LIRIA E UZURPUAR NGA “REVOLUCIONARISTËT”

Kur një popull ka nevojë për “revolucion mendimi” (problem i shtruar nga Sulejman Rushiti, regjisor)? Kur mund të jetë ajo kohë për një konstatim të tillë! Koha e sodit?
Pa dyshim, kur shprehja e mendimi rrjedh nga një “gyp partiak”, kur mendimi është i disiplinuar dhe uniform me mendimin e liderit politik, kur ngulfatet mendimi i “fakirit”, kur ndrydhet nevoja për shprehje të mendimit alternativ, kur bllokohet fjala e intelektualit, kur shantazhohet intelektuali, kur blihet intelektuali me një post, me një projekt, me një detyrë – ky është ai moment për “revolucion mendimi”. Revolucionet shpërthejnë vetëm kur liria është në zgrip të asfiksisë momentale (liria nuk vdes kurrë!) kur jeta humb kuptimin e vet, kur hyjnizohet pushteti politik deri në religjion “që i bën mirë shpirtit”!
Në momente të tilla shpërthen revolucioni dhe me të drejtë pushteti duhet t’u takojë revolucionaristëve. Por, kjo e drejtë humbet në çastin kur revolucionaristët uzurpojnë lirinë! Liria humb domethënien e vet në momentin kur identitetin kulturor ta “qepin” militantët partiakë, ata që në jetën e vet nuk kanë lexuan më shumë se tre tituj librash (pra, jo gjithë librin)! Platformën e zhvillimit të këtij identiteti ta shtrojnë dibiduzët, të cilët janë në gjendje “ta vrasin” me oratorinë e tyre “revolucionariste” çdo kulturolog, çdo intelektual që mund të jetë edhe nderi i kombit. Nëse injoranca është masë tumorale në trup të identitetit kulturor, mediokriteti është kancer i këtij identiteti! Kur të shtrihet përtokë mendimi intelektual, atëherë në sipërfaqe dalin arrivistët, mediokrët, pseudomendimtarët, shitësit e dushkut për gogla!
Për fat të keq, ky është realiteti anekënd viseve tona etnike, realitet që pasqyron rikthimin tonë në kohën fishtiane, me një përjashtim esencial: nëse atëbotë të tjerët e shfrytëzonin injorancën tonë për t’u tallur me ne, sot ne e shfrytëzojë injorancën për t’u tallur me vetveten. Këtu te ne, në Shqipëri, “revolucionaristët” (PS) mposhti “injorantët” (PD) që “kostumin kulturor” të na e presin anonimusët! Intelektualët kombëtarë duhet të heshtin, sepse ata duhet ta dinë që buxheti shtetëror nuk është në duart e tyre! Në Kosovë “revolucionaristët” çliruan Kosovën dhe pavetëdije vazhduan avazin e mihjes në themel të identitetit kulturor. Këta u mposhtën nga “neo-revolucionaristët” (LVV) sa për t’i pensionuar të parët në mihje të këtij identiteti. Në Maqedoninë e Veriut e gjetiu nëpër viset tona etnike, “revolucionaristët” (BDI) kanë gjetur metodën e bërjes së “kulturës” – duke i heshtur intelektualët! Të gjitha partitë e tjera, të gjithë “intelektualët” e tubuar nëpër subjekte të tjerë, me t’u dhënë shansi për pjesëmarrje në qeveri, sakaq bëhen palë edhe të degradimi të identitetit kulturor. Koha është për politikë e jo për kulturë, ë! Për kusht në përfshirje në qeveri, nuk shtrojnë zhvillimin e identitetit kulturor, por postet ministrore e drejtoritë e ndryshme!
Prandaj, regjisori nga Maqedonia e Veriu, Sulejman Rushiti, në një intervistë në “Hejza” klithë përvajshëm: “Ne kemi nevojë për revolucion mendimi”! /HEJZA/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close