Jeta e Ndoc Mark Dedës kalendar trimërie

Kur atdhetarizmi shndërrohet në stafetë frymëzimi për brezat
Patrioti i mirënjohur Ndoc Mark Deda u lind në vitin 1880 në fshatin Berishë të rrethit të Pukës. Rritej e kalitej si për t’u përgatitur vetëm për luftë kundër pushtuesve të huaj. Dëshmitarët e kohës e patën dëgjuar teksa u pat thënë: “Kurrë nuk do t’i dorëzoj armët e mia!”
Më 5 dhjetor të vitit 1910, kur ishte tridhjetë vjeç, u vu në ballë të trimave të krahinës së vet për t’i bërë ballë ushtrisë së madhe të Shefqet Turgut Pashës, që kishte shkuar në ato anë për të zbatuar ligjet skllavëruese të qeverisë xhonturke. Së bashku me të atin, Markun, dhe me vëllezërit e vet u rrethuan befasisht nga forcat e armatosura turke. U desh të luftohej me guxim e deri me vetëmohim që të çahej rrethimi. Dhe ashtu qe bërë. Gjatë asaj lufte bie dëshmor babë Marku, ndërkohë që plagosen edhe djemtë e tij!
Babë Marku, ky prijës guximtar në luftërat e përgjakshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e Plavës e të Guxisë, si dhe të Fushë – Kosovës, ndërsa luftonte, u pat thënë djemve të vet: “Ecni, luftoni e jetoni! Lamtumirë!”
Heroizmit të Ndoc Mark Dedës i janë thurur vjersha dhe u janë kënduar rapsodi të shumta, të cilat i gjen në botimet “Visaret e Kombit” dhe të Akademisë së Shkencave. Këto materiale, të botuara në disa variante, i gjen edhe te libri “Poeti i Malësisë” i studiuesit të mirënjohur pukjan, Xhemal Meçi – Mjeshtër i Madh.
Më 28 qershor të vitit 1912 së bashku me rreth 400 malësorë të viseve të ndryshme të Pukës morën pjesë në luftimet e ashpra kundër forcave turke të zhvilluara në Lajthizë. Një muaj më pas, pikërisht në korrik të vitit 1912, forca të shumta osmane nisën mësymjen e tyre për të nënshtruar krahina të tilla si, Berisha, Iballa, Bugjoni etj. Në Luftën e Midhës, që përbën një ngjarje madhore në histori, u zhvillua një luftë tepër e rreptë, që mund t’u kushtonte shumë malësorëve, por aty shkuan menjëherë forca të shumta të komanduara prej Ndoc Mark Deda, si dhe forca të tjera të shumta të nisura edhe nga Qerreti, Ukthi etj. Në këto kushte forcat pushtuese turke u tërhoqën me turp.
Në nëntorin e vitit 1912 Ndoci, në krye të forcave malësore mori pjesë në luftimet e zhvilluara për largimin e forcave turke prej Pukës. Së bashku me vëllezërit, Gjergjin e Mëhillin, shoqëruan delegatët e Kosovës me prijës Isa Boletinin për në Vlorë, ku do të shpallej Pavarësia Kombëtare.
Në prill të vitit 1913 në krye të çetës së vet dhe në bashkëpunim me luftëtarë dukagjinas dhe të Pultit të Shkodrës kryen mësymje të furishme kundër pushtuesve malazezë në zonën e Drishtit e të Vrakës.
Jeta dhe veprimtaria e Ndoc Mark Dedës është vërtet një kalendar i vërtetë trimërie. Në prill të vitit 1915 i përgjigjet pozitivisht ftesës së Dedë Gjo Lulit dhe Mehmet Shpendit për të marrë pjesë në qëndresën heroike të dukagjinasve të Shkodrës ndaj pushtuesve sërbo – malazezë. Gjatë luftimeve të përgjakshme në Molla të Shoshit të Shkodrës ra dëshmor vëllaj i tij – Mëhill Mark Deda, ndërkohë që plagoset rëndë vet Ndoci, i cili u nda nga jeta tre muaj më vonë, në korrik 1915.
Emri i Ndoc Mark Dedës u fut dhe mbeti thellë në kujtesën e popullit. Dhe vazhdoi të transmetohej në breza. Sepse populli e përfshiu në këngët e veta. Ai u bë simbol kuptimplot i njeriut atdhetar dhe mbeti vulë krenarie nga populli. Në urimet që shprehte populli, Ndoc Mark Deda përmendej si një shembull i madh për t’u arritur.
M’i ngjafsh dhëndër Skënderbeut!
Nuse marrsh të bukurën e dheut!
Ditë të bardha pruftë për ty jeta!
Namin paç, si Ndoc Mark Deda!
Ish Presidiumi i Kuvendit Popullor më 17 nëntor të vitit 1982 i ka pas akorduar Ndoc Mark Dedës Medaljen “Për veprimtari patriotike”. Në prill të vitit 2013 Ndoc Dedë Marku është shpallur “Dëshmor i Atdheut” Me vendimin numër 137, datë 05. 10. 2021 të këshillit bashkiak të Tiranës, një rruge të kryeqytetit në njësinë administrative numër 11, i është vënë emri i nderuar i Ndoc Mark Dedës.
Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar nipi i Ndoc Mark Dedës, Prendushi – djali i Gjergjit, katin e dytë të kullës së vet legjendare e shfrytëzoi për shkollë publike për krejt zonën e Brebullave të Berishës, në një kohë që organizohej lufta masive kundër analfabetizmit.
Bëj baba të të ngjaj, thotë populli. Brez mbas brezi atdhetarët guximtarë mbeten po ata: të zgjuar dhe trima. Në ditët e sotme ka bërë emër nipi i Ndoc Dedë Markut: Kol Deda i shpallur “Qytetar Nderi i Pukës”.
Është mirë, kur atdhetarizmi shndërrohet në stafetë frymëzimi për brezat.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close