NJË PLATFORMË KOMBËTARE PËR KULTURË SHQIPTARE

Në çdo vend jeta e gjithmbarshme e një shoqërie rregullohet sipas akteve normative dhe akteve nënligjore. Kushtetuta është akti monumental i çdo shteti në të cilën bazohet tërë struktura e ligjeve, statuteve, rregulloreve të cilat përbëjnë “binaret” e një shoqërie të shëndoshë e funksionale
Kur u hartua Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shqiptarët ishin të përjashtuar nga përfshirja në komisionin amë për përgatitjen e këtij akti themeltar! U përjashtuan edhe nga hartimi i shumë ligjeve, të cilat tashmë nuk kishin nevojë për kontribute e interpretime shqiptare, sepse gjithçka bazohej në Kushtetutën e miratuar! Megjithatë, falë këmbënguljes së partive politike shqiptare, u arrit të sensibilizohen edhe maqedonasit dhe të pranojnë se në rrugëtimin e shtet-ndërtimit nuk do të mund të jenë të suksesshëm pa shqiptarët e këtushëm, sikur nisën t’i përfshijnë edhe shqiptarët, por de jure, vetëm si popull me emrin “20 për qind”! Kjo dukuri do të shtrihet edhe në të gjitha nenet e Ligjit për Kulturë, i cili, pa dyshim, bazohet në Kushtetutën e vendit që e rregullon “shtetin maqedonas”!
Shqiptarët si popull, të përjashtuar nga “obligimi shtetëror” i Maqedonisë së Veriut, bëjnë një jetë kulturore, e cila me tepër na del si kopjim diletant, si kopje e zbehtë e kulturës kombëtare që zhvillohet në Shqipëri e Kosovë, më tepër në baza vullnetare se sa të përkrahur nga institucionet shtetërore.
Ky mjerim kulturor pa dyshim që i atribuohet politikave mjerane të partive shqiptare të këtij shteti! Se nuk shprehin kurrfarë interesimi për kulturën kombëtare, këtë më së miri e vërtetojnë “programet” e tyre partiake! Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut më tepër janë të përkushtuar për ekologjinë, për “arsimimin e shqiptarëve”, duke hapur “universitete” partiake që prodhojnë diploma për “politikanët” me përgatitje shkollore tetëvjeçare si dhe për ata që janë në gjendje të paguajnë sa t’u kërkohet! Nëpër programet partiake të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, nuk gjen njeriu asnjë “kapitull” që flet për zhvillim dhe jetë kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Mbi të gjitha, ky problem duhet të jetë brengë serioze për qendrat kombëtare të vendosjes për fatin e shqiptarëve, Tirana dhe Prishtina! Akademitë e shkencave dhe arteve të Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të obligohen të hartojnë platformë kombëtare për zhvillim kulturor që do të ishte segment i patjetërsueshëm i programeve partiake të partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe gjithandej ku jetojnë ata në viset etnike. Nuk mund të përkrahet nga qendrat shqiptare asnjë parti e cila nuk e ka prioritet zhvillimin kulturor të shqiptarëve, duke e kultivuar identitetin kulturor pro-perëndimor! Nuk ka përfshirje në asnjë qeveri e cila nuk garanton themelim të institucioneve nacionale kulturore, konkretisht për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut! Pa dyshim, implementimi i platformave të tilla kombëtare mund të ketë implikime financiar e për të cilat “shteti maqedonas” nuk mund të zotohet se mund të krijojë buxhet dedikues. Prandaj, në një plan afatgjatë asgjë nuk do të kushtonte për Shqipërinë dhe Kosovën të kontribuonin me “shuma modeste” në krijimin e buxhetit për t’u zbatuar platforma kombëtare për zhvillim kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut! Kujdesi kombëtar e shtetëror sado që mund të duket “utopik”, megjithatë nesër do të ketë një pjesë të veten që nuk do ta ketë as “ngarkesë”, as “ngatërresë”, as “turp”, as “hendikep”, por thjesht një motor shoqërues në zhvillimin dhe përparimin kulturor kombëtar! Standardet kombëtare për zhvillim kulturor duhet të jenë të përbashkëta, pavarësisht ku jetojnë e ku frymojë shqiptarët! Jashtë këtyre standardeve do të kishim diletantizëm, amatorizëm dhe asimilim, do të kishim rrezik potencial për shitje për “kulturë shqiptare” të “turlitavave kulturore” të huaja, që do të ishin turp i madh për mbarë kombin!/ HEJZA/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close