Aksidenti tragjik në Bullgari/ Mesazhe ngushëllime nga autoritetet shqiptare

ATSH/-Autoritetet shqiptare kanë shprehur ngushëllime familjeve të viktimave të aksidentit tragjik të ndodhur në Bullgari ku kanë humbur jetën 46 persona nga Maqedonia e Veriut teksa po udhëtonin me një autobus.

Presidenti Ilir Meta shprehet, “hidhërim i madh dhe trishtim i thellë për humbjen aksidentale tragjike të jetës të bashkëkombësve tanë nga Maqedonia e Veriut. Në këto çaste të rënda i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe autoriteteve të vendit fqinj, si dhe uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë për të mbijetuarit”.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në mesazhin e saj të ngushëllimit shprehet, “dhimbje e thellë për tragjedinë e aksidentit të udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut në Bullgari. Ngushëllime familjeve të tyre! Ju jemi pranë në këto momente tejet të vështira”.

Gjithashtu Nikolla, i ka shprehur dhimbjen kryeparlamentarit Talat Xhaferi për humbjen e jetëve të qytetarëve nga Maqedonia e Veriut.

“Ju shpreh ngushëllimet e thella për humbjen e jetëve në aksidentin tragjik. Në këto çaste të rënda jam pranë jush, pranë shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ngushëllime familjeve të qytetarëve që humbën jetën në këtë fatkeqësi”, shprehet Nikolla në mesazhin e ngushëllimit drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Edi Rama në reagimin pas tragjedisë shprehet se nuk ka fjalë për këtë tragjedi, ku pothuajse të gjithë udhëtarët kanë ndërruar jetë.

“S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët… Dhimbje”, shprehet Rama.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria është pranë Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj në këtë moment të vështirë”, shprehet Xhaçka.

Gjithashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllime pë jetët e humbur në aksidentin tragjik.

“I shokuar nga tragjedia e tmerrshme në Bullgari që shkaktoi humbjen e kaq shumë jetëve të pasagjerëve, përfshirë shumë bashkombas tanë e mes tyre shumë të mitur. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Zoti ju dhënë forcë në përballimin e kësaj dhimbje të tmerrshme”, shprehet Basha.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjet e prekura nga kjo tragjedi tepër e dhimbshme.

“Një aksident i rëndë automobilistik është shënuar sot në një autostradë bullgare pranë Sofies, ku kanë humbur jetën 46 udhëtarë, mes tyre 12 fëmijë, të cilët udhëtonin me një autobuz nga Stambolli për në Shkup. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë bullgare Stanimir Stanev për Deutsche Welle, “Informacionet fillestare tregojnë se 52 persona po udhëtonin në autobuz, duke përfshirë dy shoferë me kombësi maqedonase dhe 50 pasagjerë me kombësi shqiptare”, tha Balla.

Edhe kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj shprehu trishtimin për ngjarjen tragjike.

“Fort i trishtueshëm lajmi për tragjedinë e aksidentit të udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut në Bullgari. Ngushëllime familjeve”, tha Veliaj.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close