“SHQIPTARI” I NIKOLLA NAÇOS

Numri i parë i gazetës Shqiptari / Albanezul doli në dritë më 7 gusht 1888. Gazeta dilte një herë në javë
Baki YMERI
Jeta e Nikolla Naços (1843-1913), thekson e mbesa e tij (Rebeka M. Burda), është jeta e një njeriu me pasuri të mëdha, me vullnetin e hekurt, me intuitën gjeniale, me dashuri të patundshme për Shqipërinë. Jeta e tij është një dramë e madhe njerëzore, një përpjekje e pandërprerë e vullnetit për të bërë diçka të bukur dhe fisnike, për të përfituar pavdekësinë. “Kam gëzim të bëhem Apostull, që ta shikoj të ngritur Flamurin e Indipedencës dhe të bashkuar gjithë vëllezërit e mi prej një gjaku, të ndarë me pahir nga njëri-tjetri aty para 400 vjetësh dhe atëherë plumbi i parë dëshiroj të më godasë mua dhe të bëhem lajmëtari i parë i stërgjyshërve tanë, të cilët na vërejnë me brenga së largu, duke pritur prej nesh lirinë e Atdheut dhe kësisoj bashkë me ta të vetë pranë Skënderbeut, t’i them se Atdheu me anën e Bashkimit, të Urtësisë dhe të Besës së shenjtë shqiptare, ngriti Flamurin kundër tiranit dhe po lirohet”. Nikolla Naço militoi një jetë të tërë për çështjen e atdheut dhe u shua si një engjëll: ”Plagët e shpirtit t’im u shëruan! Tashi le të vdes! Zot’ i math më paska falur një vdekje të ëmbël. Rroftë Shqipëria!”
Sipas Rebekës së tij, ishte data 24 prill 1913, kur Nikolla N. Naço ndodhej i shtruar në spitalin “Coltea”, në Bukuresht. Këto fjalë ishin dëshmia e përpjekjeve të tij, përpjekjet e një jete për përparimin e atdheut të tij në rrugën drejt lirisë. Më 28 nëntor 1938, plot 24 vite pas vdekjes së Nikolla Naços, duke vlerësuar veprimtarinë patriotike të tij, Ilo M. Qafëzezi te “Gazeta e Korçës” shkruan: “Pas Naum Veqilharxhit, Nikolla Naço-Korça është me të vërtetë një nga kryetrimat e veteranëve të gjuhës shqipe e të Rilindjes Shqiptare. Ka pasur armiq politikë dhe ka edhe sot, 24 vjet pas vdekjes, njerëz që përpiqen t’ia shëmtojnë Emrin e Shenjtë atij që të tëra pasuritë e fituara me punë të rëndë i prishte për propagandën shqiptare, për botimin e gazetave e të librave shqip dhe që vdiq i vobektë, i këputur..”. Nikolla N. Naço, theksojnë pasardhësit e tij, s’rrinte dot pa vepruar. Me vullkanin shqiptar që i vlonte në zemër, në shtypshkronjën Cucu (Kuku), në një godinë që gjendej në shëtitoren më të madhe të Bukureshtit (Bulevardul Elisabeta), nxori në dritë gazetën e tij të famshme Shqipëtari/Albanezul, e para gazetë shqipe e Kolonisë shqiptare të Rumanisë, edhe pse para një viti (1887) filloi të dalë në Brailë gazeta Drita/Lumina, me artikuj në gjuhën rumune.
Historia e gazetës Shqipëtari-Albanezul, u lind nga një përkushtim i sinqertë dhe dashuri përvëlimtare ndaj Shqipërisë, ngase ky ishte dhe qëllimi jetësor i Nikolla Naços, kryetar i Shoqërisë Shqiptare Drita. Misioni i Naços ishte flakja e sundimit osman, ndriçimi kulturor dhe integrimi i kombit shqiptar në një hapësirë të përbashkët etnike, gjeografike dhe historike; vetëqeverimi dhe krijimi i Shqipërisë reale përmes përfitimit të pavarësisë. Sipas Lasgush Poradecit, Nikolla Naço „boton të parën gazetë shqiptare, bën të parën shkollë shqiptare, inauguron të parën kishë shqiptare, dorëzon të parën xhami shqiptare, redakton të parin plan strategjik për kryengritjen e madhe shqiptare”.
Gazeta e Naços, sipas Lasgushit, „ka për qëllim të vazhdojë luftën e filluar për të nxjerrë nga robëria fisin shqiptar, duke e ngopur me dashurinë e shenjtëruar të mëmëdhesë, ta mësojë kombin shqiptar që ta ruajë me shenjtëri gjuhën e tij, karakterin e tij, zakonet e stërgjyshërve dhe madhërinë e tij të përmendur”. (Një fatos i veteranërisë shqiptare, fytyra urdhëronjëse dhe aktiviteti historik i kryeveteranit Nikolla N. Naço-Korça, Konstancë, 1932). Numri i parë i gazetës Shqiptari / Albanezul doli në dritë më 7 gusht 1888. Gazeta dilte një herë në javë, „nënë urdhërit të një pleqësie”, me artikuj në gjuhën shqipe dhe atë rumune. Në faqet e para të numrave të parë, tribuna kombëtare e Shoqërisë Drita hapet me dy shtylla: Letëra e Florinjtë dheLetëra e Zezë, në të cilat lartësohen atdhetarët dhe fshikullohen tradhtarët, fajtorët, prishësit e shoqërisë e të njerëzisë, njerëzit me shpirt të vogël që u shërbejnë interesave të poshtra e të turpshme. Mendimet e mia, thekson N. Naço në një broshurë të tij, „drejtoheshin kah krijimi i një marrëveshjeje ndërmjet shqiptarëve nga të gjitha anët e botës nëpërmjet botimit të një gazete, që do t’i shprehte konkretisht dhe do t’i përfaqësonte drejtësisht kërkesat dhe aspiratat mbarëkombëtare”.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close