Sistemi i Arsimit në Kosovë, nuk ka një bazë të të dhënave për profesionet dhe vendet e punës që kërkohen në vend, në mënyrë që institucionet e arsimit të lartë të orientohen për të përcaktuar edhe numrin e kuotave në programet e nevojshme dhe të rinjtë të orientohen. Ndërkohë, Agjencia e Akreditimit ka nxitur institucionet për programet e teknologjisë dhe inxhinierisë, pasi tregu i punës në Kosovë, është kërkues ndaj këtyre programeve.

Kosova ende nuk e ka një bazë të të dhënave për profesionet që kërkohen në tregun e punës në vend për të ndihmuar të rinjtë që të orientohen në karrierën e tyre. Ndërsa, Agjencia e Akreditimit thotë se kjo është një punë të cilën duhet ta bëjë Agjencia e Statistikave dhe Ministria e Punës. Drejtori i Agjencisë, Naim Gashi, ka thënë për Radio Kosovën, se nëse do të kishte një databazë të saktë për profesionet të cilat kanë teprica në tregun e punës, atëherë Agjencia e Akreditimit me automatizëm do të mundë të kufizonte numrin e studentëve në këto programe.

Gashi bëri të ditur se po i nxisin programet në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë, për arsye se tregu i punës në Kosovë është kërkues ndaj këtyre programeve.

Ndërsa, Elmedina Kurti, zyrtare e Qendrës për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës, tha për Radio Kosovën se janë të fokusuar së bashku me studentë e në harmoni me tregun e punës për të parë se cilat janë nevojat për të ndihmuar ata që të orientohen.

Kurti theksoi se pa marrë parasysh se në cilin program studiojnë të rinjtë, ata duhet të zhvillojnë patjetër shkathtësitë kompjuterike dhe në gjuhët e huaja, pasi këto kërkohen në çdo aplikim për vend pune. Ajo theksoi se kjo qendër organizon takime të shpeshta me punëdhënës të fushave të ndryshme, për të parë se ku ka mundësi universiteti të shtojë diçka të re në kurrikula, për të ndërlidhur teorinë me praktikën.

 

 

Autor: Albana Bajrami