ZEF ZORBA, I PARI POETI HERMETIK I LETËRSISË SHQIPE

Në vitin 1920, kur në Shqipëri vijonte të gëlonte letërsia e rilindjes me ndonjë “thumb” satirik të lëshuar nga atë Fishta, lindi në familjen Zorba i pari poet vërtetë hermetik i letërsisë shqipe, vepra e të cilit do të paraqitej për publikun vetëm post – mortum plot 74 vjet më pas.
Zorba vinte nga një familje me zë dhe familje filantropësh. Tokat e veta në bregun e lumit të Kirit, kjo familje shkodrane ia fali Kishës dhe kjo e fundit ngriti aty vorret katolike, që sot janë pjesa historike monumentale fort në zë e këtij qyteti. Edhe sot në qendër të këtyre varrezave, varrezave të Rrmajit, lartësohet çinari i madh shumëshekullor me emrin Çinari i Zorbës.
Poeti Zef Zorba rrjedh nga një prej familjeve aristokrate të Shkodrës, të asaj Shkodre që i thonin edhe Venecia e dytë, qoftë për shkak të rrethimit me ujëra, por edhe se ka qenë një qendër me kulturë e tradita të hershme.
Vepra e tij do të thurej në një heshtje thuajse në të njëjtën kohë me veprën e Camajt, të dy jashtë realitetit komunist: Camaj duke jetuar në Gjermani, ndërsa Zorba duke jetuar në Pranverën që i thoshte me shpejtue në poezinë “Shpejto prandverë”:
Shpejto prandverë!
Kjo shpresë a’i thar që shpirtin brenë ma keq,
Se urithi dhenë!
Me këtë shpresë, jetonte Zef Zorba, “një poet i lindun në kohna të mbrapshta” si do të shprehet për të, në ndoshta artikullin më të plotë kushtuar këtij personaliteti letrar, studiuesi e përkthyesi Ardian Ndreca (Revista “Hylli i Dritës”, Viti 2010, nr. I).
Zorba i mbylli sytë në vitin 1993, një vit para se lexuesve t’u hapeshin sytë me poezinë e tij.
Sikurse thashë, për herë të parë vepra e Zorbës u bë e njohur në vitin 1994, përgatitur nga Stefan Çapaliku. Ajo jo veç ishte shkruar gjysëm shekulli para botimit, por dukej sikur ishte harruar bashkë me autorin.
Menjëherë u vlerësua nga lexues e studiues aq sa, dy vjet më pas, mori çmimin “Martin Camaj” me motivacionin: Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht e rimerreshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqipe dhe e rimëkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close