Rrënimi i kishës katolike në fshatin Keqekollë

Në qendër të fshatit Keqekollë, përkatësisht në lokalitetin e quajtur, “Konaku i Jonuzit”, në anën e djathtë të rrugës dhe përroit, në lagjen e Qelajve, ka gjurmë të një vendbanimi mesjetar. Gjurmë të vendbanimit mesjetar, janë hasur edhe në anën e majtë, në përroin tjetër që e ndanë lagjen e Qelajve me lagjen e Kurtajve. Është me rëndësi të dihet, se te “Konaku i Jonuzit”, në një bregore të vogël (Shih foton 1), deri pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, i kishte mbijetuar kohës, një kishë katolike shqiptare. Bazuar nga dëshmitë e banorëve të kësaj ane, e sidomos një banor i kësaj lagjeje plaku Hetemi, rrëfen për gjurmët arkeologjike në këtë lokalitet, dhe objektin e kishës. Sipas rrëfimeve të tij, në fillim të viteve 50, të shekullit XX, ishte rreth 18 vjeçar, kur pushteti i asaj kohe i kishte mobilizuar banorët e fshatrave të kësaj treve, për ta ndërtuar shtëpinë e kulturës (Shih foton 2), në qendrën e fshatit Keqekollë.
Mbaj mend rrëfen Hetimi, kur pushteti urdhëroi, që ta prishim kishën e lagjes tonë. Kisha deri në ato vite i kishte muret, por i mungonte çatia. Pushteti urdhëroi që gurët e kishës, të barten për ti ndërtuar muret e shtëpisë së kulturës. Unë isha njëri nga punëtorët, që isha caktuar për ta rrënuar kishën. Ne filluam rrënimin e kishës, dhe gurët i bartnim me qerre, deri te vendi ku do të ndërtohej shtëpia e kulturës. Mbaj mend se te pragu i kishës, ne hasëm në një pllakë të mermerit, me ngjyrë të kuqërremtë. Në këtë pllakë ishte i skalitur një kryq, dhe në pllakë kishte qenë një shkrim me shkronja latine. Por sa e dërguam këtë pllakë, te vendi ku ndërtohej objekti i ri, dikush nga punëtoret, pllakën e ndau nga gurët tjerë, dhe e mbështeti për murin e objektit të policisë. Për fatin e këtij mbishkrimi, ne banorët e kësaj ane nuk kemi asnjë informatë tjetër, rrëfen plaku Hetem.
Këtë rrëfim e kishin treguar edhe disa banor tjerë që në ato vite kishin marrë pjesë në ndërtimin e shtëpisë së kulturës në fshatin Keqekollë.
Kështu pas pushtimit nga Serbia, shkatërrohej çdo gjurmë e shqiptarëve autokton në këto troje.

nga Qazim Namani

 

 

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close