Do të duhen javë për të kuptuar më shumë për Omicronin

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë të hënën se varianti i ri i koronavirusit, Omicron mund të përhapet në gjithë botën dhe përbën rrezik “shumë të madh” për vendet ku pasojat mund të jenë të mëdha.

Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara ka këshilluar 194 vendet anëtare që të rrisin shkallën e vaksinimit te grupet me prioritet të lartë”.

“Omicron ka numër të pashembullt të mutacioneve, disa prej të cilave janë shqetësuese për shkak të ndikimit potencial në trajektoren e pandemisë”, ka thënë OBSH-ja.

“Rreziku i përgjithshëm global i lidhur me variantin e ri të Omicronit vlerësohet se është i lartë”.

OBSH-ja ka thënë se duhet bërë më shumë kërkime për të kuptuar potencialin e këtij varianti ndaj imunitetit të fituar nga vaksinat dhe infektimet paraprake.

Presidenti amerikan, Joe Biden do të flasë të hënën, 29 nëntor, para popullit amerikan për variantin e koronavirusit, Omicron, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, teksa disa kombe evropiane kanë bërë të ditura rastet e para të variantit të identifikuar fillimisht në Afrikën e Jugut.

Autoritetet janë të shqetësuara se ky variant mund të transmetohet më lehtë, apo që efekti i vaksinave ekzistuese mund të jetë më i vogël ndaj tij, ndonëse ende ka shumë të panjohura.

Asociacioni Mjekësor i Afrikës së Jugut, ka thënë se njerëzit që janë infektuar me variantin Omicron nuk kanë qenë shumë të sëmurë, ndonëse shumica prej tyre janë të rinj dhe me më pak mundësi që të përballen me sëmundje të rënda.

Pas takimit me presidentin Biden, eksperti kryesor i SHBA-së për sëmundje infektive, Anthony Fauci, ka parashikuar se do të duhen edhe rreth dy javë kohë për të pasur informacion përfundimtar për variantin e ri.

Fauci ka thënë se beson që vaksinat ekzistuese mund të ofrojnë “një shkallë të mbrojtjes kundër rasteve të rënda të sëmurjes me COVID” dhe zyrtarët shëndetësorë në SHBA kanë përsëritur rekomandimin e tyre që amerikanët e vaksinuar të marrin dozën përforcuese, është thënë në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Drejtori i Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë, Francis Collins, ka thënë për kanalin Fox News se duhen më shumë të dhëna përpara se autoritetet të flasin për ashpërsinë e këtij varianti.

“Do ta kuptojmë këtë gjë në javët në vazhdim”, ka thënë Collins, duke cituar Faucin.

Rastet e para me Omicron janë konfirmuar në Australi, Belgjikë, Bostvana, Britani, Danimarkë, Gjermani, Hong Kong, Izrael, Itali, Holandë, Francë, Afrikë e Jugut dhe Kanada.

Në një intervistë për transmetuesin ABC, Fauci ka thënë më 28 nëntor se varianti i ri do të arrijë “pashmangshëm” në Shtetet e Bashkuara.

“Kemi sinjale të qarta se virusi ka kapacitet për t’u përhapur shpejt. Kjo gjë është duke na shqetësuar neve”, ka thënë ai.

Shtetet e Bashkuara u janë bashkuar kombeve tjera, për kufizime në udhëtim për të parandaluar përhapjen.

Duke nisur nga 29 nëntor, gati të gjithë shtetasit e huaj që kanë qenë në ndonjërin nga tetë shtetet e Afrikës së Jugut në 14 ditët e fundit, nuk do të mund të hyjnë në SHBA.

Autoritetet amerikane po ashtu u kanë bërë thirrje amerikanëve që të mos udhëtojnë në këto vende.

Shtetasit amerikanë do të mund të hyjnë në SHBA dhe ende nuk ka kërkesa shtesë për ta, pas arritjes.

Komisionarja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje po ashtu për veprim të shpejtë.

“Ne e shohim me shumë seriozitet variantin Omicron dhe e dimë se tani jemi në garë kundër kohës”, ka thënë von der Leyen më 28 nëntor, gjatë një vizite në Letoni.

Ajo po ashtu ka vlerësuar se shkencëtarëve dhe prodhuesve do t’iu duhen dy deri në tri javë për të kuptuar fuqinë e variantit.

Përveç Shteteve të Bashkuara, lista e shteteve që kanë vendosur kufizime për udhëtarët nga Afrika e Jugut janë Kanadaja, Turqia, Arabia Saudite, Indonezia, Pakistani, Australia, Izraeli, Japonia dhe disa vendeve të Bashkimit Evropian.

Afrika e Jugut ka dënuar këto ndalesa në udhëtime, duke thënë se ato janë të barasvlefshme me ndëshkim për identifikim të variantit Omicron.

“Shkenca e shkëlqyer duhet të duartrokitet dhe jo të ndëshkohet”, është thënë në një deklaratë të lëshuar nga Ministria për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

“Komuniteti global ka nevojë për bashkëpunim dhe partneritet për të menaxhuar pandeminë e koronavirusit”.

Zyrtarë të Afrikës së Jugut kanë nisur diskutimet me shtetet që kanë miratuar kufizimet në udhëtim, duke shpresuar se do të rishqyrtojnë vendimet, është thënë në deklaratë.

Me qëllim të kontrollimit të shpërthimit në Afrikën e Jugut, presidenti, Cyril Ramaphosa, ka njoftuar se Qeveria do të nisë konsultimet për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin për disa aktivitete dhe lokacione.

Ramaphosa e ka shfrytëzuar një fjalim televiziv më 28 nëntor për të kundërshtuar ndalesat në udhëtime dhe ka bërë thirrje që ato të hiqen “para se të bëhet dëm më i madh në ekonomitë tona dhe jetët e njerëzve tanë”.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close