Berisha “ripushton” selinë e PD-së

ATSH-I.Vata/ Komisioni për Rithemelimin e PD-së i kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha hyri sot në mesditë në selinë e PD-së për të zhvilluar aktivitetin e tyre politik mandatar nga Kuvendi i 11 dhjetorit.

Para selisë së Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se anëtarët e Komisionit të përkohshëm të PD-së kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve.

“Jemi këtu për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë. Siç e shihni janë anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të PD-së të zgjedhur në Kuvendin e fundit, të cilët kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve dhe të diskutojnë për problemet e rëndësishme të të ardhmes. Tani ne po ngjitemi sipër”, tha Berisha.

“Ne vijmë këtu për të bërë një mbledhje dhe deputeti Basha deri në datën 18 duhet të mendojë dhe reflektojë për vendimin e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e Europës, ku kuvendi i anëtarëve triumfoi në mënyrë mahnitëse. Sot futem si njëri nga anëtarët e këtij komisioni që funksionon me kolegjialitet, i barabartë midis të barabartëve”, tha Berisha.

Në përfundim të mbledhjes së Komisionit për Rithemelimin e PD-së, ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediet,iu bëri thirrje demokratëve dhe drejtuesve të degëve të PD-së në rrethe që ende janë të lëkundur t’i bashkohen PD-së së rithemelimit.

“Në mbledhjen që sapo përfundoi unë u dërgova një përshëndetje të përzemërt të gjithë demokratëve në Shqipëri dhe përcjell një thirrje të përzemërt ndaj çdo demokrati që ende nuk ka vendosur të bashkohet me PD e rithemeluar, është i mirëpritur dhe krahëhapur. Ftoj kryetarët e partive demokratike që deri më tani janë të lëkundur të bashkohen me anëtarësinë, sepse vendi i tyre është aty ku janë idealet më fisnike dhe ato janë në Partinë Demokratike të rithemeluar dhe jo në një parti të cilën dy muajt e fundit deputeti Basha e katandisi në një parti të ekstremit të majtë në një parti marksiste leniniste me përjashtimet e tij të përditshme të deputetëve dhe anëtarëve”, tha ai

Berisha theksoi se komisioni ka detyrë kryesore referendumin e anëtarësisë për ratifikimin e vendimit të kuvendit të PD-së të shkarkimit të deputeti Basha.

“Një komision u miratua sot këtu për të drejtuar referendumin, bazuar në punën e shkëlqyer që bëri Komisioni i drejtimit të Kuvendit. Po atij komisioni iu besua drejtimi i referendumit. Ju informoj se ish-kryetari Basha ka kryer akte në PD që ngjitet në nivelin e krimit elektoral. Konkretisht, ka informuar anëtarësinë në votimin e fundit që të paraqiten me karta, i ka mbledhur kartat dhe nuk ua ka kthyer. Është plaçkitje, është akt që ngjitet në nivelin e krimit elektoral”, theksoi Berisha.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close