Soreca dorëzon progresraportin e KE-së

ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se raporti i progresit të Komisionit Europian është dokument udhërrëfyes dhe nuk ka krahasim në pikëpamje të objektivitetit që ai përfaqëson.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca i dorëzoi sot Kryeministrit Rama progresraportin e Komisionit Europian.

Në një konferencë të përbashkët për mediet, Rama tha se “ky Komision e rikonfirmon edhe një herë bindjen e vet se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur edhe formalisht atë që është vendosur më parë në Këshillin Europian dhe për të ndërmarrë bashkë me BE-në diskutimin e anëtarësimit”.

Rama tha se “ne gjejmë te KE një partner të drejtë, të paanshëm, rigoroz, që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren”.

“Raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të integritetit dhe përputhjes me standardet dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se raporti vlerëson se “Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyçe që janë në thelb reforma të shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike nga reforma në Drejtësi, ku procesi i Vetingut nënvizohet si histori suksesi te reforma në administratën publike, proces që përparon”.

Rama tha se progresraporti vlerëson se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është një luftë që përparon.

“Po ashtu raport vlerëson se respekti për liritë dhe të drejtat e njeriut rikonfirmohen si vlerë bazike e proceseve demokratike në vendin tonë. Politika e drejtpeshuar në aspektin barazisë gjinore nënvizohet. Po ashtu vlerësohen përpjekjet tona për ta përafruar kuadrin legjislativ me BE-në”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se raport vlerëson progresin në funksion të një ekonomie funksionale tregu përtej gjithë pengesave dhe goditjeve nga pandemia”.

Po ashtu, Rama tha se rinënvizohet angazhimi shumëpalësh i Shqipërisë dhe ndjekja e një politike të jashtme në përputhje me atë të BE-së.

Rama tha se “ky është momenti më i rëndësishëm i ndërveprimit mes Shqipërisë dhe Komisionit Europian përgjatë harkut të një viti”.

Ai falënderoi ambasadorin Soreca për punën e madhe dhe të palodhur të të gjithë ekipit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, një punë që zhvillohet përditë, pa orar, larg vëmendjes së publikut dhe medieve në një ndërveprim kompleks me të gjitha ministritë, agjencitë, departamentet, nëpunësit civil të përfshirë në procesin e përafrimit.

“Kjo na ndihmon për atë që e bën këtë proces një instrument unikal për vendet në funksion të modernizimit, shtendërtimit dhe njehsimit të gjithë ngrehinës së tyre institucionale, ligjore dhe në tërësi sociale me BE-në”, tha Rama.

Rama tha se “ky është një proces i brendshëm i domosdoshëm, i pazëvendësueshëm, për të pasur këtu ku jetojmë një shtet që funksionon me të gjitha normat dhe standardet e një shteti demokratik dhe modern”.

“Raporti që marrim sot është një tjetër në vazhdën e disa të tjerëve. Tanimë ky komision e rikonfirmon edhe njëherë bindjen e vetë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur edhe formalisht atë që është vendosur më parë në Këshillin Europian dhe për të ndërmarrë bashkë me BE-në, diskutimin e anëtarësimit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se nuk ka dhe nuk gjendet në asnjë kryeqytet të vendeve anëtare, një strukturë e ngjashme apo që mund ta konkurrojë për nga cilësia e hulumtimit dhe për nga drejtësia e gjykimit, Delegacionin e KE-së dhe të BE-së këtu në vendin tonë”.

“Këtu bëhet fjalë për një skuadër të madhe që monitoron gjithçka ndodh, ndërsa kur dëgjojmë pranë afateve dhe ditëve të vendimmarrjeve në nivelin politik të BE-së se ngrihen pretendime, këto janë të gjitha politike nuk janë gjykime teknike. Ndaj raporti i progresit për ne është dokumenti udhërrëfyes, të gjitha të tjerat janë interferenca në procese me natyrë politike tërësisht të mirëkuptueshme. Bëjnë deklarata apo nxjerrin promemorie që janë të lidhura me hallet e tyre, në vendet e tyre, plotësisht legjitime, por që nuk kanë krahasim në pikëpamje të objektivitetit që përfaqëson raporti”, tha Rama.

Por, Kryeministri theksoi se “raporti i progresit nuk është thjesht një dokument që bën vlerësime pozitive, por nxjerr në pah sfidat problemet dhe çështjet që duhen adresuar për të përparuar më tutje”.

“Shqipëria nuk është një vend që mund të bëhet sot anëtare me të drejta të plota në BE,  edhe sikur të donin të tjerët, që nuk duan. Në këtë moment, në Europë nuk ka një oreks për zgjerimin, por për të shkuar në atë pikë ne duhet të vazhdojmë përpjekjet”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “ne nuk duhet të vlerësojmë dhe gjykojmë të gjitha përpjekjet tona në bazë të hapet apo nuk hapet drita jeshile në çdo stacion në kohën që ne e meritojmë, sepse ky proces nuk bëhet se na e kërkojnë Brukseli, Parisi etj. Ne e bëjmë për fëmijët tanë që në këtë vend gjeneratat e tjera të kenë një shtet që funksionon me të njëjtën cilësi si një vend dinjitoz i BE-së. Kjo është për ne dhe ky është proces i vështirë me shumë të përpjeta dhe shumë sfida, por është e vetja rrugë, nuk ka asnjë alternativë tjetër që na çon aty ku Shqipëria meriton”, shtoi Rama.

Soreca: Shqipëria i ka përmbushur kushtet, konferenca e parë ndërqeveritare të mblidhet brenda këtij viti

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca theksoi se “raporti i progresit konfirmon që Shqipëria i ka përmbushur kushtet që ishin përcaktuar nga Këshilli Europian. Ne theksojmë se konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mblidhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe përpara fundit të vitit”.

Në konferencën e përbashkët për mediet me Kryeministrin Edi Rama për raportin e progresit për Shqipërinë tha se “po bëhet një punë intensive nga udhëheqësit e BE-së për të punuar me shtete anëtare për të tejkaluar ato çështje dypalëshe në mënyrë që kjo gjë të ndodhë, sepse shtyrjet ose vonesat në lançimin zyrtar të negociatave për anëtarësim do ët kenë një ndikim negativ për besueshmërinë e BE-së”.

Ambasadori Soreca theksoi se “raporti vjetor që kemi prezantuar sot bazohet tek metodologjia e re dhe për mendimin tonë është vlerësim i drejtë i situatës në Shqipëri në lidhje me me rrugëtimin e saj në BE që prej vitit 2020”.

“Janë dhënë merita që i takojnë Shqipërisë aty ku i takojnë ato merita dhe janë theksuar ato fusha ku përparimi ka qene i pamjaftueshëm dhe ku kërkohet më shumë vëmendje”, tha Soreca.

Ambasadori Soreca u shpreh se “vlerësimi është që në raport thuhet se pavarësisht sfidave në një kontekst të shënjuar nga pandemia, Shqipëria ka vijuar me reformat që kanë të bëjnë me BE-në dhe me rezultate të prekshme”.

Duke u ndalur në disa nga çështjet më të rëndësishme në raportin vjetor, Soreca tha se “në fushën e sundimit të ligjit raporti tregon se rezultate konkrete kanë vijuar me përparim në reformën në drejtësi dhe për procesin e Vetingut. Shqipëria po ashtu ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke krijuar ato trupa të reja të specializuara të zgjeruara për zbatimin e ligjit dhe duke marrë pjesë në formë aktive në një sërë operacionesh ndërkombëtare gjë që ka çuar në një sërë arrestesh”.

Sipas tij, puna në reformat për sundimin e ligjit duhet të vazhdojë.

Më tej Soreca u ndal në lirinë e fjalës dhe të shprehurit, duke theksuar se “atmosfera e sulmeve verbale dhe fushata baltosje dhe veprime frikësimi ndaj gazetarëve nuk duhet të vijojnë dhe më shumë duhet bërë për të pasur pavarësinë e rregullatorit të medias si dhe fuqizmin e pavarësisë dhe standardeve profesionale dhe aspektin financiar të transmetuesit publik”.

Një tjetër fushë e prekur nga Soreca është ajo që ka të bëjë me pakicat.

“Duhet të miratohen ligjet që kanë të bëjnë me këtë fushë si dhe procesi i regjistrimit të pronave, shpronësimi dhe kompensimi duhet të avancojë”, shtoi Soreca.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close