Konjufca: Kuvendi ynë ka mbushur njëzet vjet

Kryeparlamentari Glauk Konjufca se Kuvendi i Kosovës ushtron kompetencat e tij duke pasur parasysh gjithnjë parimin e ndarjes së pushteteve të sanksionuar me Kushtetutën si dhe parimin e përfaqësimit të të gjithë qytetarëve të Kosovës. kështu tha ai në 20 vjetorin e krijimit të Kuvendit.

Postimi i plotë i Kuvendit:

Kuvendi ynë ka mbushur njëzet vjet

Tetë palë zgjedhje parlamentare dhe tetë legjislatura janë realizuar gjatë këtij 20-vjeçari, në kushtet e lirisë e të demokracisë.

Zanafilla e Kuvendit të Kosovës daton dekada më parë, duke evoluar gjatë etapave të ndryshme të historisë së Kosovës.

Përballë kërkesave të qytetarëve, por me kufizime të përgjegjësive, të përcaktuara nga kuadri ligjor i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe i Kornizës Kushtetuese të Kosovës, më 10 dhjetor 2001 u themelua Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i vendit.

Në këto rrethana jeta parlamentare në Kosovë filloi të konsolidohej dhe ndër vite mori dimensione të reja diktuar nga zhvillimet politike, vendore e ndërkombëtare.

Gjatë këtyre dy dekadave institucioni ynë ligjvënës dhe përfaqësues ka kaluar nëpër sfida të shumta, por edhe ka marrë vendime jetike për Kosovën dhe popullin e saj.

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi jetësoi aspiratën e popullit të Kosovës, duke e shpallur pavarësinë dhe miratuar simbolet shtetërore.

Pas këtij akti, Kuvendi pati një veprimtari të ngjeshur dhe intensive për t’i realizuar objektivat e tij të shumta. Më 9 prill 2008 u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kurse në vijim korniza ligjore e shtetësisë së saj.

Legjitimimi i pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në korrik 2010, i hapi rrugë përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe më vonë vendimeve të tjera, që e forcuan sovranitetin shtetëror dhe sigurinë e Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ushtron kompetencat e tij duke e pasur parasysh gjithnjë parimin e ndarjes së pushteteve të sanksionuar me Kushtetutë si dhe parimin e përfaqësimit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Puna e Kuvendit konsiston në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese ndaj qytetarëve dhe ndaj subjekteve të tjera për respektimin e të drejtave të njeriut, duke i përfshirë standardet më të avancuara evropiane dhe botërore për trajtim të veçantë të komuniteteve joshumicë.

Si institucion i një vendi të pavarur dhe sovran, Kuvendi kultivon marrëdhënie ndërparlamentare me një varg vendesh mike, duke nënshkruar memorandume bashkëpunimi, formuar grupe parlamentare të miqësisë dhe duke zhvilluar diplomaci parlamentare.

Një rëndësi të veçantë Kuvendi u kushton marrëdhënieve me Parlamentin Evropian, me të cilin përveç bashkëpunimit, mban takime të rregullta pune.

Kuvendi ka qenë dhe mbetet institucion aktiv në procesin e integrimeve evropiane të Kosovës. Në kuadër të Kuvendit, vepron një komision i veçantë për procesin e integrimeve evropiane. Kuvendi i zbaton rekomandimet e raportit për vendin të Komisionit Evropian, ka një rol aktiv për zbatimin e MSA-së, duke mbajtur dy herë në vit takime të rregullta në kuadër të Komisionit për MSA-në, si dhe kujdeset që legjislacioni i miratuar të jetë sa më kompatibil me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Ndër vite Kuvendi ka sendërtuar një bashkëpunim të ngushtë me organizata partnere ndërkombëtare, të cilat i kanë dhënë një shtysë të fuqishme avancimit të proceseve demokratike në vendin tonë.

Duke e vënë transparencën ndër prioritetet kryesore në veprimtarinë ditore të tij, Kuvendi ka konsoliduar raporte të ngushta partneriteti me shoqërinë civile dhe u ka dhënë mediave gjithë hapësirën e nevojshme, bazuar në standardet ndërkombëtare për hapje dhe transparencë.

Një shtyllë e rëndësishme e punës dhe veprimtarisë parlamentare ka qenë dhe vazhdon të mbetet administrata, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve përkatëse profesionale dhe teknike.

Në këtë jubile të krijimit të tij Kuvendi shënon arritje të konsiderueshme, i përgjegjshëm para interesave të qytetarëve dhe duke ruajtur gjithmonë partneritetin me institucionet dhe me mekanizmat relevantë ndërkombëtarë.

Urime të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës!

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close