TEFTA TASHKO KOÇO

Soprano lirike, “Artiste e Popullit”. U lind më 2 nëntor 1910 në Fajum të Egjiptit, vajza e atdhetarit Athanas Tashko nga Frashëri i Përmetit dhe i Elena Zografit nga Korça. Familja e saj u vendos në Korçë më 1921. Në vitin 1927 filloi studimet për kanto në Konservatorin e Muzikës së Monpeliesë. Kur ishte në kursin e 3 të konservatorit bashkëpunoi me grupin himarjot të Neço Mukos. Me këtë grup bëri incizime solo si dhe me disa individë të grupit. Më 1931 vazhdon studimet në “Institut Muzical dhe

Dramatique Professionnel” të Parisit dhe, pa përfunduar vitin e dytë, ndërpret studimet dhe i vazhdon ato në një stad më të lartë, në “Conservatioire National de Muzique et de Declamation” të Parisit, nga viti 1932 deri në vitin 1936. Në vitet 1931-1932 mori pjesë në konkurset e organizuara nga Konservatori i Parisit, nga “Opera Komike”, ku debutoi në rolin e Batërflait te “Madame Batërflaj” e Puçinit. Më 1935, edhe pse ishte në vitin e fundit të konservatorit, kthehet në Shqipëri dhe jep koncerte me grupin artistik të drejtuar nga pianistja Lola (Aleksi) Gjoka: më 26 nëntor e 4 dhjetor në Korçë, më 12 dhjetor në Tiranë dhe më 19 dhjetor në Shkodër. Nga shtypi i kohës koncertet e Tefta Tashkos cilësohen të nivelit të Europës. Më 1936 përfundon Konservatorin e Parisit dhe kthehet në Shqipëri. Më 1936, në vjeshtë, merr pjesë në “Ditën Shqiptare” të Panairit të Lindjes në Bari të Italisë dhe recitali i saj u transmetua nga stacioni i dytë i Barit. Më vonë shkon për perfeksionim “në bel kanto” në Romë e Milano. Në Romë ajo paraqiti të plotë rolin e Byterfly-it, ndërsa në Milano bëri regjistrimet e para në disqe gramafoni. Më 13 shtator 1937, mori pjesë në “Ditën Shqiptare” të Panairit të Barit së bashku me Maria Palucën, Gjeorgjia Feliçen e Lola Aleksin. Në këtë panair Tefta këndoi: “Peshkatarët e Perlave” të Bizes, “Tistesse” të Shopenit, “Regnava nei silenzio” nga “Luçia di

Lammermoor” e Donizettit si dhe me Marien duetin “Sull’aria” nga “Dasma e Figaros” të Moxartit, ndërsa ndër këngët popullore ajo këndoi “Çelni ju moj lule”, “Edhe ky bilbil” dhe “Kur më vjen burri nga stani”. Ky aktivitet pati jehonë të gjerë në Shqipëri e Itali. Tefta, recitalet, i organizoi jo vetëm në Tiranë, Korçë dhe Shkodër, por edhe në Durrës. Më 1938 me shumë sukses ishte recitali i dhënë në Shkodër me rastin e vizitës së poetit Asdren, ku morën pjesë përveç Asdrenit edhe Fishta, Koliqi e Poradeci. Më 1939 jep recitalin edhe në Elbasan, Kavajë, Fier, Berat e Vlorë. Në vitet e luftës 1939-1944 këndoi kryesisht në emisionet radiofonie, incizoi këngët lirike qytetare dhe kontribuoi si pedagoge në Institutin e Muzikës, formuar në janarin e vitit 1944. Më 28 nëntor 1944 mori pjesë në koncertin që u dha në Tiranë. Më 1945 me ftesë të Teatrit të Operës së Beogradit këndoi në rolet kryesore të operave: Mimisë në “Bohemë” dhe Rozinës tek “Berberi i Seviljes”. Pati shumë sukses në Beograd. Më 1946 dha mësim në degën e kantos në shkollën e parë muzikore në Shqipëri. Ajo u shqua jo vetëm në pjesët klasike, në opera, por edhe në interpretimin e këngëve popullore shqiptare të stilizuara, të tilla si: “Kroi i fshatit tonë”, “As aman o syri i zi”, “Fryn veri në Mal të Thatë” e këngë të mirëfillta, si: “Zare, trëndafile”, “Kur më vjen burri nga stani”, “Ç’u gremisa moj lejthatë”. Ishte soprano-lirike, zotëronte një zë me cilësi timbrike të klasit të parë, me shtrirje diapazionale prej dy oktavash e gjysmë, që dallohej për ngjyrën e çiltër e të ëmbël, për vibrim të natyrshëm. Ajo interpretonte madhërishëm edhe Rozinën (Rosini “Berberi i Seviljes”), “Lakme” (Delib, “Lakme”), Miminë e Çio-Çio-Sanit (Puçini, “Bohema”, “Madam Baterflai”). U nda nga jeta në Tiranë më 22 dhjetor 1947./Hejza

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close