Escobar: Do të ketë sanksione të reja dhe theks në funksionimin e dialogut

Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka paralajmëruar sanksione të reja, ndërsa i dënoi përpjekjet e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për ta marrë udhëheqjen e Partisë Demokratike.

SHBA-ja do të vazhdojë t’i përdor sanksionet, por Escobar thotë se kjo nuk është mënyra e vetme se si angazhohet Amerika.

“E kam thënë se nuk më pëlqen të flas për sanksionet në përgjithësi, për shumë arsye, por kryesisht për faktin se nuk është kjo mënyra se si angazhohen Shtetet e Bashkuara në rajon, veçanërisht me Shqipërinë. Kemi aq shumë rrugë pozitive angazhimi dhe do të vazhdojmë t’i përdorim ato. Megjithatë, do të ketë përcaktime të tjera në rajon”, tha Escobar.

Ai u pyet edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbinë dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare. Escobar ka paralajmëruar se së shpejti do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor bashkë me emisarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak.

“Mbetet për t’u parë. Ne po e fillojmë këtë vit të ri me energji të ripërtërira dhe me një theks të ri për funksionimin e dialogut. Së shpejti do të bëj një udhëtim në rajon, së bashku me zotin Lajçak për të sinjalizuar mbështetjen tonë për dialogun dhe për të shfaqur angazhimin tonë në drejtim të funksionimit të dialogut. Është një dialog i udhëhequr nga BE-ja, por ne e mbështesim fuqimisht. Dhe unë shpresoj se do të bëjmë përparim. Por më duhet të them se në këtë drejtim, çështja e Serbisë dhe e Kosovës nuk ka lidhje thjesht me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, por edhe me kolegët tanë në rajon. Dhe në këtë drejtim do të thoja se Shqipëria ka qenë shumë e dobishme. Tirana flet me të dyja palët në mënyrë konstruktive dhe mbështet plotësisht përpjekjet tona për të krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme mes Serbisë dhe Kosovës, gjë që ne e vlerësojmë”, tha Escobar.

Zyrtari i lartë amerikan tha se SHBA-ja do të angazhohet me Kosovën dhe Serbinë për arritjen e njohjes reciproke, duke u përgjigjur në pyetjen se a do të ketë përfshirje më të madhe amerikane në dialogun mes dy vendeve.

“Ne do të angazhohemi intensivisht me të dyja vendet. Po, ne do të tregojmë mbështetjen tonë për dialogun edhe me hapa konkrete. Ne do të ndihmojmë, do të punojmë me partnerët tanë evropiane që të realizohet çfarëdo që të vendoset në këtë dialog, në këtë proces të udhëhequr nga BE-ja. Pra, po, ne do të jemi shumë të angazhuar në proces, por jo vetëm në Serbi dhe Kosovë, por në gjithë rajonin dhe jo vetëm për çështjet politike, por edhe çështjet ekonomike. Ne shohim shumë mundësi për zhvillim ekonomik në rajon, veçanërisht në Shqipëri dhe Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi, kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë në të gjitha drejtimet”, tha ai.

Escobar tha se përqëndrimi duhet të vihet te pajtimi multietnik, integrimi ekonomik rajonal, standardet evropiane.

Ai e cilësoi si pozitive nismën e “Ballkanit të Hapur”, por tha se ajo nuk mund të jetë efektive pa pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të rajonit. Escobar theksoi se përfshirja e të gjithëve është kusht i SHBA-së për ta mbështetur këtë iniciativë.

“Nuk mundet. Dhe ky është kushti me të cilin ne e mbështesim: Së pari që të plotësojë standardet e Berlinit që ka vendosur Bashkimi Evropian. Dhe së dyti që të jetë i hapur për të gjitha vendet Dhe praktikisht nuk funksionon pa të gjitha vendet. Nuk mund të ndërpriten tubacionet, nuk mund të ndërpriten autostradat. Nuk mund të kesh një zonë të tregtisë së lirë nëse të duhet të ndalosh diku në mes të rrugës dhe të kesh kamionë që presin në radhë për pesë orë, kështu që nisma duhet t’i përfshijë të gjitha vendet në mënyrë që standardet të jenë evropiane sepse në fund të fundit, për të pasur një zonë të tregtisë së lirë, duhet të kesh institucione që të mund t’i menaxhojnë mallrat dhe paratë në mënyrë efektive”, tha Escobar.

“Pra, bëhet fjalë për standarde dhe këto janë dy kushtet: që të jetë i hapur për të gjithë dhe të ndiqen standarde dhe institucionet e duhura. Këto janë kushtet e mbështetjes sonë për këtë projekt”, shtoi ai./VoA/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close