Sali Berisha dëshmon në Prokurori për protestën e 8 janarit

Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, është paraqitur të enjten, 13 janar, në Prokurorinë e Shtetit për të dhënë dëshminë e tij për protestat e fundjavës para selisë së Partisë Demokratike, të cilat shpërthyen në dhunë.

I ftuar në cilësinë e deklaruesit, Berisha u përgjigj ndaj pyetjeve të Prokurorisë për mbi dy orë.

Në hyrje të Prokurorisë, ai është pritur nga simpatizantët e Partisë Demokratike, një pjesë e të cilëve e mbështesin në betejën politike për të shkarkuar kryetarin aktual të PD-së, Lulzim Basha nga udhëheqja e kësaj partie.

Ai i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë në Tiranë, e cila po heton rrjedhën e ngjarjeve të dhunshme të protestës së 8 janarit, kur Berisha kishte tentuar të hynte në selinë e PD-së.

Në deklaratën pas intervistës në Prokurori, Berisha theksoi se ka ofruar dëshmi se dhuna është nxitur nga njerëz të armatosur brenda selisë së PD-së, duke aluduar që përplasja ishte provokuar nga kampi i përkrahësve të Bashës.

Ai akuzoi Bashën për lidhjen e tij me figura të krimit.

“A e imagjinonit ju këtë njeri që të ishte kaq i hapur, kaq flagrant në lidhjet e tij me krimin?” deklaroi Berisha para gazetarëve duke akuzuar kryetarin e PD-së.

“Të pranojë të qëndrojë i rrethuar me vrasës, trafikantë, dhe një bandë në një kohë që mbrohej nga garda?…”

“Në qoftë se do të qëndrosh në politikë, s’mund ta bësh atë kurrë. Çfarë i premton vendit tënd? Krimin, dhe vetëm krimin,” deklaroi para gazetarëve Berisha.

Lufta direkte politike brenda PD-së, e ndarë në këto dy kampe, ka hyrë në muajin e dytë të zhvillimeve, të cilat kanë parë përplasje të ashpra mes përkrahësve të dy liderëve me veprime dhe kundër-veprime për të testuar fuqinë e tyre.

Përçarja e tyre ka filluar pas vendimit të Bashës për të larguar Berishën nga grupi parlamentar i partisë, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur Berishën persona non-grata për lidhjet e tij me korrupsionin, si dhe presionit amerikan ndaj PD-së për t’u distancuar nga Berisha.

Të premten para Prokurorisë është ftuar edhe Basha, i cili akuzon Berishën si organizator dhe nxitës të protestës dhe ndërhyrjes së dhunshme në selinë e PD-së.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close