Esad Mekuli -ATI I POEZISË MODERNE SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI

Është poeti i parë dhe më i njohur i Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore. Esad Mekuli, me të drejtë konsiderohet themeluesi i poezisë shqipe në Kosovë dhe gjithë trojet shqiptare në ish-Jugosllavi
Ai u lind në Plavë, 17 dhjetor 1916 dhe vdiq në Prishtinë, më 6 gusht 1993. Ka qenë poet dhe përkthyes shqiptar. Ka qenë kryetari i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Elsie e çmonte si atin e poezisë moderne shqiptare në Jugosllavi, dhe ndikimi i tij në Kosovë mbeti i pamatë. Veprimtarinë letrare e filloi qysh kur ishte na bankat e shkollës se mesme.
Që në fillimet e krijimtarisë letrare dëshmoi se ishte një lirik i hollë, duke u kënduar bukurive të Kosovës, sidomos, Rrafshit të Dukagjinit. Por edhe në këto krijime, ai shpreh shqetësimin për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar. Në këte periudhë ai ka bashkëpunuar me shumë revista të kohës në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavise: “Venac” (Beograd), “Mladost” (Zagreb), “Novi Behar” (Sarajeve), “Granit” (Podgorice).
Familja e tij në Plavë ishin me prejardhje nga Nokshiqi, i ati i Esadit qe hoxhë. Mësimet fillore i mori në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm e filloi në Pejë, ku i përfundoi studimet më 1936. Më pas u regjistrua në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin e Beogradit. Atje ra në kontakt me idetë marksiste dhe më pas mori pjesë në lëvizjen partizane të Luftës së Dytë Botërore.
Për veprimtarinë e tij politike u arrestua më 1940, u lirua më pas në prill të 1941 me amnistinë që u dha pas pushtimit të Mbretërisë Jugosllave. Më 1949 themeloi revistën letrare “Jeta e re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Kreu doktoraturën në Beograd më 1959. Si student përparimtar, ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941.
Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në Beograd ishte edhe redaktor i fletores Beogradski student. Në këtë sferë, siç ka thënë vetë, si gjimnazist ka shkruar romanin Vendeta – hakmarrja, për të damkosë këtë të keqe në mesin e shqiptarëve. Pastaj ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: Venac – Beograd, Mlladost – Zagreb, Podmladak jadranske Staze – Split, Granit – Podgoricë, Novi Behar – Sarajevë, Student – Beograd e të tjera. Në këto revista ka shkruar në gjuhën serbe, dhe çdo herë ka shkruar për shqiptarët, të cilët i ka mbrojtur kur të tjerët i kanë akuzuar. ë fund të vitit 1943 ai i bashkua aradhave partizane dhe ishte redaktor i gazetës ilegale partizane “Lirija”.
Edhe pse shkencëtar, Mekuli, punës krijuese nuk iu nda kurrë. Ai pas Luftës së Dytë Botërore, punoi punë të profesionit të vet, por ishte edhe redaktor në gazetën e vetme shqipe Rilindja e pastaj themeloi revistën letrare Jeta e Re ku arsimoi gjenerata të tëra të letrarëve, të cilët edhe e pagëzuan bard të letërsisë shqipe në Kosovë e më gjërë. Megjithatë, edhe vetë shkroi dhe bashkëpunoi me shumë gazeta e revista shqipe, si: Rilindja, Zëri i rinisë, Fjala, Pionieri, Përparimi, Shëndeti në Prishtinë, Flaka e vëllazërimit të Shkupit dhe me ato në gjuhën serbe: Jedinstvo e Stremljenje të Prishtinës, Borba, Politika, Književne novine, Mostovi të Beogradit, Pobjeda dhe Stvarenje të Podgoricës, Bagdalla të Krushevcit, Republika dhe Forum të Zagrebit.
Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në ate serbe dhe anasjelltas. Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive letrare. Përktheu veprën epike malazeze të Petri II Petroviq-Njegosh “Kunora e Maleve”, ndër të tjera.
Poezitë e Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedonase, hungareze, kroate, italiane e të tjera. Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore. Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha.
Esad Mekuli famën e tij e shfrytëzoi, e vuri në shërbim të popullit të vet dhe jo për interesat e tij vetjake (personale). Ai i ka refuzuar të gjitha pozitat e larta politike e administrative që i ofroheshin.
Vepra poetike e Esad Mekulit paraqet një mozaik të bukur motivesh e temash të trajtuara me mjeshtëri artistike. Si krijues poeti është identifikuar me fatin e popullit: -unë biri yt besnik dhe-poeti. Në përmbledhjen poetike “Për ty”, si edhe në vëllimet e tjera poetike, disa nga temat e motivet e poezisë sociale, përshkruese, patriotike, refleksive dhe të dashurisë, paraqesin botën emocionale, idetë themelore dhe mendimet e gjykimet që lidhen me të kaluarën e Kosovës, me aktualitetin dhe me ardhmërinë e saj.
Kështu, ajo ishte bërë zëdhënëse e kërkesave të kohës dhe me identitetit etnokulturor. Përmbledhja “PËR TY” e Esad Mekulit u bë shumë shpejt libër kult. Autori e ndan librin në tri cikle sipas kriterit kronologjik:
Cikli i parë “Në hijen e robnis” (1933-1940)
Cikli i dytë “Flamujt e shpaluem” (1941-1944) dhe
Cikli i tretë “Jeta e re” (1945-1953)
Vetë titujt e këtyre kapitujve poetikë tregojnë që emërtimet lidhen me një ide të zhvilluar në tri kohë për lirinë e popullit të tij. Dhe natyrisht në ballë të këtyre kapitujve del poezia e veçantë “Popullit tim”.
Esad Mekuli në shënimin në fund të librit drejtuar lexuesve, jep shpjegime për përbërjen e librit dhe për historinë e shkrimit të tij poetik. Mekuli, jo vetëm ndiqte modelin e poetit të angazhuar, po mbi të gjitha e shihte veten ideolog të lirisë e të barazisë së popullit. Kjo lidhje e artit me politikën i ka sjellë atij probleme të mëdha.
Poezitë më të thella të këtij autori janë ato të shkruara para Luftës së Dytë, që përmblidhen nën titullin e përbashkët “Nën hijen e robins”. Këto vjersha me një fuqi të madhe shprehëse e me emocion të veçantë, japin trazime personale dhe shfaqje të gjendjeve shoqërore të shprehura me një gjuhë mjaft sintetike.
Ato janë shumë të ngjashme me poezitë e Migjenit (që janë shkruar përafërsisht në të njëjtën kohë). Këtu provohet thënia se rrethanat e ngjashme shoqërore dhe shpirtërore, i bëjnë të ngjashëm poetët shqiptarë të një brezi dhe kur nuk e njohin njëri-tjetrin.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close