Njohja nga Spanja “me efekt domino në shumë shtete mosnjohëse të BE-së”

“Njohja eventuale e subjektivitetit të Kosovës, nga njëra ndër pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, gjegjësisht Spanjës do të kishte një impakt të jashtëzakonshëm”.

Kështu për Albanian Post ka vlerësuar ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, pasi sipas tij Spanja si një shtet i fuqishëm për brenda BE-së do të kishte një efekt domino në shumë shtete mos njohëse në union dhe më gjerë.

“Spanja ka ndikim të jashtëzakonshëm në tërë Amerikën Latine dhe shumë vende të tjera, njohja e Spanjës do të merrte me vete edhe shumë njohje të shumë shteteve të tjera dhe njëkohësisht do të lehtësonte rrugën e Kosovës drejtë integrimeve evropiane”, ka thënë ai për AP.

Megjithatë ish-ambasadori Arifi e sheh si të pakuptimtë pozicionin e Spanjës karshi Kosovës, pasi sipas tij ajo ka qenë ndër vendet kyçe që ka mundësuar lirinë e Kosovës duke marrë pjesë në bombardimet e NATO-s kundrejt Serbisë.

“Është vështirë të parashikohet një ndryshim i politikës spanjolle karshi subjektivitetit të Kosovës. Shpresojë që do të ketë një rikthim të politikës së Spanjës drejtë asaj që ka qenë përpara pra si një partnerë i rëndësishëm në vendosjen permanente të paqes në Ballkan”.

Në anën tjetër, ish-ambasadori i Kosovës në Tajlandë, Muhamet Brajshori, mendon se Politika e Jashtme spanjolle në Ballkanin Perëndimor ka dështuar më shumë se një dekadë, kështu duke e dëmtuar kredibilitetin e BE-së në rajon.

“Mosnjohja nga Spanja dhe katër vendet e tjera të BE-së e kane cunguar rolin e saj por edhe e kane dëmtuar Kosovën duke humbur vite të tëra të saj në pritje”, ka theksuar Brajshori për AP.

Sipas tij, Spanja nuk e njeh Kosovën, por synon të kopjojë formën e angazhimit të dy shteteve të tjera mosnjohëse të BE-së pra Rumaninë dhe Sllovakinë, kështu duke hapur një zyrë ekonomike në Prishtinë, e cila do të ishte kanali i komunikimit me qeverinë e Kosovës.

Brajshori më tej për AP ka treguar se njohja eventuale e pavarësisë së Kosovës nga Spanja është e ndërlidhur ekskluzivisht me rezultatin përfundimtar të dialogut.

“Kosova duhet të jete me pro-aktive në dialog kjo hap mundësinë e njohjes nga Spanja dhe vendet e tjera të BE-së në dy-tre vitet e ardhshme. Ka deklarime nga Qeveria e Spanjës e cila mundësinë e njohjes e ndërlidh me rezultatin e dialogut”, ka shtuar ai.

Megjithatë, ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Universitetin e Agder, Abit Hoxha, mendon se Spanja ka disa vite që ka shënuar ndryshim në politikën e saj ndaj Kosovës, por kjo e fundit asnjëherë nuk ka mundur ta materializoj këtë sinjal.

“Spanja, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe Kosova pothuajse asnjëherë nuk ka pasur një iniciativë serioze të shpjegoj e të arsyetoj njohjen nga ajo”, ka thënë Hoxha për AP.

Ndryshe, më 20 nëntor të këtij viti gazeta spanjolle, The Objective kishte botuar një artikull ku shkruhej se kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez po përgatitet të bëjë një kthesë historike në pozicionin e shtetit të tij ndaj Kosovës kështu duke hapur një zyre ekonomike apo kulturore në Kosovë.

Në anën tjetër, Sekretari i Shtetit spanjoll për BE-në, Juan Gonzalez-Barba, kishte bërë të qartë se Spanja nuk do ta njeh Kosovën përderisa nuk do të ketë marrëveshje dy palëshe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Javë më parë edhe deputeti spanjoll, Aitor Esteban kishte kërkuar nga Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ta njeh Kosovën njëherë e përgjithmonë pasi sipas tij Spanja de facto e ka njohur subjektivitetin e Kosovës pasi ka pranuar të luaj zyrtarisht një ndeshje futbolli me kombëtaren e saj.

Spanja si pjesë e BE-së është njëra ndër pesë shtetet mos njohëse të pavarësisë së Kosovës së bashku me Qipron, Sllovakinë, Rumaninë dhe Greqinë./AlbanianPost

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close