Presidenti Meta kthen në Kuvend ligjin për “Buxhetin 2022”

ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend ligjin për “Buxhetin 2022”.

Në arsyet e kthimit të tij Meta shprehet se, në tërësinë e tij ky pr/ligj është një plan financiar antisocial. Ka mangësi shqetësuese të transparencës në lidhje me shpenzimet dhe politikat fiskale. Paraqet problematikë shumë shqetësuese në lidhje me nivelin e borxhit publik, përdorimit dhe efektit ekonomik të tij.

Sipas Metës, mungon mbështetja reale për sektorët e ekonomisë dhe në mënyrë të veçantë për bujqësinë. Mungon mbështetja e nevojshme buxhetore për shtresat në nevojë për kurimin ndaj infeksionit COVID-19, të cilët trajtohen në shtëpi dhe jashtë sistemit spitalor.

Meta thekson se, “ligji, edhe pse para miratimit është shqyrtuar nga Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat në cilësinë e komisionit përgjegjës, dhe është shqyrtuar në parim nga Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; Komisioni Parlamentar për Integrimin Evropian; Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik; Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme; Komisioni Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin; Komisioni Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë; sërish reflekton mangësi të theksuara në planifikimin dhe alokimin e fondeve buxhetore për vitin 2022, sipas nevojave reale që ka vendi për të adresuar problematikat më emergjente. Edhe pse në relacionin shoqërues të projektligjit deklarohet se, projektbuxheti 2022 synon konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore, si tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19; apo se synohet të sigurohet një ulje e pandalshme dhe e qëndrueshme e stokut të borxhit publik në periudhën afatmesme 2022-2024, shifrat konkrete që gjejnë pasqyrim në ligjin për Buxhetin 2022, vlerësohen se nuk sigurojnë një përdorim eficient, efektiv dhe ekonomik të burimeve financiare publike, sipas nevojave të vendit.

Meta shton se, “treguesit krahasues me vendet e rajonit, janë selektivë dhe nuk pasqyrojnë realisht gjendjen ekonomike dhe sociale të Shqipërisë në raport me këto vende”.

Meta thekson se, “në vitin 2020, Shqipëria ka produktivitetin më të ulët krahasuar me vendet e rajonit. Në Shqipëri rreth 33 % e popullsisë ka të ardhura nën 5.5 $ në ditë. Paga minimale në Shqipëri sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar është më e ulta krahasuar me vendet e rajonit. Shqipëria vazhdon të ketë një performancë të ulët në mbledhjen e të ardhurave publike. Në vitin 2020 Shqipëria mbledh rreth 26.3 % të PBB-së”.

“Buxheti i vitit 2022 nuk reflekton prioritetet për shpenzimet të cilat duhet të mbështesin grupet më në nevojë, përkundrazi reflekton rritje të kostos së borxhit publik, të shpenzimeve operative, të shpenzimeve për koncesionet me mbështetje buxhetore, si dhe një nivel të lartë të investimeve publike”, thotë Meta në arsyetim.

Gjithashtu Meta shton se, “buxheti i vitit 2022 nuk reflekton një politikë të kujdesit social, për të përmirësuar gjendjen sociale në tërësi, si dhe në veçanti të personave në kufijtë e varfërisë”.

Meta shton se, “shpërndarja e fondeve buxhetore sipas institucioneve buxhetore për vitin 2022 nuk reflekton prioritet për sa i përket buxhetit të arsimit, të shëndetësisë, të përkujdesit social, të bujqësisë, etj.”.

“Politika fiskale nuk e ndihmon përmirësimin e klimës së biznesit. Ngarkesa fiskale në raport me fitimin e biznesit është shumë e lartë, ndërsa performanca e mbledhjes së të ardhurave është e ulët. Evazioni dhe shmangiet tatimore vazhdojnë të thellohen si rezultat i diferencimit fiskal, i informalitetit të lartë dhe i përjashtimeve selektive,” vijon Meta.

Meta shton se, “dokumenti i buxhetit i vitit 2022 nuk ka transparencë për vlerësimin e detyrimeve të prapambetura si dhe një plan për shlyerjen e tyre. Vlerësimi i detyrimeve të prapambetura të qeverisë së përgjithshme dhe detyrimet e nënhuasë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë janë shumë më të ulta krahasuar me raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

“Vlera e projekteve PPP si me mbështetje buxhetore, por dhe me ofertë të pakërkuar, vazhdon të rritet në buxhetin e vitit 2022. Me rritjen e vlerës dhe numrit të projekteve PPP, janë rritur edhe më shumë risqet fiskale”, shprehet më tej Meta.

Meta nënvizon se, “objektivi kryesor i politikës fiskale duhet të jetë kthimi i raportit të borxhit ndaj PBB-së në një rrugë rënëse. Politika fiskale jo vetëm që nuk garanton realizimin e objektivit kryesor të politikës fiskale për një rikthim të raportit të borxhit ndaj PBB poshtë nivelit 45 %, apo dhe në nivelin e vitit 2020, por përkundrazi mungesa e transparencës për sa i përket vlerësimit real të stokut dhe risqeve të reja të rritjes së borxhit do të vënë në rrezik qëndrueshmërinë e financave publike dhe përkeqësimin e treguesve makroekonomikë të vendit”.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close