Rusia lodhet nga lufta, ndërsa tensioni ushtarak me Ukrainën rritet

Forcimi i trupave ruse në kufirin ukrainas nuk është vetëm një mesazh për Kievin dhe partnerët e tij në NATO. Kjo shfaqje e forcës synon një audiencë kombëtare. Por në Rusi, ky mesazh mund të bjerë në vesh të shurdhër.

Stacioni i metrosë Kievskij në Moskë është zbukuruar me murale të përpunuara që tregojnë se si iu bashkuan ukrainasit Bashkimit Sovjetik. Është një festë e unitetit. Por sot Moska dhe Kievi ndihen më të ndarë se kurrë.

Së fundmi, shërbimet perëndimore të inteligjencës paralajmëruan se Rusia ka vendosur rreth 70.000 trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën dhe se presidenti rus Vladimir Putin mund të planifikojë një pushtim në fillim të vitit të ardhshëm.

Jashtë Stacionit Kievskij, udhëtaret dhe udhëtarët bëjnë një pushim për pak ajër të pastër ose një cigare. Për shumicën e banorëve të kryeqytetit rus, tensionet në rritje në kufi duken shumë të largëta. “Ne rusët nuk duam luftë – askush nuk e dëshiron atë. Ukrainasit janë të njëjtët njerëz si ne, një popull sllav – miqtë tanë,” thotë një e re për DW, duke shtrënguar shallin mbi kokë kundër të ftohtit. “Por gjithçka vendoset nga politikanët nga lart – pa ne.”

Në vitin 2014, Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë në Ukrainë. Moska gjithashtu ka mbështetur separatistët që luftojnë në Ukrainën lindore – megjithëse zyrtarët rusë kanë mohuar çdo përfshirje të drejtpërdrejtë. Më shumë se 14.000 njerëz kanë vdekur në këtë konflikt. “Gjatë Bashkimit Sovjetik, të gjithë jetuam shumë mirë së bashku,” thotë një burrë i moshuar i veshur me një kapele gëzofi, duke shtuar se ai ka rrënjë bjelloruse dhe polake. “Pastaj gjithçka u shkatërrua.”

Një histori e ndërlikuar

Ideja se ukrainasit dhe rusët janë “një komb vëlla” është diçka që e ndesh shumë në Rusi. Kjo e bën konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainën lindore emocionale për shumë njerëz – dhe të ndryshëm nga luftërat e tjera midis grupeve etnike në hapësirën postsovjetike, siç janë luftimet e fundit rreth Nagorni-Karabakh-ut për shembull.

Sot, të paktën dy milionë ukrainas jetojnë në Rusi dhe ka qindra lidhje familjare midis dy kombeve. Shumë rusë në fakt e konsiderojnë Kievin si djepin e kombit rus. Në fund të fundit, kryeqyteti i sotëm ukrainas ishte qendra e Kievian Rus, një federatë mesjetare e popujve sllavë. Në një ese të botuar në korrik, Vladimir Putin shkoi aq larg sa pohoi se rusët dhe ukrainasit janë “një popull” dhe se është Perëndimi ai që po krijon një pykë midis dy kombeve.

Vijat e kuqe të Moskës

Tani, Putini po përdor ushtrinë për të demonstruar një fiksim të ri për Ukrainën – grumbullimi i fundit i trupave është i dyti këtë vit. Në vend që të jetë produkt i një nostalgjie të përhapur për unitetin e së kaluarës, shumë analistë rusë argumentojnë se vrëngëllimi i shpatave për Ukrainën është bërë strategji për Putinin.

“Kremlini mendon se Perëndimi i injoron plotësisht interesat ruse kur Rusia përdor gjuhën e diplomacisë”, tha për DW Dmitri Trenin, drejtor i Qendrës Carnegie Moscow. “Duket se tani Rusia po përdor instrumentet ushtarake si një mjet për të avancuar diplomacinë.” Në të vërtetë, si forcimi aktual i trupave në kufirin ukrainas ashtu edhe një tjetër në fillim të këtij viti i kanë mundësuar Putinit të takohet me Presidentin e SHBA, Joe Biden. Pas një samiti dypalësh në qershor, presidenti rus u takua këtë javë me homologun e tij amerikan përmes një lidhjeje të sigurtë me video.

Putini këmbënguli se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të përbënte një “vijë të kuqe” për Rusinë dhe ai kërkoi garanci që NATO nuk do të shtrihet më në lindje, veçanërisht duke mirëpritur Ukrainën. Trenini nga Carnegie dhe analisti politik Konstantin Kalaçev thonë se presidenti rus e sheh NATO-n si një kërcënim real, veçanërisht që nga stërvitjet e fundit ushtarake të NATO-s dhe SHBA-së në Detin e Zi pranë gadishullit të aneksuar të Krimesë, të cilin Rusia e konsideron territorin e saj. “Putini dëshiron dy gjëra: stabilitetin dhe sovranitetin”, tha Kalaçev për DW, duke shpjeguar se ai e sheh NATO-n si një kërcënim për të dyja.

Një Krime e re?

Por lëvizjet ushtarake të Rusisë pranë Ukrainës synojnë gjithashtu një audiencë kombëtare, sipas analistit politik dhe ish-shkruesit të fjalimeve të Putinit, Abbas Gallyamov. Në fund të fundit, aneksimi i Gadishullit të Krimesë në vitin 2014 rezultoi në një rritje të madhe të popullaritetit për Vladimir Putin (88% në atë kohë). Sipas Gallyamov-it, situata aktuale është provë se Putini nuk dëshiron që mbështetësit e tij të mendojnë se ai “nuk është më ai që ishte”, ose se po tregon dobësi ndaj Ukrainës.

Por analisti nuk mendon se një pushtim i plotë i Ukrainës fqinje do të ishte një vendim popullor në Rusi. “Rusët tashmë e dinë se fitoret ndërkombëtare jo vetëm që çojnë në një ndjenjë krenarie kombëtare, por gjithashtu pasohen nga një shtypje politike në vend dhe një rënie e standardeve të jetesës.” Marrja e Krimesë gjashtë vjet më parë e izoloi Rusinë ndërkombëtarisht, duke rezultuar në sanksione të SHBA dhe Evropës dhe duke tensionuar marrëdhëniet me Perëndimin.

Stabiliteti dhe sovraniteti

Stepan Gonçarov, një sociolog në Qendrën Levada, një institut i pavarur sondazhi, thotë se shumicën e rusëve vitet e fundit tashmë i kanë bërë të ndihen sikur po jetojnë në një “gjendje lufte”.

“Kjo ndjenjë e tensionit të vazhdueshëm ka filluar të rëndojë mbi njerëzit. Më parë, tema [e luftës] ishte diçka e re, ajo përcillte ndjenjën e përkatësisë në një perandori, të të qenit pjesë e një kombi të madh dhe të fortë”, thotë Gonçarovi për konfliktin në Ukrainë dhe përfshirjen e Rusisë në konfliktin në Siri. “Njerëzit tani preferojnë të jetojnë në një vend që është më pak ambicioz [në plan ndërkombëtar] dhe më bujar me qytetarët e tij, një vend që është më i qëndrueshëm, më i parashikueshëm dhe më i pasur ekonomikisht.”

 

 

Redaktoi: Jon Shelton

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close