Kriza energjetike, Ibrahimaj: 28 miliardë lekë për përballimin e rritjes së çmimeve

ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria përmes një Akti Normativ iu përgjigj me masa konkrete direkt situatës anormale të krijuar nga kriza energjitike në tregjet ndërkombëtare e më tej nga pasojat e luftës në Ukrainë.

Ibrahimaj prezantoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ndryshimet në buxhetin e vitit 2022, të cilat synojnë mbështetje buxhetore për sektorin e energjisë, transportit urban si dhe shtresave në nevojë.

“Mazhoranca qeverisëse ka treguar ndër vite se është e aftë ti gjendet qytetarëve të vetë në krah duke i lehtësuar vështirësitë përmes politikave të saj të cilat kanë si fokus kryesor mbrojtjen e qytetarëve me të ardhura mesatare dhe të ulëta dhe të biznesit të vogël”, tha ministrja.

Ministrja paraqiti të dhëna mbi situatën makroekonomike në vend.

“Sa i takon impaktit në ekonominë tonë, pra impaktit të goditjes nga kahu i ofertës e manifestuar kryesisht në rritjen e çmimeve të produkteve të energjisë, disa produkteve bazë ushqimore dhe disa produkteve të tjera, patjetër që pritet të ketë një impakt relativisht të dukshëm edhe për ekonominë tonë. Megjithatë, në vlerësimet tona deri tanishme, sipas skenarit tonë bazë të projeksioneve makrofiskale, pra në skenarin me probabilitetin më të lartë të ndodhjes, ky impakt do të jetë i përmbajtur dhe i përkohshëm”, tha ajo.

Në këtë skenar, ministrja tha se parashikohet që inflacioni i përgjithshëm mesatar për vitin 2022 në tërësi do jetë rreth nivelit prej 4.5 %, ku pritet të kulmojë në tremujorin e dytë dhe fillimit të tremujorit të tretë. Ndërkohë, sipas saj, nga viti 2023 e në vijim parashikohet që inflacioni mesatar vjetor do jetë rreth targetit të Bankës së Shqipërisë prej 3 %.

“Kjo rritje e përkohshme e inflacionit përgjatë këtij viti, do të ketë një efekt frenues të fuqisë blerëse e rrjedhimisht pritet të ketë një efekt ngadalësues të kërkesës agregate të brendshme, krahasimisht me projeksionet fillestare. Kërkesa agregate e brendshme më e ngadalësuar për këtë vit, por po ashtu edhe një kërkesë e huaj më e ngadalësuar, veçanësisht nga vendet e Europës, pritet të rezultojë në një rritje ekonomike më të ulët nga ajo e parashikuar prej 4.2 % fillimisht. Objektivat e rritjes së qëndrueshme priten të rikthehen rreth nivelit prej 4 % nga viti 2023 e në vijim, sipas parashikimeve fillestare”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo shtoi se edhe në skenarët më pesimiste, ku këto goditje supozohen më të forta, sërish rezulton që ekonomia do të vijojë të ketë rritje pozitive këtë vit dhe të rikthehet në trendin normal në afatin e mesëm, dhe inflacioni të rikthehet në targetin e tij që vitin tjetër.
Duke u ndalur në treguesit e rishikuar të buxhetit, ministrja u shpreh se, ato vijnë si përgjigje ndaj situatës së veçantë të krijuar nga kriza energjitike dhe ajo e çmimeve të karburanteve dhe mallrave të konsumit të gjerë.

“Ky rishikim i buxhetit 2022 ka si synim kryesor akordimin e mbështetjes buxhetore për shtesën për sektorin e energjisë, ne shumën 20 miliardë lekë duke çuar këtë shumë në 28 milliardë lekë për vitin 2022 si dhe financimin e një pakete ndihme për konsumatorët për të përballuar pasojat e rritjes së çmimeve të konsumit, e quajtur Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës, me kosto 6 miliardë lekë”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja vuri në dukje se pavarësisht ndryshimeve do të ruhen objektivat e konsolidimit fiskal duke mbajtur të pandryshuar nivelin e deficitit buxhetor. “Efektet e përballimit të krizës energjitike dhe atë të rritjes se çmimeve të mallrave të konsumit kemi propozuar ti përballojmë nëpërmjet dy instrumentave, rialokimit të shpenzimeve buxhetore dhe rritjes së të ardhurave”, tha ajo.

Sipas Ibrahimajt, të ardhurat e buxhetit të shtetit me këtë Akt Normativ rriten me 10 miliardë lekë mbështetur në performancën pozitive të realizimit të planit të të ardhurave tatimore dhe doganore nga administrata fiskale, për 2-mujorin 2022 dhe në parashikimet për realizimin e tyre deri në fund të vitit.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se sipas një analiza të të ardhurave doganore për vitin 2021, vihet re se rreth 80 % e rritjes të së ardhurave i referohet rritjes ekonomike, pra volumit të importeve, ndërsa vetëm rreth 20 % e shtesës së të ardhurave i referohet efektit të rritjes së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare.

Ndërkohë, tha ajo, shpenzimet buxhetore janë shkurtuar në masën 16 miliardë lekë, nga të cilat rreth 6 miliardë lekë në shpenzimet korente dhe rreth 10 miliardë lekë në shpenzimet kapitale. Këtu, ministrja tha se janë prekur shpenzimet jo prioritare, shpenzimet administrative dhe shpenzime të vlerësuara që mund të shtyhen në vitet në vijim.

Më tej, ibrahimaj tha se mbështetja financiare për sektorin energjitik shkon në 28 miliardë lekë me një rritje në masën 20 miliardë lekë.

Sipas saj, paketa gjithëpërfshirëse financiare e ashtuquajtur e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës është në masën 6 miliardë lekë, e cila do të përdoret për zbutjen e efekteve të krizës aktuale, në mbështetje të shtresave në nevojë, rreth 5 miliardë lekë, sektorit të transportit publik, rreth 0.5 miliardë lekë dhe sektorit të bujqësisë, rreth 0.5 miliardë lekë.

“Përfitojnë shtresat me vulnerable të shoqërisë si; pensionistët më të ardhura të ulëta, pensionistët e vetmuar, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, familjet në ndihmë ekonomike etj. Gjithashtu kjo paketë ndihmon sektorin e transportit publik dhe atë të mekanikës në bujqësi, për shkak të rritjes së çmimit të naftës në nivele tepër të larta e të papërballueshme”, deklaroi Ibrahimaj.

Duke u ndalur në zërat e prekur nga shkurtimet në kahun e shpenzimeve, ministrja shpjegoi se do të ketë një reduktim me 2.5 % të planit total të shpenzimeve të personelit, shkurtim me 10-20 % të zërit “shpenzime operative” për institucionet buxhetore.

“Për projektet me financim të brendshëm, është reflektuar një shkurtim i përgjithshëm në masën rreth 5.2 miliardë lekë, përmes pakësimit të fondeve në zëra shpenzimesh që lidhen me shpenzime administrative apo investime të reja të cilat mund të shtyhen në një periudhe të ardhshme. Për projektet me financim të huaj, është reflektuar një shkurtim i përgjithshëm në masën 4.6 miliardë lekë, duke marrë në konsideratë ecurinë e tyre dhe vlerësimin për periudhën e mbetur të vitit”, theksoi ajo.

Ministrja u shpreh se masat mbrojtëse për shtresat vulnerable të shoqërisë do të vijojnë në përputhje me situatën.

“Ne do ndjekim ditë pas dite situatën dhe do propozojmë masa konkrete, ndryshime legjislative dhe administrative”, tha ajo.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close