Briken Calja medalje ari në shkëputje dhe dy të argjendta

ATSH/ Peshëngritësi shqiptar Briken Calja është shpallur këtë të premte kampion bote në stilin e shkëputjes. Në kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po zhvillohet në Uzbekistan, peshëngritësi kuqezi arriti të rrëmbejë medaljen e artë në kategorinë 73 kg, duke ngritur në provën e tretë peshën 156 kg.

Calja e nisi konkurrimin me 152 kg, peshë të cilën e ngriti që në provën e parë. Ai ishte i suksesshëm edhe në provën e dytë, kur ngriti 154 kg. Ndërsa në provën e tretë e rriti peshën në 156 kg duke e ngritur me sukses.

Një garë e suksesshme dhe e zgjuar e Caljes, që arriti të marrë maksimumin nga ky stil.

Është hera e parë që ky peshëngritës merr medalje të artë.

Ndërsa në stilin e shtytjes Briken Calja u shpall nënkampion bote, duke zënë vendin e dytë pasi ngriti 186 kg, 6 më pak se vendi i parë. Ai tentoi 190 kg në provën e tretë, por nuk ia doli, duke marrë kështu medalje të argjendtë.

Kështu në dygarësh Calja arriti peshën 342 kg, 1 kg më pak se vendi i parë, duke u renditur në vendin e dytë e duke marrë medaljen e argjendtë.

Po sot garoi edhe peshëngritësi tjetër shqiptar Erkand Qerimaj, i cili në peshën 73 kg në stilin e shkëputjes arriti të ngrejë shtangën 153 kg në provën e tretë. Ai e nisi konkurrimin me 150 kg, duke e realizuar me sukses provën e parë.

Më pas, ai tentoi 153 kg, por nuk e ngriti dot këtë peshë në përpjekjen e dytë. Gjithsesi, shkodrani ia doli mbanë të ngrejë 153 kg në provën e tretë, por e humbi medaljen e bronztë për shkak të peshës trupore me rusin Petrov (edhe ky ngriti 153 kg).

Erkand Qerimaj për dy kilogramë humbi zonën e medaljes në dygarësh. Ai u rendit i katërti me 333 kilogramë në total.

Një ditë më parë peshëngritësja Evangjeli Veli, e cila garoi në peshën 55 kg, nuk arriti të vazhdonte konkurrimin në dygarësh, pasi pësoi një dëmtim, që e detyroi të tërhiqej nga gara në stilin e shtytjes.

Në stilin e shkëputjes Veli arriti të ngrejë shtangën me peshë 89 kg, duke u renditur e katërta në botë.

Ditën e shtunë do jetë radha e dy peshëngritësve të tjerë kuqezi, Daniel Godellit dhe Krenar Shorajt, të garojnë në Botërorin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Uzbekistan.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close