pranverash të përtardhme…Sensibiliteti i tij njerëzuer…kërkon paralajmuesin e njij epoke ma të ndritun.
Baladë Qytetase, jetës së mjerë që shoqëron hapat e një gruaje me kambë të zbathura, me zemër të plasun, duke i vënë përballë Bukurinë e dikurshme të saj kur gjit’ e saj me kreni, shpërtheshin n’aromë, kur ishte e njomë dhe atëherë e dashunojshin shumë zotni, të çon për pak çaste me imagjinatë para një pikture ku t’i sheh një zanë mali apo shtojzovalle që asht plot ngjyra jete. E kjo asht nji thirrje që don me pasë jehonë për një jetë të fikun,…zemër t’therun…që vallzon natën vonë, nëpër rrugat e qytetit tonë.
E përballë qëndron Kanga e Qytetit të Huej, kjo asht kanga e jetës që rrohet. O bjeri që vjen nga dheu i huej, hiqe melankoninë, ose nostalgjinë për vendin tend – në se e ke, – ze vend në një skaj në kryqëzimin e udhëvet dhe vre lëvizjen e tërbueme që shkaktojnë pasjonet njerzore.
-O dritat e bukura e qytetit të huej!
-Dritat e bukura…kuqë, bleu, jeshil, verdhë. Secila dritë një grishje…Prandaj janë dritat me ngjyra që ta kujtojnë: mos harro ta shijosh ambëlsinën e jetës! Poshtë, nalt, djathtas e majtas ngajnë rrugat e drejta të pagabueshme si n’imagjinatën e një ingjinieri të larezum në qiell (!)
Nji Natë… asht thirrja e djaloshit që vallzon pa frymë në ndjesitë e një valleje dëfryese, dëshira
për ta patur hyjneshën në odat e tija.
Grue a hyjneshë, e mbshtjellun n’errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mija
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të më përpijë.
Vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-Jo – jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës.
Grue a hyjneshë m’erdhi nga gjin’ i errsinës…
Qe! Frymën ja ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saja,
Syt’ e zez e të mdhaj
me harmoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes).
Dhe njëmend! At natë vallzuen ndjesit’ e jona
me një valle defryese, pa marrun frymë…
Duket se kjo poezi dhe tanë Kangët e Rinisë, e kan marrë frymëzim nga vepra e Shkespirit, Otello IV. pasi Migjeni do të shprehej: Ne kemi në dorë të bëhemi të këtillë ose të atillë. Trupi ynë është kopësht, dhe në të shpirti ynë është kopështar…Arësyen e kemi për të freskuar ndjenjat tona tepër të forta, eksitimet e mishit tanë, pasionet tona të shfrenuara; dhe prej tyre përbëhet, më duket mua, ajo që ti e quan dashuri, – ose mbajtësi i shartesës ose shartesa. Përpiqu më mire të varesh duke e tepëruar në kënaqësinë tënde, se sa të mbytesh dhe të shkosh pa të.
Besimit tek ekzistenca dhe fuqia e Zotit, për Migjenin është edhe tek momentet ma të bukura të dëfrimit në lumni e kjo e tana të jetë një simfoni.
LUTJE
Të lutem, o perëndi,
Për një simfoni
me tinguj t’argjantë
e akorde t’artë.
Të lutem, o perëndi,
për një simfoni –
plot dashuni
të nxehtë sit e vasha gjitë,
kur vlojnë ndijesitë.
Të lutem, o perëndi,
për një simfoni,
të dëfrej në lumni
t’u u përkundë n’ani
të bukur t’andrrimeve
të kaltër, ku të fantazmeve
buzët më tërheqin zjarrtë
e më digjen syt’ e flakët.
Të lutem, o perëndi,
për një simfoni –
e kurr’, e kurr’ ma mos të zgjohemi.
/hejza

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close