Vuçiq paralajmëron dorëheqje nga kryesimi i partisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njëherësh kandidat i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet presidenciale të 3 prillit, paralajmëroi se do të japë dorëheqje nga kryesimi i SNS-së, pas zgjedhjeve.

“Unë do të jem aty gjatë zgjedhjes së Qeverisë dhe me siguri do të ndikoj, aq sa është e mundur, në dukjen e Qeverisë. Pastaj, do të largohem nga lidershipi i partisë”, tha Vuçiq për të përditshmen serbe Politika.

Dhjetë vjet në krye të partisë është një periudhë e gjatë, tha ai.

“Është një periudhë, gjatë së cilës SNS-ja nuk ka humbur askund. Është e pabesueshme dhe është koha që të tjerët t’i përkushtohen kësaj”, tha Vuçiq.

Ai i mohoi informacionet se vendi i tij do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen në Serbi, më 3 prill.

“Unë nuk ia kam thënë këtë kurrë askujt. Kam biseduar me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në prani të njëzet personave, por ajo nuk ka dëgjuar diçka të tillë nga unë. Janë njëzet dëshmitarë, dhjetë nga Gjermania dhe dhjetë nga ana jonë. Unë kam thënë saktësisht këtë: Nuk ju ofroj garanci për sanksione, pikë; ndërsa për paqen në Ballkan, sa i përket Serbisë, unë ju ofroj garanci”, tha Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Serbia është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Ky pozicion nuk është në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për Rusinë.

Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të mbajtur më 2 mars, Serbia, megjithatë, i është bashkuar dënimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Vuçiq, po ashtu, tha se paqja në Ballkanin Perëndimor nuk është e rrezikuar, por shtoi se duhet pasur kujdes për ta ruajtur atë.

“Nuk mund të them se paqja është e rrezikuar, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta ruajmë me kujdes. Ndoshta është më mirë ta përkufizoj kështu”, tha Vuçiq.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close