PROMOVIMET TONA TRAGJIKO-KOMIKE

Është vështirë të jepet një definicion i saktë rreth absurdeve shqiptare, ndonëse ato janë pasojë e trajtimit mbrapsht të objektivave të shtruara. Një trajtimi të këtillë gjithnjë e më shumë po i nënshtrohet edhe libri, duke e bërë atë objekt tallje edhe në aktin e “promovimit”. Në kontekst të kësaj, vetvetiu imponohen disa pyetje: si kuptohet ndër ne promovimi i librit? Pse promovohet libri? Kur duhet të promovohet libri?
Janë disa “autorë” që akoma pa u tharë ngjyra e librit, sakaq, hop, e çojnë në ambient kafeneje dhe mblidhen disa miq e familjarë, angazhohet ndonjë “kritik”, i cili, si zakonisht në promovimet e këtilla, librin e ngrit në maje të qiellit (kurrë, ama bash kurrë deri më tani ju nuk keni dëgjuar ndonjë vërejtje, qoftë edhe shkarazi, për ndonjë libër të promovuar). Pastaj dy – tri fjalë i thotë edhe autori ose autorja, dëgjohen duartrokitje dhe, në fund, pason kokteji. Hanë e pinë dhe askush asgjë nuk merr vesh se çfarë në fakt ndodhi.
Kështu kalojnë promovimet e librave të “autorëve” shqiptarë, nëpër të cilat disa shkojnë për ta humbur kohën, disa për të marrë poza, disa për të bërë sehir e disa për të mbllaçitur pije e ushqim.
Shpesh ndodh që ata, demek kritikët, që angazhohen për të thënë ndonjë fjalë, shkojnë në promovim pa e lexuar librin dhe në vend të kësaj, i thonë ca fjalë të mësuar përmendësh dhe fare nuk turpërohen.
Por, ka edhe promovime, në të cilat, emra të njohur të letërsisë shqiptare, çuditërisht, angazhohen të flasin për libra, që në fakt nuk meritojnë as të lexohen, sepse janë pa vlerë. E kur jemi te ata që angazhohen të “flasin” për librat që promovohen, ka edhe të tillë që këtë e bëjnë me lek, pra e paguajnë “mundin” e tyre.
Në kontekst të gjithë kësaj dhe, duke na argumentuar vetë realiteti ynë, aspak nuk gabojmë nëse themi se promovimet tona të librit janë ngjarje tragjiko-komike, sepse ndryshe nuk dimë t’i organizojmë.
Duhet pasur guxim intelektual që të promovohet një libër, sepse paraprakisht duhet shqyrtuar mirë e mirë se a i plotëson, së paku, kriteret elementare. Pastaj libri duhet të jetë i lexuar nga më shumë lexues, me qëllim që në aktin e promovimit të hapet një debat rreth tij, i cili debat do të rezultonte me shumë përfundime edhe në dobi të autorit apo autores, por edhe në dobi të audiencës.
Pra, promovimi duhet të ketë një qëllim dhe duhet të jetë në dobi të librit e jo në dobi të disa tekeve nihiliste që ndërlidhen kryekëput me formën dhe aspak me përmbajtjen.
Përderisa nuk ndryshojmë qasjen ndaj librit, përkatësisht derisa nuk kuptojmë se promovimi është çështje serioze dhe me përgjegjësi, ne do të vazhdojmë të jemi dëshmitarë të këtyre akteve tragjiko – komike, të cilat i ngjajnë si veza vezës, gjithnjë për të keqe. Mbase, absurdet shqiptare nuk po gjejnë fundin… /HEJZA/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close